Të nderuar deputetë,

Ngjarjet e rënda po bëhen për fat të keq rutinë e jetës së përditshme shqiptare, por këto të ditëve të fundit janë tronditëse për ndërgjegjen njerëzore të çdo qytetari. Ato përfaqësojnë më mënyrë më emblematike stadin e avancuar të sëmundjen të kohës që jetojmë, që është keqqeverisja.

Një grua 52 vjeçare nga Korça, Brunilda Meka, ekonomiste në profesion, ish punonjëse në drejtorinë rajonale të Sigurimeve Shoqërore, i dha fund jetës duke lënë një letër lamtumirë për familjen e saj, në fakt për mbarë opinionin publik, në të cilën përmblodhi në një fjali tragjedinë e saj. “Më morën në qafë me atë që bënë”.

Tani gjithë shqiptarët e dinë se çfarë i ndodhi Brunildës, e dinë kush e mori në qafë dhe si e morën në qafë, derisa e çuan drejt vendimit ekstrem.

Ajo është viktima e drejtpërdrejtë e sistemit cinik e të pashpirt të raprezaljes kundër nëpunësve civile dhe administratës publike, që  vuri në zbatim që kur erdhi në pushtet dyshja Rama-Meta dhe po mundohet me të  gjitha forcat dhe marifetet e mundshme ta mbajë në këmbë si gijotinën e fundit në Europën demokratike.

Zullumi këputet kur trashet, thotë populli. Këputet në hallkën e dobësisë dhe pafuqisë njerëzore përballë arbitraritetit të pushtetit. Brunilda nuk e përballoi dot fyerjen, poshtërimin, talljen me formimin e saj, me karrierën e saj , pse jo me moshën e saj; nuk gjeti forca të rezistonte, nuk pa më dritë në fund të tunelit. Do të kishim dashur të mos e bënte atë që bëri, do të kishim dashur të vazhdonte luftën e saj bashkë me mijëra e mijëra të tjerë që janë hequr përdhunshëm nga puna. Por tragjedia është e pakthyeshme dhe akuza në adresë të shkaktarëve është e rreptë. Prokuroria ka barrën të zbardhë  përgjegjësinë  penale të atyre që e çuan një shtetase, nënë dhe bashkëshorte,  drejt vetëflijimit. Përtej fjalës që do të thotë  drejtësia për një rast si ky,  ky akt   rëndon e duhet të rëndojë në ndërgjegjen e atyre që i vranë  dinjitetin dhe shpresën.

Ka njerëz, ka burra dhe gra me mijëra e mijëra, që nuk kanë pasuri më të madhe apo nuk kanë pasuri tjetër veç dinjitetit. Dinjiteti është pasuria që barazon dikë që ka shumë në kuptimin materialist të fjalës me dikë që ka më pak, pak ose fare. Dinjiteti është  siguria juridike për të jetuar i lirë, e drejta për të patur një punë që nuk mund të ta marrin nëpër kembë,  mundësia për të nxjerrë jetën me aftësitë  dhe djersën tënde pa qenë  nevoja të tjetërsohesh si njeri, si burrë, si grua.

Këtë pasuri, dinjitetin e njerëzve, ka vënë në shënjestër, ka goditur dhe godet pa mëshirë, në mënyrën me të pashpirt, qeveria Rama-Meta me raprezaljen famëkeqe në administratën publike, me gardianët dhe gardianet politike që kanë vendosur kudo për të vënë në zbatim këtë gjueti të zezë.

Raprezalja e tyre, të cilën kanë dashur e duan ta shesin si reformë,  ka qenë dhe është: hiq burra dhe gra, të rinj dhe të  reja me dekada përvojë, hiq profesionistë dhe vë individë me precedentë penalë; hiq të shkolluar me diploma të rregullta dhe vendos matrapazë pa arsim, me diploma të blera.

Raprezalja e tyre ka qenë dhe është degradimi më i madh që u është bërë administratës dhe funksioneve publike në gjithë historinë e shtetit shqiptar.

Ne i kemi luftuar dhe nuk do të reshtim në këtë rrugë.

U kemi demaskuar me forcën e argumentit dhe ligjit aktin e tyre normativ famëkeq për nëpunësin civil, që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në bazë të  padisë sonë.

Kemi kundërshtuar dhe kundërshtojmë me forcë projektligjin e tyre të ri të Nëpunësit Civil, përmes të cilit duan të bëjnë tabula rasa në administratë.

Kemi denoncuar në vijimësi shkarkimet dhe largimet e paligjshme.

Kemi denoncuar e vazhdojmë të denoncojmë emërimet e paligjshme deri kriminale në poste publike kyçe.

Jemi në luftë dhëmb për dhëmb me ta në mbrojte të ligjit, Kushtetutës,  konsensusit.

Jemi në mbrojtje të  një vlerë  të veçantë që është rasti ta nënvizoj sot: të dinjitetet të njeriut që vlen me shumë se gjithçka tjetër. Disa herë në këtë sallë dhe në foltore të tjera, kemi dhënë alarmin se raprezalja e verbër Rama-Meta po bën një gjë që nuk e ka bërë askush para tyre, në asnjë qeveri, në asnjë regjim: po heq nga puna gra të moshës së mesme, me shkollim të rregullt, me dhjetë, pesëmbëdhjetë apo njëzet vjet karrierë, për të hapur vende për klientelën e tyre, për të shpërblyer klientelën e tyre, për tju kthyer borxhin atyre që  kanë blerë vota për llogari të tyre, për t’ua shitur atyre që  paguajnë në dorë.

Ky është sistemi i mbyllur që çoi drejt vetëvrasjes Brunildën. Kjo është raprezalja e shurdhër, e verbër, që  nuk sheh fate njerëzish përpara, por vetëm interesa dhe pazare.

Ne i kemi bërë disa akuza raprezaljes prej hordhie pushtuese të kësaj qeverie në administratë.

Sot e akuzojmë si kriminale me plot gojën dhe me plot kuptimin e fjalës.

E akuzojmë si kriminale bashkë me letrën e lamtumirës që ka lënë  Brunilda, bashkë me familjarët e saj që kanë humbur njeriun e tyre të shtrenjtë,  bashkë me administratën publike të vendit që ka humbur një pjesëtare të saj të devotshme, bashkë me gjithë të larguarit nga puna në mënyrë të paligjshme që sot janë akoma më të zemëruar dhe akoma më të vendosur në betejën e tyre për të drejtën,  bashkë  me burrat dhe gratë e Shqipërisë.

Kjo nuk është politike me vdekjen, siç u dëgjua të thoshte një zonjë që thotë se është  deputete e Korçës, por e Korçës nuk ka se si të jetë me gënjeshtrat që nxori nga goja për këtë rast kaq të dhimbshëm. Shpresojmë të ketë lexuar letrën që la e ndjera, të ketë dëgjuar fjalët e bashkëshortit të së  ndjerës.

E përsëris: ne nuk bëjmë politikë me vdekjen, por ne denoncojmë me forcë pasojat e një politike që po mbjell vetëm stres, dramë, vuajtje, përkeqësim, mjerim dhe së fundi edhe vdekje.

I kërkojmë sërish qeverisë të tërheqë  projektligjin e ri të nëpunësit civil, të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe vendimet e gjykatave të tjera të vendit për kthimin në punë të gjithë nëpunësve civilë të shkarkuar në mënyrë të paligjshme.

Ju drejtojmë një thirrje të veçantë  të shkarkuarve dhe shoqatës së tyre për të mos reshtur së kërkuari të drejtat në rrugë demokratike, për të mos u dorëzuar e shkurajuar, për të mos humbur për asnjë çast solidaritetin, besimin dhe shpresën në kthimin e së drejtës.

Arroganca e qeverisë është e madhe, por ligji është më i fortë, ne jemi më të fortë.

Ngjarja e dytë tronditëse, e një natyre tjetër, ku do të vazhdojmë të fokusohemi gjatë javës dhe në ditët në vazhdim, ka të bëjë me përdorimin e infrastrukturës së ushtrisë për të bërë trafik të lëndëve narkotike.

Ky është një denoncim që ne e kemi bërë publik dhe po publikisht i kemi kërkuar e vazhdojmë t’i kërkojmë zonjës ministre të Mbrojtjes të deklarojë dijeninë apo mosdijeninë e saj për skandalin.

Nuk ka bërë as njërën, as tjetrën. Në fakt, duke mos bërë asnjërën, ka deklaruar vetvetiu dijeninë  e saj, sepse padijenia është një gjë që mund të deklarohet pa asnjë pasojë kur është e vërtetë.

Mund ta marrim me mend se zonja Kodheli është në vështirësi. Por detyra e lartë që ka marrë përsipër të kryejë e ka këtë përgjegjësi para vendit, para qytetarëve, para NATO-s ku Shqipëria bën pjesë me ushtrinë e saj.

Rrethanat rëndohen edhe më shumë nga deklarata e papërgjegjshme që sapo dëgjuam në Komisionin e Sigurisë Kombëtare ku tashmë Ministri i Brendshëm i pyetur nëse ka dijeni për përdorimin e infrastrukturës ushtarake shqiptare për transport droge, u përgjigj; nuk ka ardhur të flas për ajrin por kam ardhur të flas për detin.

Sërish i drejtohem kryeministrit Rama dhe ministres së tij të Mbrojtjes: Keni apo jo dijeni ju për përdorimin e strukturave të ushtrisë për transportin e lëndëve narkotike?

Prokuroria dhe drejtësia do të bëjnë punën e tyre, pa dyshim, por në këtë moment, për shkak të rëndesës që paraqet, problemi ka nevojë të trajtohet me urgjencë nga Kuvendi dhe institucionet e tjera të shtetit; transparenca nga ana e qeverisë është e domosdoshme, marrja e masave për ndalimin dhe nxjerrjen në dritë  të skandalit bashkë me autorët e tij është një imperativ për të  hequr njollën e për të shpëtuar imazhin e ushtrisë si pjesë përbërëse e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Opozita, opinioni publik, vetë Partia Socialiste dhe anëtarët e saj,  nuk mund të  pajtohen me komprometimin dhe abuzimin në këtë shkallë sipërore me një arritje historike të Shqipërisë, siç është hyrja ne NATO, komprometim që është i sigurtë nëse vërtetohet Përdorimi i infrastrukturës së mbrojtjes për punë të pista,  siç mund ta bëjnë vetëm qeveri narkotrafikantësh, vetëm qeveritë e Medelinit.

Skandali i tretë, për të cilin është folur e diskutuar shumë, është mesazhi në celularin e ministrit të brendshëm mbi dështimin e plotë në vendosjen e rendit publik prej tij dhe qeverisë së tij.

Sipas informacioneve dhe siç duket qartë nga shumë elementë, mesazhin ia ka dërguar kryeministri. Por për ne kjo nuk është thelbësore në raport me përmbajtjen e mesazhit, të cilin ministri u detyrua ta pranojë si të vërtetë.

Problematika komplekse që hapi ky lloj komunikimi në kupolën e qeverisë dhe rendit, normalisht ka tërhequr e po trajtohet në mënyra të ndryshme nga shumë aktorë dhe faktorë mediatikë. Liria e shprehjes dhe opinionit është një vlerë e shenjtë për botëkuptimin tonë.

Tre gjëra dëshiroj të nënvizoj në këtë moment, duke e lenë debatin të zhvillohet lirisht.

E para, opozita merr informacione që zyrtarët e qeverisë i qarkullojnë mes njeri tjetrit apo i postojnë në funksion të lojërave të tyre politike të brendshme, por opozita as nuk përgjon, as do të përgjojë njeri, sepse përgjimi është i përjashtuar parimisht si burim informimi nga ne.

E dyta, ashtu si opozita nuk e ka siguruar e nuk do ta siguronte kurrë,  me asnjë  formë përgjimi nga ana e saj informacionin, ky mesazh dhe përmbajtja e tij tregojnë fare qartë se çfarë është problem. Problem është përmbajtja dhe jo se kush e çoi dhe kush e mori.

E treta, mesazhi, i shkruar dhe i dërguar nga Rama, apo i shkruar dhe i dërguar nga Tahiri tregon se kryeministri dhe ministri e njohin fare mirë  realitetin e zymtë të dështimeve dhe përkeqësimit tronditës të gjendjes në rendin publik, por e fshehin këtë realitet,  e paraqesin me ngjyra rozë përmes qeverisjes së tyre propagandistike të mbështetur në gënjeshtrën dhe mashtrimin.

Përmes mesazhit, ata janë kapur e dorëzuar publikisht si gënjeshtarë dhe mashtrues të dorës së parë.

Çfarë do të bëjnë pas kësaj? Opozita dhe opinioni publik presin gjestin dhe aktin normal që bën në raste të tilla një mashtrues që kapet me presh në  dorë.

Ata mund të vazhdojnë të lajnë e të lyejnë njeri tjetrin me skandalin e radhës, siç bëri dje kryetari i Kuvendit në një prononcim që nuk u kuptua, e kishte për tu tallur, apo jeton në një planet tjetër, kur e konsideroi mesazhin e dështimeve një medalje në gjoksin e Tahirit.

Kjo bindje përforcohet kur dëgjon Kryetarin e Kuvendit të flasë për konsensusin e dhënë opozitës për reformën vendore, kur vetë kryeministri nga foltorja e Kuvendit deklaroi se konsensusin për këtë reformë shumica e tij nuk e jep me arsyetimin absurd se opozita mund të marrë peng parlamentin.

Në fakt, në një planet tjetër nuk e dimë a janë apo jo, por që nuk janë e nuk jetojnë me Shqipërinë, këtë e sheh kushdo që ka sytë në ballë.

Këto skandale, e të tjera që po dalin në dritë, si ajo e korrupsionit në dogana në rastin e automjeteve të prokuruar për shërbimin konsulent, janë sfondi i tragjedisë ekonomike që ndërkohë po shpaloset me shpejtësi të madhe mbi tryezat e shqiptarëve, në xhepat dhe portofolet e tyre.

Qeveria Rama-Meta po ja del me sukses të asgjësojë shpresën se e nesërmja do jetë më e mirë. Ekonomi e dobët. E ardhme e pasigurtë. Këto janë fjalët në buzët e çdo shqiptari sot. Kjo është po kështu një thirrje dhe obligim madhor për Partinë Demokratike dhe opozitën.

Për të qëndruar fort dhe të palëkundur në përballjen me dyshen e zhbërjes së standardeve, sigurisë dhe ekonomisë së shqiptarëve.

Për të nisur bashkë me shqiptarët ndërtimin e alternativës tonë të rikthimit të shpresës dhe të ardhmes së sigurtë për të gjithë shqiptarët.

Ju faleminderit.


Fjala e kryetarit të PD, Lulzim Basha, në mbledhjen e parë të Kryesisë së re, 15 Prill 2014