Kryetari i PD Lulzim Basha i ka nisur kremtimet e Ditës së Verës në Elbasan, qytet i cili e ka në traditën e tij këtë festë. Z. Basha ka vizituar panairin e përvitshëm të Ditës së Verës, nga ku ka përcjellë edhe mesazhin e urimit për qytetarët e Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë.
“Më vjen mirë që distanca fizike ndërmjet Tiranës dhe Elbasanit nuk ka qenë kurrë më e shkurtër, më e vogël, sepse në fakt distanca shpirtërore midis Tiranës dhe Elbasanit thuajse nuk ekziston. Këtë e them si kryetar i Bashkisë së Tiranës, këtë e them si ish-kryedeputet i Elbasanit, e them në emër të qytetarisë së Elbasanit, e them në emër të qytetarisë së Tiranës.
Dua të falënderoj qytetarinë elbasanase, të gjithë elbasanasit, në emrin tim dhe besoj edhe në emër të çdo shqiptari, për këtë traditë kaq të bukur që ia kanë dalë të mbajnë gjallë dhe që në Ditën e Verës rrezaton dhe përhapet nga Elbasani, nga zemra gjeografike e Shqipërisë anembanë qyteteve, fshatrave tona.
I uroj nga Elbasani, çdo shqiptari: “Gëzuar Ditën e Verës, për shumë vjet gëzuar! Mbarësi dhe gëzim sjelltë kjo ditë për të gjithë ju!” – u shpreh z. Basha.