Të nderuar deputetë,

Me gjithë përpjekjet  e mëdha të qeverisë për t’i ikur transparencës parlamentare, problemi madhor dhe shumë shqetësues i përdorimit të aseteve logjistike të Forcave të Armatosura për trafikimin e lëndëve narkotike njohu  javën e kaluar zhvillimin e parë pozitiv në rrugën e  zbardhjes së pashmangshme.

Pyetja jonë e parë dhe këmbëngulëse drejtuar zotit Kryeministër dhe zonjës ministre të Mbrojtjes “a keni ju informacion për këtë çeshtje” mori përgjigje, natyrisht jo prej tyre,  gjatë zhvillimit të seancës parlamentare.

Shqiptarët e interesuar panë me sy e dëgjuan me veshë se:

e para,  maxhoranca ka informacion për këtë çështje

e dyta, maxhoranca ka të paktën të njëjtin informacion të burimeve zyrtare që  ka edhe opozita.

Shqiptarëve, që në këtë rast, për shkak të natyrës së pashembullt të skandalit janë e duhet të jenë të gjithë në këmbë për të mësuar të vërtetën, u ka bërë përshtypje pa dyshim fakti që krerët e qeverisë, për  disa ditë me radhë refuzuan  transparencën duke e akuzuar opozitën se po  shpifte,  por më  në fund, falë ngulmimit dhe argumenteve  tona, u detyruan të pranojnë se janë në dijeni të aferës.

Nuk është hera e parë dhe kam frikë se nuk do të jetë e fundit që kjo qeveri tregon se është në armiqësi me të dyja shtyllat e qeverisjes së mirë, transparencën dhe përgjegjësinë.

Ne si opozitë e kemi të qartë se detyra jonë për të nxitur  transparencën e kësaj qeverie që kemi përballë kërkon shumëfishin  e energjive të zakonshme, por ne jemi përgatitur për këtë dhe nuk bëjmë asnjë hap prapa. Sepse transparenca është  jo vetëm një vlerë, jo vetëm një detyrim, por edhe  një e drejtë themelore e qytetarëve në demokraci.

Tani beteja jonë jetike për transparencën e trafikut të lëndëve narkotike do të vazhdojë nga një stad i ri, ai i njohjes së fenomenit edhe nga qeveria, dhe do të hedhë hapin tjetër, atë të njohjes me qëndrimin e mbajtur nga kjo qeveri për verifikimin e informacioneve dhe për masat e marra.

Për ketë arsye deputetët tanë e kanë thirrur prapë në Komisionin  e Sigurisë ministren Kodheli, për ta pyetur e për të diskutuar, për qëndrimin e mbajtur ndaj informacioneve për trafikim të lëndëve narkotike  duke shfrytëzuar  asete  logjistike  të Forcave të Armatosura.

A është injoruar ky informacion? A është verifikuar dhe ka rezultuar i pabazuar? Ka rezultuar  i bazuar dhe çfarë masash janë marrë? Këto kërkon të dijë opozita dhe përmes saj, qytetarët shqiptarë.

Pyetja i drejtohet kryeministrit gjithashtu, që qëndron prapa kësaj afere, herë si regjisori i  heshtjes, herë si regjisori i dëshirës për ta shndërruar atë  në komedi, herë si regjisori i zhurmimit të saj, një metodë e njohur për të shmangur vëmendjen nga skandali, duke e trajtuar opinionin publik gjindje të pashkollë.

Kryeministri, ngado që të sillet e sido që të përdridhet,  nuk i ikën dot detyrimit para ligjit të Kuvendit dhe para publikut për të shpjeguar se çfarë ka bërë me informacionin që normalisht duhet t’i ngrinte mornica, çfarë ka bërë me informacionet  e tjera nga policia për të njëjtën çështje, çfarë ka bërë me informacionet dhe shqetësimet e ngritura edhe nga partnerët tanë ndërkombëtare në lidhje me intensifikimin e trafikut të drogës dhe lëndëve narkotike nga territori shqiptar.

Një përgjigje, më të gabuarën në këtë moment, e ka dhënë  me komisionin hetimor që ka paralajmëruar të ngrejë. Të enjten e kaluar u munduan të silleshin si gaztorë. Këtë të enjte kanë paralajmëruar të sillen si të shkalluar. Objekti  i hetimit që ka shpallur zoti Rama  ka çuditur e po çudit  shqiptarët dhe miqtë e tyre ndërkombëtarë.

Duan të hetojnë pse e tha ai që e pa, pse nuk mbyllën sytë specialistët dhe punonjësit e ndërgjegjshëm  të shërbimeve të brendshme në ushtri apo në policinë e shtetit. Pra pse e panë.

Duan t’u japin një mësim, mësimin e heshtjes këtyre punonjësve dhe përmes tyre edhe drejtësisë.

Ky është një qëndrim që mund ta mbajë vetëm dikush që ka mizën nën kësule, dikush që është pjesë e kësaj afere. Le të tentojnë të hetojnë, gjoja  në emër të motiveve, pse janë shkruar e pse janë dërguar këto informacione. Kështu po duan të marrin rolin e prokurorëve politikë të kohës së komunizmit për të hetuar fjalën dhe parlamentarizmin, nuk u mbetet tjetër veçse të propozojnë edhe rikthimin e nenit famëkeq 55 të agjitacionit dhe propagandës!

Këta mjeranë duhet ta dinë se Shqipëria është demokraci. Nuk trembin njeri  me kërcënimet e tyre. Opozitën jo se jo. Oficerët e ndërgjegjshëm e patriotë do të vazhdojnë punën e tyre. Drejtësia do ta thotë fjalën e saj përfundimtare dhe ne e inkurajojmë në ketë mision. Opozita do të qëndrojë fort.

Dua tua bëjmë të qartë sërish nga kjo sallë: nuk tërhiqemi  për asnjë arsye dhe me asnjë çmim nga kërkesa për transparencë në Kuvend. Kjo e trafikut të lëndëve narkotike është për ne, për qytetarët, për vendin, për demokracinë një çështje jetike që ka të bëjë  me  kapjen  ose jo të qeverisjes nga krimi i organizuar.

Ky nuk është një problem që e krijuam ne. Ky problem ka lindur nga informacionet zyrtare që posedojmë ne dhe qeveria. Ujkun nuk e krijuam ne. Ne kemi dhënë alarmin dhe nuk ndalemi derisa të qartësohet i madh e i vogël për të vërtetën.

Kundërshtarët  tanë  lodhen kot me propagandën e tyre të dalë boje sikur ne po dëmtojnë imazhin e forcave të armatosura. Ne nuk kemi akuzuar e nuk kërkojmë përgjigje nga forcat e armatosura,  për dinjitetin e lartë të të cilave kemi bërë detyrën tonë përmes anëtarësimit të vendit në NATO, ta lartësojmë.

Kërkojmë  përgjigje në adresë të  drejtimit politik, autoritetit politik të Forcave të Armatosura, që është qeveria.

Nuk po vëmë njolla, por po luftojmë të heqim njollat që sipas informacioneve që kemi  të dyja palët,  kanë lënë aty trafikantët e lëndëve narkotike.

Java e kaluar, të nderuar deputetë, shënoi një kundërzhvillim dramatik në lidhje integrimin evropian të vendit, rezolutën e përbashkët te Komitetit te SA.

Pas një heshtje tre-javore të shumicës, më në fund para dy fundjavash pala qeveritare pranoi të angazhohej dhe të punonte me përfaqësuesit tanë për reflektimin e amendamenteve që kishim paraqitur në Strasburg. Dhe pala jonë lëshoi si në kërkesa, ashtu edhe në formulime siç është e udhës në çdo negociatë për një dokument konsensual. Kur gjithçka ishte bërë gati për tu nënshkruar, zoti Rama me të tijtë bënë një prapakthehu të beftë duke rikthyer negociatat në fazat fillestare.

Në dy komunikime publike për këtë kundërzhvillim, përfaqësuesit tanë paraqiten fakte të pakundërshtueshme  që provojnë publikisht se ishim ne që u  investuam  deri në fund për konsensusin dhe ishte pala qeveritare ajo që i futi shkelmin në fund.

Amendamentet tona synonin impenjim politik dypalësh: të mos zhbëheshin standardet dhe arritjet konsensuale në vend; të punonim me konsensus për reformat që burojnë nga pesë prioritetet  e caktuara nga Bashkimi Europian.  Të forconim shtetin ligjor dhe institucionet e pavarura.

Pala qeveritare e pranoi parimin, mori pjesë në formulimin e këtij amendamenti themelor për ne por u kthye nga rruga në çastin e fundit. Zhvillimet e javës që lamë prapa shpjegojnë më së miri arsyet për këtë qëndrim të dyshes Rama-Meta.

E prishën sepse amendamenti, për rrjedhim  Rezoluta, nuk përputhej me agjendën e ngarkuar të zhbërjeve dhe sulmeve që ka shpalosur e po shpalos shumica Rama-Meta për të uzurpuar institucionet e pavarura.

Pasi uzurpuan në mënyrë të paligjshme kreun e ILDKP-së, tashmë po përpiqen ta legalizojnë kapjen politike të këtij institucioni, duke vënë tërësish nën kontroll procedurën e emërimit.

Mazhoranca po i merr Presidentit të Republikës të drejtën e propozimit të kandidaturave për kreun e ILDKP-së.

Emërimi i kreut të ILDKP-së nga Kuvendi me propozim të Presidentit është një mekanizëm kontrolli dhe balance që garanton pavarësinë e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.

Me heqjen e kompetencës së Presidentit, dyshja Rama-Meta zhbën përfundimisht pavarësinë e ILDKP-së e fut atë nën kontrollin e kësaj dysheje, dhe misioni antikorrupsion i ILDKP-së kthehet vetëm në një farsë të turpshme.

Mazhoranca po përgatit heqjen e kompetencave të  Presidentit  si Komandant i Përgjithshëm.

Mazhoranca ka goditur de facto kompetencën e propozimit nga ana e Presidentit  te kandidaturave për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë duke i rrëzuar ato vetëm politikisht, pa asnjë arsye dhe motivim ligjor.

Dyshja Rama-Meta po përgatitet të zbarkojë njëanshmërisht  në manipulimin elektoral dhe politik të hartës administrative territoriale të vendit.

Dyshja Rama-Meta ka rifutur në programin e Kuvendit ndryshimet e njëanshme anti-reformë të ligjit të Nëpunësit Civil me qëllim legalizimin e antikushtetuetshmërisë.

Ky revansh po zhbën vetë themelin e republikës parlamentare duke dashur ta zëvendësojë atë me republikën e oligarkisë Rama-Meta.

Dhe për këtë qëllim çdo angazhim formal për të forcuar shtetin ligjor dhe institucionet e pavarura është një pengesë sado formale.

Tani kushdo e ka të lehtë të kuptojë qartë arsyen pse i futën shkelmin rezolutës.

Midis statusit në një anë dhe etjes për kapjen dhe kontrollin e institucioneve të pavarura në anën tjetër, kanë zgjedhur këtë të dytën.

Mes Europës për  shqiptarët dhe pushtetit oligarkik për vete ata kanë zgjedhur këtë të fundit.  Mes interesit publik kombëtar dhe interesit vetjak antipopullor, kanë zgjedhur vetjakun.

Ndaj e hodhën në kosh rezolutën.

Ky është një moment shumë i rrezikshëm për fatin e demokracisë në vend. Ne jemi në këmbë e do të jemi në këmbë. “Shqipëria në protestë” është gati të bëhet “Shqipëria në revoltë” kundër kërcënimit  të demokracisë nga oligarkia Rama-Meta.

Ekonomia mbetet pasqyra e pamëshirshme e qeverisjes se keqe. Ka  gjera  të pamatshme më të cilat qeverisja propagandistike e regjisë qendrore mund të spekulojë. Por ekonomia nuk të lejon të gënjesh pa marrë damkën e gënjeshtarit, xhepi i qytetarit nuk të lejon, tryeza e familjes shqiptare nuk të lejon, konsumi në rënie nuk të lejon, papunësia nuk të lejon, investimet e munguara nuk të lejojnë.

Të dhënat  e kreditimit, që janë të dhëna të pamanipulueshme, pasi nuk dalin nga  zyrat dhe  bishtat e qeverisë,  flasin shume qartë  për trendin e përkeqësimit  konstant.

Kreditimi total i ekonomisë shqiptare për muajin shkurt 2014 rezulton  1.97% më i ulët sesa kreditimi i muajit shkurt 2013.

Kreditimi për biznesin është ulur akoma edhe më shumë. Në muajin shkurt 2014 është 3.21% më i ulet sesa shkurt 2013, ku ulja në janar ishte në masën 1.4% Pra në shkurt 2014 kemi një ritëm uljeje dy herë më të lartë krahasuar me janarin e janarin 2014.

Ky nivel në ulje i kreditimit është shqetësues veçanërisht duke pasur parasysh që Banka e Shqipërisë ka bërë disa ulje të njëpasnjëshme gjatë muajve të fundit të qeverisjes së majtë të normës bazë së interesit me nivelin aktual prej 2.75%, nivel i vendosur që nga mesi i muajit shkurt 2014 dhe i mbajtur i pandryshuar deri më sot.

Në kontrast me këto shifra të pakundërshtueshme, qeveria është kujdesur të publikojë përmes ISTAT-it të vet, tashmë tërësisht nën kontroll politik, një të dhënë qartazi kontradiktore për punësimin sikur papunësia nga 16,9 pë rqind që ishte në muajin janar ka zbritur në 13, 5 për qind në muajin mars. Pra qenka ulur në një muaj me 3,4 për qind.

Praktikisht i bie që qeveria me politikat e saj paska punësuar rreth 46 mijë vetë në 90 ditë. Në fakt,  po të mbajmë parasysh faktin se kur  ishim ne në pushtet  këta që janë sot në qeveri pretendonin se vendi kishte një milion të papunë, i bie  të kenë punësuar mbi një milion gjatë kësaj periudhe.

Ashtu siç gënjenin atëherë, gënjejnë edhe tani që kanë INSTAT-in vegël të tyre.  Qeveria do të bënte mirë të na tregonte se ku janë punësuar këta 46 mijë persona. Në çfarë sektorësh. Por nuk e thotë dot sepse 46 mijë persona janë punësuar vetëm në letrat  e komunikatave të shtypit.

Kreditimi bie,  punësimi rritet. Këto të dhëna nuk rrinë dot bashkë. Kuptohet mjaft mirë që këtu kemi të bëjmë me mashtrime nga ana e INSTAT, mashtrim i dyfishtë, si kur deshën ta tregonin papunësinë  me të madhe se sa ishte realisht, ashtu dhe tani që duan ta tregojnë më të vogël se sa është.

Në të dyja rastet ka predominuar motivi  politik, por kjo është një rrugë pa krye  në ekonomi dhe politika ekonomike.

Rruga që po ndjek qeveria Rama-Meta  është rruga e gremisjes ekonomike të vendit. Është rruga e pasigurisë totale për të nesërmen. Është rruga e mbylljes së perspektivës dhe groposjes së shpresës për një të nesërme më të mirë për çdo shqiptar.

Shqiptarëve nuk i duhet kjo rrugë. Duhet një tjetër rrugë për Shqipërinë. Dhe ne opozita e vendit kemi detyrën dhe misionin ta shmangim Shqipërinë nga rruga e katastrofës ekonomike ku po e çon dyshja Rama-Meta. Dhe ti japim vendit bashkë me shqiptarët alternativën e shpresës për një ekonomi të fortë dhe një të ardhme të sigurt.


Fjala e kryetarit të PD, Lulzim Basha, në mbledhjen e parë të Kryesisë së re, 21 Prill 2014