Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrimin thotë se konkluzionet e publikuara pa dijeninë e opozitës nuk reflektojnë shqetësimet e saj
për shkeljen e standardeve demokratike nga qeveria, për situatën e rëndë të kriminalitetit për shkarkimin e 5 mijë nëpunësve e zhbërjen e shumë arritjeve që po vënë në rrezik marrjen e statusit. Fshehja e dhunimit të standardeve nga qeveria, sjellje anti-integrim, dhe anti-europiane.
Sot janë publikuar konkluzionet e përbashkëta të Dialogut të Nivelit të Lartë. Më lejoni që në emër të Partisë Demokratike të shpreh qëndrimin tonë.
Së pari; ne jemi njohur me këto konkluzione vetëm sot, një ditë pas takimit. Dje, as gjatë edhe as në përfundim të takimit, nuk jemi njohur dhe as konsultuar lidhur me tekstin e konkluzioneve të këtij takimi që ishte i përbashkët.
Kush lexon këto konkluzione mund të arrijë në dy përfundime fare thjesht; ose që opozita ka qenë në takim vetëm për sy e faqe e nuk ka folur fare, ose konkluzionet veç faktit që përmendin praninë e opozitës në tryeze, nuk referojnë asnjë fjalë të qëndrimit tonë.
Se dyti: sjellja me dy standarde e kësaj super mazhorancë super arrogante është denoncuar edhe përpara takimit të DNL, dhe sikurse shihet qartë rikonfirmohet jo më larg se një ditë pas mbylljes së këtij takimi. Është tashmë shumë e qartë se koncepti i gjithëpërfshirës në procesin e integrimit konsiderohet si lëmoshë institucionale nga ana e Edi Ramës, por në standardin europian gjithëpërfshirje do të thotë përfshirje e mendimit ndryshe dhe e shqetësimeve të paraqitura nga ne në tryezë, të cilat qeveria duhet t‘i marrë në konsideratë nëse kërkon bashkëpunim e jo diktat në kurriz të integrimit të vendit në BE!
Se treti: meqenëse në konkluzionet e bëra publike, nuk ka asnjë term për shqetësimet që kemi ngritur dje në tryezë po ua bej me dije me radhe:
Kemi ngritur shqetësimin për shkatërrimin e administratës publike ne vend. Një vendim antikushtetues si akti normativ për nëpunësin civil, shkatërroi konsensusin politik për një ligj të votuar me 3/5, flaku në rruge 5000 gra e burra punonjës të administratës.
Ky akt çoi në dhunimin e të drejtës së tyre juridike që e fitonin me ligjin e nëpunësit civil, në dhunimin e prioritetit të parë të depolitizimit të administratës dhe si për të mos e lënë me kaq, konfirmoi dhe mashtrimin e kësaj qeverie, se shtyrja e ligjit ishte çështje teknike.
Ndaj, konkluzioni se qeveria ka premtuar se do ta zbatojë bute, ligjin e nëpunësit civil, është minimumi i fjalës, cinizëm i qeverise me 5000 familje ne hall, maksimumi i fjalës, të tallesh me shqiptaret. Ndryshe është diktat.
Kemi ngritur shqetësimin e dhunimit te institucioneve te pavarura. E vlerësoj që tek konkluzionet mirëpritet rezoluta e votuar ne parlamentin shqiptar si mbështetje për integrimin evropian. Por mos të harrojmë që ajo rezolute u propozua nga opozita shqiptare në respekt të vendimit tonë se do të mbështesim pa kushte reformat për procesin e integrimit. Por në tryezë, dje kemi bërë me dije se maxhoranca dy here ka votuar duke u betuar se nuk do te dhunoje institucionet e pavarura, si INSTAT, Ama, ILDKP, KLD e kështu me radhë.
Por të nesërmen e votimit, ka nisur procedurat e dhunimit. Dhunimi i institucioneve të pavarura është dhunimi i standardeve evropiane. Ndryshe diktat.
Kemi ngritur shqetësimin e shkeljes se rregullores së parlamentit me shkarkimin e kryeinspektores së ILDKP si dhe cënimin e parimit të ndarjes së pushteteve me Presidentin e Republikës. Sot, kjo maxhorancë është në konflikt me Kushtetutën, me opozitën, me ligjet, me vendimet e gjykatave, me institucionet e pavarura, me pushtetin lokal, pra është në konflikt me shqiptarët.
Kemi ngritur shqetësimin e situatës se rendit e masave në letër, të luftës kundër krimit të organizuar e trafiqeve. Atë shqetësim që kemi muaj qe e artikulojmë nga kjo foltore. Emërimet pa kriter në polici, inkriminimi i policisë së shtetit, refreni i përditshëm i tritolit, shqetësimi i autoriteteve të vendeve fqinje, se Shqipëria po behet autostrada e drogës, janë, jo standarde evropiane, por dhunim i tyre. Ndryshe, diktat.
Kemi ngritur shqetësimin e mungesës së vizionit të qeverisë në luftën kundër korrupsionit. Në rast se, 2 muaj pasi ka ardhur në pushtet, qeveria vendos të blejë votat, siç ndodhi në Korçë, ky është korrupsion politik. Ne rast se heq me dhunë kryeinspektoren e Institucionit që kontrollon pasuritë e qeveritare, ky nuk është standard në luftën kundër korrupsionit. Në rast se vjedh e klonon serverin e tatimeve, kjo quhet krim dhe të tille e kemi cilësuar.
Me përmallim lexova konkluzionin se qeveria konfirmon gadishmërinë për një proces dialogu të qëndrueshëm e kontruktiv me opozitën. Kjo është tallje me opozitën, me veten me ndërkombëtarët. Sot në Shqipëri, maxhoranca e ka zeruar dialogun politik, ka krijuar një fryme konflikti, dhe shkelje të hapur të parimeve të konsensusit e transparencës. Dhe ky nuk është standard evropian. Është diktat.
Si qershia mbi tortë qeveria thotë në konkluzione se ka përfshire shoqërinë civile në procesin e hartimit të planit të veprimit. Të gënjesh kaq lire, kur vete përfaqësuesit e shoqërisë civile të ftuar ne komision të integrimit, por edhe ne takim me komisionerin, kane rrëfyer të kundërtën, se janë lënë jashtë procesit, është guxim i madh.
Ndaj, më lejoni dhe njëherë të theksoj ne emër të Partisë Demokratike;
Ne ishim dje në Dialogun e Nivelit të Lartë për të kontribuar, e për t’i kërkuar qeverise shqiptare të heqë dorë urgjent nga shkelja e parimeve demokratike dhe standardeve të arritura ne Shqipëri. Të heqë dorë, nga arbitrariteti, dhuna ndaj Kushtetutës e institucioneve te pavarura, të braktisë frymën e konfliktualitetit, të riktheje qetësinë e rendin e të mos vrasë të ardhmen evropiane të Shqipërisë.
E ka nisur keq. Dhe një gjë e nisur keq, përfundon keq e me keq!