Fjala e kryetarit të Partisë Demokratike në mbledhjen e grupit parlamentar.

 

Të nderuar deputetë,

Fillimisht me lejoni të ndajmë së bashku me partitë aleate, me anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike dhe me gjithë  zgjedhësit e qendrës dhe qendrës së djathtë në Shqipëri gëzimin për lajmet e ditëve dhe javëve të fundit në lidhje me fitoret e partive të së djathtës në zgjedhjet lokale në  Francë dhe në zgjedhjet parlamentare në Hungari.

Në rastin e parë zgjedhësit francezë  kanë  ndëshkuar me votë politikat e së majtës në qeveri, duke kthyer sytë dhe besimin nga partitë e opozitës së djathtë.

Në rastin e dytë zgjedhësit hungarezë kanë rikonfirmuar e promovuar me votë politikat e qeverisë  së qendrës së djathtë, duke mos rënë pre e iluzioneve populiste dhe demagogjike të opozitës së majtë, siç ka ndodhur më parë në disa vende të Europës.

Partia Demokratike përshëndet nxehtësisht fitoret e partive simotra në këto vende të Europës, duke lexuar në to një tendencë të  qartë të zgjedhësve europianë për të përqafuar e votuar ato parti dhe ato politika që  kanë në fokus reformat në funksion të zhvillimit, sigurisë, punësimit dhe mirëqenies. 

Kemi bindjen se kjo tendencë po shndërrohet në frymë të kohës që jetojmë. Era fryn djathtas në kontinent, një fakt që na shton akoma më shumë besimin dhe optimizmin për fillimin tonë të ri,  për rritjen e besimit dhe mbështetjes popullore ndaj Partisë Demokratike dhe të djathtës, për ringritjen me një mendje akoma më të hapur dhe me një organizim akoma më të fuqishëm në shtëpinë tonë  të lirisë,  për rikthimin me forca, energji dhe vizione të reja në marrjen e përgjegjësive të qeverisjes.

Ky nuk është  vetëm një qëllim i natyrshëm politik i çdo opozite.  Në rastin e vendit tonë, pa e tepruar aspak, ky është një mision.  

Ardhja e qendrës dhe qendrës së djathtë në qeverisjen e vendit është një  domosdoshmëri për të ndaluar krizën në pikiatë dhe për të rimarrë ringritjen.

Hartimi dhe zbatimi i politikave që burojnë nga parimet   e lirisë dhe shtetit ligjor janë  rruga e sigurt për të  kthyer në shinat e zhvillimit dhe përparimit Shqipërinë e marrë peng nga eksperimentet e paafta dhe të papërgjegjshme të tipit “ ku rafsha mos u vrafsha”, nga arroganca, demagogjia dhe papërgjegjshmëria e qeverisë Rama-Meta.

Epërsinë e politikave tona e tregojnë edhe të dhënat e raportit të fundit të INSTAT-it. Ndonëse Rama dhe beniaminët e tij bëjnë çmos për të manipuluar shifrat e ekonomisë shqiptare në funksion të nxirjes së qeverisë së mëparshme dhe të reklamës për qeverinë e tyre,  prapëseprapë nuk ia dolën dot t’i fshinin deri në fund të dhënat që tregojnë se politikat e ndjekura nga qeveria demokratike kanë dhënë  impakte tejet pozitiv në sektorin e industrisë dhe ndërtimit.

Politikat tona ndihmuese, duke filluar nga lehtësimi i procedurave e deri te heqja e TVSH-së kanë bërë që në tremujorin e katërt të vitit 2013 këta dy sektorë të rriten përkatësisht me 7.18% dhe 3.66% krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2012.  Operatorët e këtij sektori, por edhe njerëzit e thjeshtë  që ndjekin zhvillimet në vend, e kanë të qartë se këto janë frytet e masave që morëm ne gjatë vitit, fryte që ju shpëtuan, falë rrethanave specifike,  sindromës së vitit zero dhe arrogancës me të cilat startuan e vazhdojnë sot e kësaj ditë në pushtet dyshja Rama-Meta.

Por sektorë të tjerë, që u vunë në shënjestër të sulmeve apo ishin më të ekspozuar ndaj paragjykimeve dhe arbitraritetet të qeverisë së re,  nuk patën fatin e sektorëve të industrisë dhe ndërtimit.

Një i tillë është sektori “hoteleri dhe restorante”, ku në tremujorin e fundit të vitit 2013 regjistrohet një ulje drastike prej 16, 71 për qind në krahasim me tremujorin e fundit 2012.  Ky është një nga shembujt tipikë që ilustron pasojat e frymës së shkatërrimit dhe zhbërjeve në sektorin e turizmit shqiptar, futjen e frikës dhe uljen e besimit të qytetarëve dhe sipërmarrjes ndaj qeverisë.

Një sektor tjetër që  ka pësuar goditje shumë të rëndë është ai i transportit privat dhe publik, urban dhe interurban i pasagjerëve dhe mallrave.  Ulja e vëllimit të transportit për periudhën tetor-dhjetor 2013 është në shifrën 27, 92 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2012. 

Po të mos e dinim “pse”-në e vërtetë të një uljeje kaq të madhe,  do të mendonin se ka rënë një ngricë nga ato të rrallat, që bien një herë në një qind vjet, që  vështirësojnë lëvizjen dhe jetën, që zgjasin jo një javë apo një muaj, por një stinë të tërë, në mos më shumë.

Në fakt një “ngricë” tjetër e këtyre përmasave ka rënë. Kjo është ngrica e qeverisjes Rama-Meta, ngrica e politikave të saj të gabuara, të paafta, të papërgjegjshme dhe korruptive.

Iu vërsulën me egërsi, pa plan dhe pa minimumin e respektit sektorit të transportit dhe subjekteve privatë e publikë që operojnë në të. U munduan shumë dhe ia dolën t’i këpusnin rreth një të tretën e suksesit në tre muajt e qeverisës së tyre. 

Shifrat e rënies në këtë sektor duhen parë e analizuar thellë. Rënia drastike në sektorin e transportit është treguesi më i qartë i thellimit të krizës edhe në sektorë të tjerë që INSTAT, tashmë i kontrolluar dhe i manipuluar politikisht nga kryeministri, mundohet t’i lajë e t’i lyejë në favor të qeverisjes së re propagandistike.

E zeza e bardhë  nuk mund të bëhet se do Rama. As e bardha e zezë. Vëllimet e transportit janë pasqyra e vëllimit të prodhimit, qarkullimit, dhe faktorëve të tjerë të ekonomisë. Rënia në këtë sektor tregon qartë se veç pengesave të njohura të drejtpërdrejta, që kanë ardhur nga qeveria,  ka ndikuar fakti se punohet më pak, prodhohet më pak, transportohet më pak, lëvizjet më pak, qarkullohet më pak. Kjo është vërteta. Punonjësit e sektorit të transportit dhe gjithë sektorëve të tjerë, ku kriza kosit çdo ditë vende pune, janë në të drejtën e tyre t’i thonë kryeministrit “të rroftë  propaganda, se punë nuk ka”.

Në fakt propaganda është bërë sot kuptimi i qeverisjes së  Shqipërisë; nuk qeverisin, vetëm bëjnë propagandë, përdredhin fjalët, përdredhin ndonjë shifër, marrin ndonjë gjë që ua kemi lenë gati ne, i ndërrojnë ngjyrën apo etiketën dhe mundohen ta paraqesin si një arritje të tyre, siç kanë bërë përshembull me zyrat e punësimit apo me tapitë e legalizimeve, që kryeministri Rama ia ka marrë Shabanit tonë dhe i ka bërë te vetat. Shaban-Tapia, i quante kur ishte në opozitë, tani i quan në Edi-Tapia.

Puna e mirë flet vetë, thotë populli. Realisht nuk do t’i kushtonim vëmendje dëshirës së tyre për të rënë në sy e për tu dukur, nëse vërtetë do të kishin n
jë bilanc për të treguar. 

Po ashtu, nuk do të merreshim shumë me maninë deri në sëmundje të kryeministrit për të bërë  shou mediatik,  po të ishte se ai thjesht ekzagjeron me të ashtuquajturat arritje të tij. Propaganda pa bukë, ashtu si gënjeshtra, i ka këmbët e shkurtra dhe ne nuk shqetësohemi shumë për ketë sepse e vërteta del në dritë.

Por ka një element të ri, që nuk mund të na lerë indiferentë, në llojin dhe sistemin e propagandës që ka vënë në lëvizje zoti kryeministër. Është  supermashtrimi dhe manipulimi irracional, pa asnjë doganë, me shifrat dhe faktet.

Shembulli më tipik është shifra që  referon për borxhin, të cilin e quan “borxhi i paregjistruar” dhe që sipas tij shkon në 720 milion dollarë! 

Shqiptarët po nënqeshin me tallje dhe hidhërim me këtë thagmë  të re të kryeministrit. Për një qeveri dhe për një kryeministër normal nuk mund të këtë borxh të paregjistruar; një borxh i paregjistruar nuk është borxh. Aq më shumë mund të flitet në hava për borxhin nga kryeministri i qeverisë shqiptare, që ka pajtuar kundrejt pagesës së majme një kompani ndërkombëtare auditi, për të  nxjerrë vlerën e borxhit,  që doli 250 milion dollarë, raport që asnjëherë nuk u bë publik.

Por si për planet ashtu edhe për propagandën e tij,  kryeministrit i duhet një borxh shumë më i lartë se borxhi real. Ndaj ka shpikur termin e borxhit të paregjistruar, që nuk e njeh asnjë qeveri dhe asnjë institucion në botë. Ndaj ka nxjerrë për momentin shifrën 720 milionë dollarë, që njëherë e kishte dy herë më të lartë dhe mund ta dyfishojë pa problem, sepse borxhi i paregjistruar nuk ka njeh limit.

Rritja artificiale e shifrave të borxhit për konsum propagandistik bëhet për të justifikuar dështimet e qeverisë, dështimet në mbajtjen e premtimeve për shlyerjen e detyrimeve ndaj biznesit dhe për financimin e ekonomisë edhe pasi kjo qeveri ka marrë një borxh të madh në vjeshtën e vitit të kaluar dhe përgatitet të marrë një  hua të re të madhe këtë vit.

Me fjalë të tjera, sa më shumë të dështojë zoti Rama me qeverinë e tij, aq më shumë do të vijë duke e rritur “borxhin e paregjistruar” për t’u thënë shqiptarëve “ne po bëjmë çmos, por kemi gjetur një borxh që  nuk na lë të shohim dritë”.

Zotin Rama e gënjen mendja se mund t’i mashtrojë për herë të dytë shqiptarët. Njerëzit besojnë premtimet, por gjykojnë faktet. Njerëzit po shohin se kjo qeveri ka marrë e po merr borxh më dorë të rëndë, por nuk po shlyen detyrime; ka ngritur taksat si asnjëherë tjetër dhe po mburret se po realizon e tejkalon planin e të hyrave në buxhet, por nuk po ndërmerr asnjë investim, nuk po bën asnjë punë serioze që t’i ketë duk. Kjo ka dy shpjegime. Qeveria ose po gënjen për te ardhurat, ose po i shpërdoron ato. Në fakt po i bën të dyja.

Si opozitë kemi detyrimin të jemi në komunikim të përditshëm me qytetarët. Borxhit, taksat, administrimi i parasë dhe pasurive publike, investimet në bazë të  prioriteteve që burojnë nga nevojat e vendit dhe, më tej akoma, demokracia, shteti ligjor, siguria juridike, ndarja dhe balancimi i pushteteve në vend, janë temat e bashkëbisedimit tonë të përditshëm me qytetarët, me publikun e gjerë.

Kemi detyrimin të mbajmë ndezur dhe të çojmë përpara betejën tonë për transparencë për çdo euro, dollarë apo lek që merret borxh dhe për çdo qindarkë që mblidhet; të çojmë përpara betejën tonë  kundër gënjeshtrave, mashtrimeve dhe abuzimeve, duke filluar me megamashtirmin për “borxhin e paregjistruar” e duke vazhduar me manipulimin e të dhënave të ekonomisë nga INSTAT-i që mendon se mund të prodhojë në kompjuter “dështimin e qeverisë demokratike” dhe “suksesin e qeverisë socialiste”.

Deri këtu ka mbërritur koncepti i qeverisjes propagandistike! Kujtojnë se qytetarët mund të hanë e të kënaqen me propagandë. Kujtojnë se instituti i prodhimit të sukseseve virtuale mund të zëvendësojë kantieret e zhvillimit që ne i njohim mirë dhe qytetarët shqiptarë i njohin po aq mirë.

Ne kemi konkurruar e do të konkurrojmë për të tejkaluar rezultatet tona më të mira. Kundërshtarët tanë do të duhej të bënin të njëjtën gjë: të mateshin me arritjet tona dhe t’i kalonin ato sepse për këtë janë votuar. 

E shohin se nuk po ia dalin me punë, ndaj ja kanë nisur me rrena.

Dështimi i tyre në këtë rrugë është i sigurt. Nuk ka asnjë arsye që shqiptarët të mos u thotë “ ikni”, rrenave dhe rrenacakëve, mashtrimit dhe mashtruesve, njëlloj siç po u thonë qytetarët europianë që po votojnë politikat reale të zhvillimit.

Faleminderit!