5 vjet pas anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut/Refleksionet e Kryetarit të Opozitës, për suksesin, reformat, dhe mesazhi sërish aktual i konsensusit politik e shtetit ligjor që kërkon anëtarësimi në Bashkimin Europian

Kryetari i PD Lulzim Basha mori pjesë në konferencën e parë ndërkombëtare të “Albanian Policy Center – Bashkëpunimi trans-atlantik për paqen dhe sigurinë në Ballkan – Axhenda shqiptare për integrimin në BE dhe NATO”. Ndërsa ka sjellë në vëmendje rëndësinë e jashtëzakonshme që ka për shqiptarët anëtarësimi në NATO, z. Basha ka theksuar se shqiptarët lanë pas përgjithmonë dilemat ekzistenciale. 

“Një komb i cili jo për dekada por për shekuj ishte lëkundur dhe përkundur në ankthe ekzistenciale, tashmë i kishte dhënë fund këtij makthi, njëherë e përgjithmonë. 1 prilli i vitit 2009 nuk gjeti vetëm Shqipërinë tashmë me procesin e finalizuar të anëtarësimit në NATO por gjeti edhe Kosovën të lirë, falë kontributit të NATO-s e tashmë edhe të pavarur. Anëtarësimi në NATO ktheu vendin njëherë e përgjithmonë në një nga vendet e sigurta të Europës, bëri të mundur që shqiptarët të gëzojnë së bashku me anëtarësimin në NATO edhe logon, brandin e të qenurit anëtarë të Aleancës, pra një imazh dhe reputacion të përmirësuar, në raport me çdo faktor tjetër, në veçanti me faktorët ekonomikë, me investitorët e huaj, me vendet e huaja, me turistët e huaj. Kjo koinçidoi edhe në një periudhë ku kriza financiare globale kishte filluar intensifikimin dhe pasojat e saj u ndjenë në shumicën e vendeve anëtare të NATO-s, por tek ne pati një intensifikim të investimeve të huaja, një intensifikim të rritjes ekonomike, të eksporteve, të krijimit të vendeve të punës, të rritjes progresive të mirëqenies, të standardit të jetës” – deklaroi zoti Basha.

NATO është një aleancë politike e vendeve që ndajnë dhe adhurojnë idealet e parimet e lirisë, demokracisë, të drejtave të njeriut dhe dinjitetit njerëzor. Për këtë arsye, sipas zotit Basha, pa guximin vendosmërinë dhe kurajën për të realizuar reformat e domosdoshme, madje jetike do të ishte i pamundur finalizimi i këtij procesi.  

“Në këtë periudhë kohore, transformimet në 3 shtyllat kryesore të konsolidimit të shtetit ligjor dhe demokracisë funksionale, të luftës kundër krimit dhe korrupsionit dhe natyrisht në fushën e sigurisë dhe reformave ushtarake, njohën hapat më cilësore dhe më të qartë të 23 viteve të demokracisë shqiptare. Ishin rezultatet e këtyre reformave dhe jo thjesht reformat “a la-carte”, mbështetja e fuqishme institucionale e maxhorancës por edhe vullnetit për ta bërë këtë punë me opozitën, pra me të gjithë faktorin politik dhe më të gjithë faktorët shoqërorë, që bindi aleatët tanë, që u dha argumente të mjaftueshme miqve dhe promotorëve të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, që mposhti qarqet kundërshtare, se s’mund të flasim për vende që e kundërshtuan Shqipërinë si anëtare të NATO-s, që bindi skeptikët, që provoi katërcipërisht kapacitetin dhe potencialin e një kombi të bashkuar rreth një vendimi, një objektivi, Shqipërisë në NATO” – u shpreh z. Basha.

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka kujtuar në fjalën e tij, vonesën në integrimin në BE dhe kjo pasi klima e bashkëpunimit u flijua për hir të interesave afatshkurtra politikë.

“Mësimet e NATO-s që janë edhe sot e kësaj dite shumë domethënëse dhe realiste për të gjithë ne vendimmarrësit e politikë-bërësit shqiptarë, duket se nuk u ndoqën me përparësi në rrugën e integrimit europian të vendit. Klima e nevojshme e konsensusit dhe e bashkëpunimit u flijua për hir të interesave afatshkurtra politike. Të famshmet tre ligje mbetën peng, derisa ishte tepër vonë për të fituar statusin. Nuk kërkohet më shumë se sa të tejkalojmë më të keqen e vetes, nuk kërkohet më shumë se sa të përqafojmë më të mirën e asaj që jemi dhe kemi demonstruar se jemi; konsensus politik, bashkëpunim për reformat e rëndësishme, ruajtje të standardeve të arritura dhe jo zhbërje e tyre, konsolidim i mëtejshëm i institucioneve dhe jo përpjekje për ti zaptuar apo intimiduar ato, zbatim i ligjit, respekt i panegociueshëm për shtetin ligjor, mosdënim i demokracisë funksionale, i votës së lirë, i sistemit të kontrollit dhe balancave që kushtetuta dhe sovrani ua ka bërë fare të qartë vendimmarrësve dhe politikbërësve, pavarësisht se në çfarë pozite ndodhen, në mazhorancë apo opozitë, siç e përcakton vetë sovrani me rastin e zgjedhjeve” – u shpreh kryetari i PD.  

Zoti Basha solli në vëmendje një fakt të rëndësishëm dhe jetik në arritjen e standardeve në procesin e anëtarësimit në BE, konsensusin pa kushte që opozita i ka ofruar sot mazhorancës për këtë proces, gjë që i mungoi, madje u bë pengesë në marrjen e statusit të vendit kandidat gjatë qeverisjes së PD.

“Rrugën e kemi bërë besoj si opozitë, edhe më të lehtë. Besoj se mësimin pozitiv të anëtarësimit në NATO e përkthyem në veprim me rastin e inaugurimit tonë si opozita e vendit, me rastin e inaugurimit të ish-opozitës si mazhoranca e vendit, ku vendosëm një standard të pacënueshëm për ne; zero kushte për integrimin e vendit në BE, mbështetje totale nga opozita ndaj mazhorancës, ndaj qeverisë, ndaj qytetarëve për çdo akt, masë dhe veprim që çon përpara procesin e integrimit europian të vendit. Në këtë pikëpamje, do të thosha që në kujtesën time kurrë nuk ka qenë e lehtë për anën tjetër, të kryejë me përpikmëri detyrat dhe të shtrijë dorën e bashkëpunimit, në mënyrë që në Bruksel të shkojmë së bashku, sepse në Bruksel, pavarësisht se je nisur për në selinë e NATO-s apo selinë e BE-së, mësimet e historisë na tregojnë se shkohet me opozitën dhe jo kundër opozitës, me shtetin ligjor jo kundër shtetit ligjor, me parimet demokratike, me respektin për institucionet e pavarura dhe jo kundër tyre. Jam i sigurt, se në qoftë se e bëjmë këtë, dyert do të jenë të hapura, rruga do të jetë më e shkurtër, ndonëse punë do të kemi dhe punë do të na duhet të bëjmë shumë” – deklaroi lideri opozitës.

Fjala e kryetarit të PD Lulzim Basha

Faleminderit Zonja Harxhi.

Më lejoni ta nis me një urim për ju dhe për Albanian Policy Center, për këtë organizatë të re dhe premtuese që i bashkëngjitet mozaikut të shoqërisë civile dhe elitës së mendimit dhe kërkimit shkencor shqiptar në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Me rastin e këtij aktiviteti të organizuar kaq bukur në një datë kaq domethënëse për Shqipërinë, ndoshta dhe për rajonin, si dhe aleatët tanë në NATO, uroj që kjo të jetë një paradhënie kuptimplotë e suksesit dhe punës jo vetëm të institutit tuaj por edhe të gjithë atyre që besojnë dhe ndajnë vlerat dhe parimet mbi të cilat ngrihet dhe ndërtohet aktiviteti juaj.

Së dyti, dua të falënderoj mikun tonë të nderit në këtë panel z Xhonatan Moore për praninë e tij, por njëkohësisht të shpreh kënaqësinë që 5 vjet pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, kjo datë na gjen përsëri të bashkuar në këtë sallë, shqiptarë, amerikanë, aleatë, të tjerë anëtarë të NATO-s. I
uroj një mirëseardhje të përzemërt ambasadorëve, jo vetëm anëtarëve të trupit diplomatik që përfaqësojnë aleatët tanë në NATO, por çdo ambasadori e përfaqësuesi tjetër në këtë sallë.

Sikundër dua të shpreh kënaqësinë që gjendem këtu, ku në krahun tim kam ish kryeministrin dhe ish ministrin e Mbrojtjes z Majko dhe përballë anëtarë të tjerë të maxhorancave dhe opozitave të ndryshme në një proces të gjatë por të finalizuar me sukses 5 vite më parë.

Për mua personalisht anëtarësimi në NATO, procesi i anëtarësimit, finalizimi i tij, mbart përveç ndjesisë pozitive dhe kujtimeve të shumta edhe një emocion të veçantë. Një emocion i veçantë i cili më ka shoqëruar gjatë gjithë kohës kur kam shërbyer si Ministër i jashtëm, që nga momentet e para deçizive të kthimit të situatës në favor të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Një situate e cila me thënë të drejtën nuk ishte dhe aq pozitive në fillim dhe z Mediu që ndodhet këtu në sallë e di fare mirë, se në një nga takimet e para tonat në Bruksel ish-ambasadorja e SHBA-ve në NATO Viktorja Nulant, një diplomate e shkëlqyer, që njihet tashmë botërisht për thënien troç të mendimeve dhe qëndrimeve të saj, na tha pa pikë mëdyshje në fund të 2007, se nëse do të bëhej një votim sot për anëtarësimin tuaj në NATO, zor se merrni më shumë se gjysmë vote.

E pra nga ky moment e deri tek kurorëzimi me sukses i një aspirate shumë shekullore të Shqipërisë dhe shqiptarëve për tu ribashkuar me familjen e vlerave perëndimore të lirisë, dinjitetit njerëzor, që është NATO, rrodhi shumë ujë.

Në fakt ndodhën shumë procese.

Në pasditen e datës 2 prill të vitit 2009, tek ktheheshim me delegacionin zyrtar të shtetit shqiptar, qeveritar dhe opozitar, me zonjën Leskaj në përbërje të delegacionit, teksa avioni po ulej në Rinas dhe tek shikoja jashtë dritares skenën e njohur për çdo udhëtar të linjave ajrore e të çdo ministri të Jashtëm, më përshkoi një ndjesi që mund ta them me një fjali; po kthehem në një vend tjetër. Kjo është një Shqipëri tjetër. Çka e ndava edhe me disa prej bashkudhëtarëve të mi veçanërisht me kryetarin e qeverisë shqiptare z.Berisha. Po kthehemi në një vend tjetër, pothuaj ia thamë të gjithë në njëjtin moment njëri-tjetrit.

Natyrisht ishte Shqipëria që kishim lëmë vetëm pak ditë përpara, ishte Shqipëria nga e cila ishim ndarë vetëm pak ditë përpara Samitit të Strasburgut ku u finalizua anëtarësimi në NATO, por ishte po ashtu një Shqipëri krejt tjetër. Një Shqipëri që pas shekujsh të tërë kishte lënë pas dilemat ekzistenciale, të cilat sot dhe në të ardhmen do të jenë edhe më të vështira të kuptohen apo të përthithen nga brezi i ri, falë zotit, fale përpjekjeve të kurorëzuara me sukses të këtij brezi për anëtarësimin në NATO.

Dilemat ekzistenciale mund të hasen në folklorin shqiptar, mund të hasen në prozën dhe poezinë shqiptare, të shqiptarit me pushkën si zgjatim i shtyllës kurrizore, të pushtimeve të panumërta, që nga gojëdhënat e deri nga ato të fundit të luftës së dytë botërore, të ekzistencës si makthi kryesor i kombit në çdo nivel dhe në çdo kohë, nga niveli i familjeve, i kryefamiljarëve e deri tek nivelet e krahinave, e shtetit, qeverive, që i shtyu ata të përgatiten çdo çast mbi të gjitha për të ruajtur ekzistencën e kombit që çoi deri në paranoja qesharake si ndërtimi i qindra mijëra bunkerëve.

Pra një komb i cili jo për dekada por për shekuj ishte lëkundur dhe përkundur në ankthe ekzistenciale tashmë i kishte dhënë fund këtij makthi. Njëherë e përgjithmonë.

Sepse dua të rikujtoj se 1 prilli i vitit 2009 nuk e gjeti vetëm Shqipërinë tashmë me procesin e finalizuar të anëtarësimit në NATO por e gjeti edhe Kosovën të lirë falë kontributit të NATO-s, dhe tashmë edhe të pavarur.

Ndaj një vend tjetër, një komb tjetër na priste tek ktheheshim nga samiti historik i Strasburgut. Kjo ishte ndjesia, ky ishte emocioni i cili jam i sigurt ndahet nga shumë prej nesh këtu në këtë sallë. Jam i sigurt edhe për shumë përfaqësues të vendeve lindore të ish perdes të hekurt, ky emocion nuk është i panjohur, nuk tingëllon patetik, nuk është pathos, por është i vërtetë.

Por e vërteta është pak më e thellë. Shqipëria nuk u transformua ato dy ditë. Vendi që ne gjetëm pas kthimit nga Strasburgu ishte nga shumë pikëpamje i ndryshëm por jo thjeshtë prej vendimit që u mor atje dhe ftesës dhënë një vit më parë në Samitin historik të Bukureshtit.

Fakti është se vendi kishte nisur këtë rrugë të ndryshimit dhe e kishte vazhduar me vendosmëri dhe këmbëngulje, pothuaj me kokëfortësi.

Që nga dita e parë e artikulimit të aspiratës tonë për t’ju bashkangjitur Aleancës së Atlantikut të Veriut, si kombi i parë i Europës lindore ish komuniste, deri tek vendimi për t’ju bashkangjitur si vend pionier nismës së Partneritetit për Paqe, nënshkrimit në Tiranë të kartës së Adriatikut, lançimi në kohë jo fort të lehtë as për vendimmarrjen as për buxhetin siç mund të na rrëfejë z Majko, i reformave për të transformuar forcat e armatosura, vazhdimi me konsekuencë duke ruajtur standardet e arritura dhe duke i çuar ato më para nga qeveritë pasardhëse dhe ç’është më e rëndësishmja kryerja e detyrave të shtëpisë.

Sepse shpeshherë në fiksionin popullor NATO shoqërohet me imazhe ushtarake, paisjesh, personeli, ndërhyrjesh të teknologjisë së lartë, dhe padyshim NATO është kjo forcë, është ky potencial ushtarak, por para se të jetë e tillë NATO është një aleancë politike e vendeve që ndajnë dhe adhurojnë idealet e parimet e lirisë, demokracisë, të drejtave të njeriut dhe dinjitetit njerëzor.

Ndaj anëtarësimi në aleancë, ndonëse si parakusht teknik ka padyshim kapacitetin për të ofruar siguri dhe jo konsumuar siguri si bilanc neto, është në fakt një proces shumë më domethënës reformash të gjithanshme. Reforma si ato që vendi njohu, kreu dhe përfundoi me sukses para se të meritonte ftesën dhe që vazhdoi dhe thelloi në atë periudhë domethënëse përfundimtare midis marrjes së ftesës dhe anëtarësimit të plotë.

Një periudhë reformash do të thoja që bënë të mundur jetësimin e një vullneti politik të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga administrata amerikane, nga ajo e presidentit Xhorxh Ë Bush dhe e vizionit të tij për zgjerimin e NATO-s, siç i thashë me shaka gjatë takimit tonë në Bukuresht, anëtarësimi i më shumë vende të reja në NATO se sa shenjtërimi i shenjtëve nga Papa Gjon Pali i Dytë, por edhe vizioni dhe vendosmëria e Presidentit Obama dhe administratës së tij, për ta përmbyllur procesin e zgjerimit të krahun jugor të NATO-s.

Dhe për të shikuar para drejt konsolidimit të vlerave të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Por vullneti do të ishte i pamjaftueshëm nëse nuk do të shoqërohej me një punë të madhe e detajuar reformash të gjithanshme nga vendet aspirante. Dhe Shqipëria iu përvesh kësaj pune me seriozitet të madh. Në këtë periudhë kohore, transformimet në 3 shtyllat kryesore të konsolidimit të shtetit ligjor dhe demokracisë funksionale, të luftës kundër krimit dhe korrupsionit, dhe natyrisht në fushën e siguris
ë dhe reformave ushtarake, njohën hapat më cilësore dhe më të qarta të 23 viteve të të demokracisë shqiptare. Ishin rezultatet e këtyre reformave dhe jo thjeshtë reformat alla-kartë, mbështetja e fuqishme institucionale e maxhorancës por edhe e vullnetit për ta bërë këtë punë me opozitën, pra me të gjithë faktorin politik dhe më të gjithë faktorët shoqërorë që bindi aleatët tanë, që u dha argumente të mjaftueshme miqve dhe promotorëve të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Që mposhti qarqet kundërshtare se s’mund të flasim për vende që e kundërshtuan Shqipërinë si anëtare të NATO-s, që bindi skeptikët që provoi katërcipërisht kapacitetin dhe potencialin e një kombi të bashkuar rreth një vendimi, një objektivi; Shqipërisë në NATO.

Ndaj Shqipëria me 2 prill 2009 ishte një vend tjetër, por kishte nisur të bëhej një vend tjetër vite më parë kur shteti ligjor u konsolidua, kur parimet e demokracisë funksionale u forcuan, kur lufta kundër krimit dhe korrupsionit njohu hope cilësore dhe të qëndrueshme, kur institucionet demokratike u konsoliduan në përputhje të plotë me kornizën ligjore dhe kushtetuese të vendit.

Pra, falë këtyre reformave vendi ndryshoi dhe u transformua. Si u transformua? Nuk ishte thjesht vula e NATO-s. Nuk ishte thjesht fakti që tashmë flamuri i Aleancës valëvitej jo si një aspiratë por si një e drejtë legjitime e një flamur-mbajtësi të ri, por falë këtyre reformave, falë këtyre transformimeve shqiptarët nisën të korrin frytet.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO varrosi përgjithmonë shqetësimet ekzistenciale të Shqipërisë. E ktheu vendin njëherë e përgjithmonë në një nga vendet e sigurta të Evropës. Bëri të mundur që shqiptarët të gëzojnë së bashku me anëtarësimin në NATO, edhe logon, brandin e të qënurit anëtarë të Aleancës, pra një imazh dhe reputacion të përmirësuar në raport me çdo faktor tjetër.

Në veçanti me faktorët ekonomikë, me investitorët e huaj, me vendet e huaja, me turistët e huaj. Kjo koinçidoi edhe në një periudhë ku kriza financiare globale kishte filluar intesifikimin dhe pasojat e saj u ndjenë në shumicën e vendeve anëtare të NATO-s, por tek ne pati një intensifikim të investimeve të huaja, një intesifikim të rritjes ekonomike, të eksporteve, të krijimit të vendeve të punës, të rritjes progresive të mirëqenies, të standardit të jetës.

Dhe në fund të fundit, nga kjo pikëpamje, ndonëse anëtarësimi në NATO në vetvete ka domethënien më simbolike nga çdo arritje tjetër e Shqipërisë, çdo arritje tjetër, nuk do të jetë fare e lehtë në mënyrë të menjëhershme e përkthyer në avantazh.

 

Heqja e vizave do të thotë, shqiptarët të lëvizin pa viza në zonën Shengen dhe shumëkush mund të thotë se kjo ishte më e prekshme dhe më e mirë se sa ajo puna e NATO-s, por nuk është kështu. Jo vetëm për faktin se heqja e vizave dhe përparimi në rrugën e integrimit europian u bë e mundur pas anëtarësimit në NATO, që është një çertifikatë për reformat e ngjashme apo identike me ato që u kërkuan, si për heqjen e vizave, ashtu dhe për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, por edhe për faktin se anëtarësimi në NATO i shtriu efektet e veta pozitive në çdo familje dhe vatër shqiptare.

Ndaj, emocionin e asaj nate nuk e përjetoj thjesht si një moment poetik në shpirtin tim, por gjithmonë e më shumë si një moment rivendikimi të reformave të guximshme dhe për t’i kryer ato në një ambient konsensual dhe bashkëpunimi e dialogu politik me të gjithë aktorët politikë.

I them të gjitha këto sepse, ndonëse sot krenohemi me këtë moment, ndonëse puna për të justifikuar praninë dhe statusin tonë si anëtarë të NATO-s, nuk ndalon asnjëherë, të tjera sfida na presin përpara. Vendi është i vonuar në rrugën e integrimit europian. 5 vite kanë kaluar që nga anëtarësimi në NATO, Shqipëria duhej ta kishte përmbyllur fazën e statusit, Shqipëria duhej të kishte nisur negociatat e anëtarësimit. Shqipëria duhej të ishte sot shumë më përpara në rrugën e integrimit europian.

Mësimet e NATO-s që janë edhe sot e kësaj dite shumë domethënëse dhe realiste për të gjithë ne vendimmarrësit e politikë-bërësit shqiptarë, duket se nuk u ndoqën me përparësi në rrugën e integrimit europian të vendit. Klima e nevojshme e konsensusit dhe e bashkëpunimit u flijua për hir të interesave afatshkurtra politike. Të famshmet tre ligje mbetën peng derisa ishte tepër vonë për të fituar statusin. Dhe natyrisht, ndërveprimi me Bashkimin Europian është në shumë pikëpamje edhe më shumë kompleks se sa ai me Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Vullneti dhe qëndrueshmëria e reformave që duhet demonstruar para tyre, duhet të jenë shumë të qarta dhe të shtrira në kohë. Ndaj sot unë them se duke ndarë me të gjithë në këtë sallë pavarësisht prej përkatësisë politike, krenarinë dhe kënaqësinë e të përmbyllurit me sukses e procesit të anëtarësimit të vendit në NATO, duhet të ndajmë përgjegjësinë dhe pse jo sensin autokritik për atë ç’ka nuk kemi bërë për të ecur përpara drejt integrimit europian të vendit. Duke përmbyllur së pari, fazën e statusit. Nuk kërkohet më shumë se sa të tejkalojmë më të keqen e vetes, nuk kërkohet më shumë se sa të përqafojmë më të mirën e asaj që jemi dhe kemi demonstruar se jemi.

Konsensus politik, bashkëpunim për reformat e rëndësishme, ruajtje të standardeve të arritura dhe jo zhbërje e tyre, konsolidim i mëtejshëm i institucioneve dhe jo përpjekje për ti zaptuar apo intimiduar ato. Zbatim i ligjit, respekt i panegociueshëm për shtetin ligjor, mosdënim i demokracisë funksionale, i votës së lirë, i sistemit të kontrollit dhe balanceve, që Kushtetuta dhe sovrani ia ka bërë fare të qartë vendimmarrësve dhe politikbërësve, pavarësisht se çfarë pozite ndodhen, në mazhorancë apo opozitë, siç e përcakton vetë sovrani me rastin e zgjedhjeve.

Ndaj në këtë kuadër rruga është fare e qartë. Rrugën e kemi bërë besoj si opozitë edhe më të lehtë. Besoj se mësimin pozitiv të anëtarësimit në NATO e përkthyem në veprim me rastin e inaugurimit tonë si opozita e vendit, me rastin e inaugurimit të ish-opozitës si mazhoranca e vendit ku vendosëm një standard të pacenueshëm për ne. Zero kushte për integrimin e vendit në BE. Mbështetje totale nga opozita ndaj mazhorancës, ndaj qeverisë, ndaj qytetarëve për çdo akt, masë dhe veprim që çon përpara procesin e integrimit europian të vendit. Në këtë pikëpamje do të thoja që në kujtesën time kurrë nuk ka qenë e lehtë për anën tjetër të kryejë me përpikmëri detyrat dhe të shtrijë dorën e bashkëpunimit në mënyrë që në Bruksel të shkojmë së bashku. Sepse në Bruksel, pavarësisht se je nisur për në selinë e NATO-s, apo selinë e BE-së, mësimet e historisë na tregojnë se shkohet me opozitën dhe jo kundër opozitës, me shtetin ligjor jo kundër shtetit ligjor, me parimet demokratike, me respektin për institucionet e pavarura dhe jo kundër tyre. Dhe jam i sigurt, se në qoftë se e bëjmë këtë dyert do të jenë të hapura, rruga do të jetë më e shkurtër ndonëse punë do të kemi dhe punë do të na duhet të bëjmë shumë.

Shpresoj që këto refleksione në këtë ditë të veçantë të kujtimeve pozitive dhe krenarisë së ligjshme për atë çka arritëm pesë vite më parë, të s
hërbejnë për t’u mbledhur në këtë sallë, pse jo vitin tjetër, apo katër vite më vonë, apo pesë vite më vonë, dhe për t’u ndjerë përsëri jo të turpëruar, as të kompleksuar, e as në gjendjen permanente të debatit me tensione dhe intensitete të larta emocionale, por të kënaqur gjithsecili për pozitat e veta, për meritat e veta që i kemi dhënë Shqipërisë, atë që Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë, një rrugëtim më të shpejtë, reforma më domethënëse, demokraci më të konsoliduar, shtet ligjor funksional, një Shqipëri në Europë.