Kryetari i Partisë Demokratike pret në takime të veçanta përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti në takime të veçanta përfaqësuesen e Bankës Botërore në Shqipëri, znj. Tahseen Sayed, dhe përfaqësuesin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, z.Nadeem Ilahi. Gjatë këtyre takimeve, z.Basha shprehu shqetësimin e Partisë Demokratike dhe të opozitës për kursin e gabuar ku qeveria ka futur ekonominë shqiptare.
Basha tha se ka rënie të mbledhjes së të ardhurave, jo vetëm krahasuar me periudhën e mëparshme, por edhe duke marrë parasysh vetë parashikimet e qeverisë. Kryetari i opozitës tha se është shumë shqetësuese mungesa e transparencës nga qeveria në lidhje me vendimet dhe të dhënat zyrtare. “Qeveria ka krijuar pasiguri juridike, çka ka dëmtuar biznesin dhe ka stepur investitorët ”, u shpreh Basha. Treguesit e ekonomisë janë në përkeqësim, rënie, ose dobësim. Ulja e ndjeshme e mbledhjes së të ardhurave, theksoi Basha është tregues i evazionit, korrupsionit dhe rritjes së informalitetit në ekonomi.
Nga ana tjetër është rritur praktika e prokurimit të drejtpërdrejtë nga ana e qeverisë, u shpreh Basha, dhe qeveria po vonon informacionin në këtë drejtim të kërkuar nga opozita në rrugë parlamentare.
Duke u ndalur tek arbitrariteti, shkelja e ligjit, moszbatimi i vendimit të gjykatave, prishja e ndërtimeve me leje ose në proces legalizimi, spastrimet në administratën publike dhe emërimet e personave me precedentë apo të kaluar kriminale, Basha tha se është krijuar një klimë pasigurie e përgjithshme që ka dëmtuar rëndë ekonominë dhe biznesin dhe si rezultat ka mbyllur vende pune dhe zvogëluar shanset për punësim.
Kryetari i Partisë Demokratike i njohu përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar edhe me rënien e nivelit të pagesave nga qeveria të detyrimeve ndaj subjekteve të përfshira në investimet publike krahasuar me periudhën e qeverisjes së mëparshme, dhe me uljen e rimbursimit të TVSH-së.
Në këtë situatë, ekonomia, tregu financiar, konsumatorët dhe investitorët kanë reaguar e po reagojnë keq, duke shënuar përkeqësim në çdo drejtim.