Deputeti Ristani denoncon ceremoninë partiake të provimit të Policisë, dhe retorikën boshe teksa pasiguria dhe trafiku i drogës kanë arritur majat.
“Inovacion, siguri dhe progres deklaroi Rama bashkë me Tahirin sot, duke u rënë daulleve të festës në veprimtarinë që po bënin në lidhje me konkurset që do hapeshin për aplikantët në Policinë e Shtetit. Por nuk flitet më për progres, nuk flitet më për inovacion, nuk flitet më për siguri. Nuk mund të flitet më për inovacion në një kohë kur të tilla konkurse janë bërë procedurë standarde në Policinë e Shtetit që nga viti 2006 dhe ndërkohë që flasim janë mbi 170 persona të cilët i kanë fituar këto konkurse, kanë marrë certifikimet për të qënë pjesë e Policisë së Shtetit, dhe ndërkohë janë zhbërë, ashtu siç Rama dhe Tahiri kanë zhbërë të gjithë Policinë e Shtetit. Nuk mund të flitet për progres ndërkohë që janë mbi 600 punonjës policie me një dhe dy fakultete dhe me cerfitikime brenda dhe jashtë Shqipërisë, të cilët sot janë hedhur në rrugë dhe janë të papunë. Nuk mund të flitet më për siguri, ndërkohë që tritoli po bën kërdinë çdo ditë, ndërkohë që vrasjet po shtohen. Vetëm në këto 18 ditë të marsit, kemi 10 vrasje, ndërkohë që marsi i 2013 ka pasur vetëm 5 të tilla. Nuk mund të flitet për siguri, ndërkohë që droga po përhapet kudo nëpër Shqipëri. I gjithë prodhimi stok i drogës që nuk dilte dot në rrugë për shkak të punës së Policisë, sot ka mbytur Shqipërinë dhe po tenton dhe sulmon kufijtë e Europës. E gjithë kjo situatë, nuk mund tu lejojë atyre të kalojnë nga Doktor Gjilpëra tek Linkolni, por të kujdesen për pavarësinë e Policisë së Shtetit dhe jo për kthimin e Policisë së Shtetit nga Polici të Shtetit në Parti Socialiste”