Prononcim për mediat i Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas drekës me ambasadorët e Bashkimit Europian, SHBA dhe OSBE

 

Pyetje: Z Basha, pse ky takim me ambasadorët?

Takimi me ambasadorët e Bashkimit Europian, përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe OSBE-së është një takim periodik që Partia Demokratike kryen për të shkëmbyer mendime mbi situatën politike në vend, mbi zhvillimet politike në vend, informacionet që ne kemi dhe që ata kanë. Në këtë kuadër theksi është vendosur tek perspektiva e marrjes së statusit ku edhe njëherë kam përsëritur qëndrimin tonë se Partia Demokratike konsideron se Shqipëria dhe shqiptarët e meritojnë statusin e vendit kandidat. Ne e konsiderojmë këtë një etapë të përmbyllur me sukses për shkak të reformave të ndërmarra që bënë të mundur rekomandimin pozitiv të Komisionit dhe përmbushjen edhe të kondicionaliteteve të Komisionit. Ndaj nxitëm përfaqësuesit e vendeve anëtare të nxisin qeveritë e tyre për një vendim pozitiv në qershor duke e ndarë qartësisht këtë çështje nga stoku i problemeve që maxhoranca dhe qeveria kanë krijuar dhe po krijojnë në raport me shtetin ligjor, demokracinë, institucionet e pavarura, sistemin e kontrollit dhe balancave dhe ndarjen e pushteteve në Shqipëri që janë probleme shumë serioze dhe shumë shqetësuese për të cilat opozita nuk mund të heshtë, as të pretendojë se nuk ekziston, por të cilat i kemi trajtuar dhe do ti trajtojmë me forcë në hapësirën institucionale parlamentare sa kohë që ta kemi këtë hapësirë si dhe çdo hapësirë tjetër qytetare, civile por edhe ndërkombëtare. 

Pyetje: A gjetët mirëkuptimin e palës tjetër?

Diskutimet e sotme sikundër të kaluarat janë karakterizuar nga një frymë mirëkuptimi dhe dialogu shumë të frytshëm. 

Pyetje: Si mund të ndikojë mosmiratimi i rezolutës nga Parlamenti shqiptar, në kompromisin mes dy palëve, për statusin e vendit kandidat në muajin qershor? 

Natyrisht shumë negativisht. Duhet të ishte bërë çdo përpjekje që rezoluta e përbashkët të miratohej. Bllokimi i amendamenteve të opozitës ishte një sinjal i keq. Pas kësaj na u dha një shans. Për 3 javë nga shumica nuk pati absolutisht asnjë hap. U kujtuan fundjavën e fundit. Patëm negociata intensive dhe ishte bindja dhe shpresa ime që po arrinim në një konkluzion pozitiv. Draftit tonë të fundit, papritur, maxhoranca iu përgjigj me një draft 6 apo 7 etapa përpara. Pra si të thuash draftit tonë 10, iu përgjigj me draftin 3 apo 4 në momentin e fundit kur ne kërkonim ta finalizonim, çka ishte e pakuptueshme. Nuk e di nëse ka mbetur akoma kohë por nga ana jonë ka një dëshirë dhe vullnet për ta finalizuar nëse jemi akoma në kohë, mjafton që këtë vullnet ta ndajë edhe maxhoranca. 

Pyetje: Z Basha çfarë qëndrimi do të mbajë Partia Demokratike pas rrëzimit së kërkesës për ministren Kodheli nga Komisioni i Sigurisë?

Rrëzimi i kërkesës është absurd, i paprecedentë dhe do të thoja i paligjshëm. Opozita ka kërkuar nga qeveria dhe kërkon tashmë jo vetëm nga Ministrja e Mbrojtjes por edhe nga Kryeministri të shprehen, mbi një çështje jashtëzakonisht të rëndësishme për opinionin publik, për shoqërinë, për vendin, për çështjen nëse kanë apo jo dijeni për përdorimin e mundshëm të infrastrukturës ushtarake për trafik narkotikësh. Dhe nëse kanë dijeni, çfarë masash kanë marrë. Heshtja, apo akoma më keq refuzimi për tu përgjigjur, apo akoma më keq krijimi i pengesave artificiale dhe antiligjore si në rastin e z Braho, vetëm sa shton peshën dhe barrën e dyshimit dhe nuk ndihmon aspak për transparencën dhe daljen e përgjegjësive të gjithsekujt. Akoma më pak e ndihmon këtë taktika e vjetër dhe e dalë boje e hapjes së 100 çështjesh të tjera, shumica e prej të cilave të pavërteta me shpresën se opinioni publik do të ngatërrohet si një fëmijë i vogël dhe do të harrojë çështjen kryesore. Çështja kryesore e cila nuk mund të ikë është; z Kryeministër, a ke apo jo informacion për përdorimin e mundshëm të infrastrukturës ushtarake për trafik narkotikësh? Nëse ke, çfarë masash ke marrë. Kjo tashmë është një pyetje jo vetëm e opozitës por është pyetje e opinionit publik. Jam i sigurt që është një pyetje që do ta ndjekin me shumë interes edhe partnerët tanë. Është në dinjitetin e Shqipërisë si anëtare e NATO-s, është në dinjitetin e forcave të armatosura që e kanë fituar vetë dhe që e kanë pavarësisht sindromave të vitit zero të kësaj administrate, që të përgjigjet dhe të marrë përgjegjësi karshi kësaj pyetje dhe detajeve që janë të lidhura me këtë pyetje. 

Pyetje: Do të kërkoni interpelancë me ministrin Tahiri?

Ju siguroj që opozita nuk e ka të drejtën morale të tërhiqet nga kërkesa për transparencë në këtë rast. 

Pyetje: Z Basha, a duhet ju që sot të ishit i pranishëm në ceremoninë e përkujtimit të 15 vjetorit të eksodit të shqiptarëve të Kosovës? A keni ftesë sepse Protokolli i Shtetit thotë se keni ftesë?

Jo, nuk ka asnjë ftesë. Ndonëse mund ta kenë dërguar sot në mëngjes, megjithëse po spekuloj edhe për këtë, deri në këtë moment që po më pyesni ju, nuk ka pasur asnjë ftesë për këtë aktivitet. Natyrisht po të kisha ftesë do ta shqyrtoja në raport me për çfarë do të isha ftuar dhe me angazhimet e mia të tjera. Por është rasti i dytë që ftesa bëhet sa për të larë gojën, siç ishte rasti i Vlorës. 

Pyetje: Z Basha, faktet dhe indiciet që keni për zonjën Kodheli, do i dërgoni në Prokurori?

Edhe njëherë dua ta bëj fare të qartë qëndrimin tim dhe të mos lejoj asnjë lloj spekulimi. Partia Demokratike i kërkon ministres, tashmë i kërkon kryeministrit, të prononcohet nëse ka dijeni apo jo për përdorimin e mundshëm të infrastrukturës ushtarake për trafik droge. Kjo është një çështje e përgjegjësisë politike sikundër është çështje e mungesës së përgjegjësisë, mospërgjigja deri dhe pengimi i ardhjes së ministres për t’u përgjigjur para Parlamentit, gjë që është e padëgjuar në demokracitë parlamentare. Drejtësia ka punën e vet dhe e bën punën e vet sipas ligjeve të vendit. Ne kemi detyrën tonë për transparencë dhe këtë po bëjmë. 

Pyetje: Z Basha, nesër kemi një afat të vendosur nga maxhoranca për reformën territoriale. A do i dërgojë PD emrat në komision?

Qëndrimin për këtë çështjen e kemi bërë fare të qartë në mënyrë të përsëritur dje dhe pardje. 

Pyetje: Z Basha, a besoni se mund ta marrim statusin në këtë situatë siç jemi sot?

Partia Demokratike beson se statusi është një etapë e përmbushur nga Shqipëria. Gjatë kohës që ishim ne në qeverisje madje. Dhe ne nuk shohim asnjë arsye që statusi kandidat të mbetet peng i një qeverisje që e ka nisur keq dhe vazhdon akoma edhe më keq. Statusi kandidat nuk është fundi i rrugëtimit. Kemi negociatat që është një proces i gjatë dhe i vështirë dhe që çon drejt anëtarësimit. Prandaj dhe ne ins
istojmë tek statusi kandidat në njohjen e meritave të Shqipërisë e shqiptarëve, të maxhorancës tonë nëse dëshironi, që i kreu reformat, mori rekomandimin, i plotësoi edhe ato 3 kritere të fundit që i mbante peng ish opozita, kreu dhe zgjedhjet dhe tani meriton statusin jo më pak seç e meritojnë vende të tjera të rajonit. Por kjo nuk lidhet aspak me shqetësimet tona për natyrën antidemokratike të veprimeve që ka ndërmarrë kjo maxhorancë. Këto shqetësime i kemi denoncuar dhe do të vazhdojmë t’i denoncojmë, do të vazhdojmë të qëndrojmë përballë tyre sepse vetëm kështu i shërbehet kauzës përfundimtare që është anëtarësimi i Shqipërisë në Europë. Në Europë nuk mund të anëtarësohemi as duke shkelmuar ligjin dhe Kushtetutën, as mos duke zbatuar vendimet e gjykatave, as duke uzurpuar institucionet e pavarura, as duke prishur kornizën e Kushtetutës të kontrollit dhe balancave si dhe ndarjes së pushteteve.