Mesazhi i Kryetarit të Partisë Demokratike, në përkujtimin e vrasjeve të 2 prillit në Shkodër

Të  dashur prindër, familjarë, të afërm, miq dhe shokë të dëshmorëve të  2 prillit 1991,

I nderuar zoti Luka,  kryetar i Bashkisë, Shkodër

Zonja dhe zotërinj,

Shkodra dhe mbarë  Shqipëria kujtojnë sot sërish, si çdo vit, me nderim dhe brengë,  vrasjen e pabesë 23 vjet më  parë në këtë qytet, të Arben Brocit, Bujar Beshanakut, Nazmi Kryeziut dhe Besnik Cekës, katër djem të rinj njëzet vjeçarë,  katër studentë njëri më i mirë se tjetri, katër shkodranë në pranverën e parë të ëndrrës për liri dhe demokraci.

Demokratë të vendosur, si shumica dërmuese e rinisë shkodrane dhe shqiptare të kohës,  ata e kishin ndarë mendjen qysh në krye të mos kursenin asgjë për Shqipërinë e lirë.

Përkushtimin e tyre deri në vetëmohim e tregojnë shumë bukur kujtimet e gjalla të miqve dhe shokëve të tyre, që u shpalosen edhe sot këtu; e tregojnë dëshmitë prekëse që unë kam patur rastin të dëgjoj sa e sa herë në Tiranë për Arben Brocin, studentin kryelartë të Dhjetorit që u përball plot dinjitet, përkrah shokëve të tij, me ish-Presidentin e kohës, Ramiz Alia në takimin e fitores së pluralizmit, anëtarin e orëve të para dhe një nga drejtuesit më brilantë të Partisë Demokratike në  Shkodër. Po kështu edhe për Nazmiun, Bujariun, Besnikun. 

Ata kishin zgjedhur këtë rrugë, rrugën e lirisë, pa llogaritur rreziqet.

Por nuk ka dyshim se vrasja e tyre në demonstratën e 2 prillit në Shkodër ka dhembur më shumë e ka indinjuar më shumë sepse u vranë në befasi, në tradhëti, prapa shpine, nga frengjitë e burracakërisë, pashpirtësisë, antishqiptarizmit.

Sa më shumë kalojnë  vitet dhe sa më shumë zenë vend në ndërgjegjen demokratike të shqiptarëve zakonet dhe standartet e demokracisë europiane, aq më qartë del në pah karakteri politik, qëllimi kriminal dhe absurditeti i vrasjeve dhe plagosjeve të 2 prillit në Shkodër nga forcat e policisë dhe ish sigurimit të shtetit të asaj kohe. Shpeshherë, atë që bën koha në shërbim të së vertetës nuk e bën dot asnjë lloj hetimi.

Le të kthehemi sot për pak sekonda në fillimprillin e vitit 1991 në Shkodër, le të përfytyrojmë qindra gjimnazistë shkodranë të ulur në shesh me çantat e tyre të shkollës. Janë sa të gëzuar, aq edhe të dëshpëruar. Demokracia që atëherë identifikohej me partitë e reja opozitare ka fituar thellë në Shkodër, por nuk ka fituar në shkallë vendi në zgjedhjet e para shumëpartiake të një dite më parë. Me përjetimin e tyre njerëzor dhe rinor të  një shansi të humbur, me ndjenjën e protestës së pastër që shoqëron këtë përjetim, ata, gjimnazistët shkodranë,  janë pararendësit e përmbysjes që do të ndodhë pas një viti.

A janë për t’u goditur ato vajza dhe djem nga policia?

A ka arsye, a ka shkak të  qëllohen me shkopinj gome dhe të ndiqen këmba këmbës me egërsinë me të madhe? Kushdo e kupton se sa pa kuptim është e gjithë kjo në raport me demokracinë. Por regjimi kërkon të tregojë dhembët dhe të shfrejë urrejtjen mbi demokratët tani që mendon se ka fituar. Në këtë urrejtje, u ngjiz 2 prilli si ditë e përgjakshme, si njolla apo danga e pashlyeshme, me të cilin regjimi komunist e përfundoi, siç e kishte nisur, kohën e vet shumë të gjatë. 

Nga dhjetori i vitit 1990 e deri në shkurt 1991, ishin regjistruar në Shqipëri protesta të ashpra, deri në konfrontime të rrezikshme. Përballja e popullit të lirë dhe demokrat me regjimin kishte vënë  në rendin e ditës, çështje të një  ndjeshmërie të lartë, siç ishte përshembull rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës me 20 shkurt 1991. Por nuk ishin përdorur armët e zjarrit. Regjimi ishte mburrur se shmangu gjakderdhjen.

Po pse u përdoren armët e zjarrit në Shkodër me 2 prill, në një protestë  paqësore lokale të  rinisë?  Sepse kupola komuniste ishte në iluzionin e fitores dhe konfirmimit si forcë në pushtet edhe me votë, edhe me zgjedhje. Duke harruar se PD i kishte nxjerrë me zero në qytetet e mëdha. Duke mos kuptuar trendin e së ardhmes.

Përtej verdiktit që ka dhënë drejtësia, vrasjet dhe plagosjet e 2 prillit rëndojnë përjetë në koshiencën dhe kujtimin e atyre që urdhëruan të qëllohet me armë zjarri mbi rininë shkodrane nga një ndërtesë e destinuar për t’u zhdukur me turp në kujtimet me të këqija, siç ishte selia lokale dhe vetë historia e PPSH-së.

Rasti nuk mund të zgjedhë kaq ligsht për të ndezur fitilin e përçarjeve dhe konfrontimeve, siç zgjodhi me vrasjen e Arbenit, Nazmiut, Bujarit dhe Besnikut.

Por demokratët e Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë e kanë patur të qartë qysh ditën e parë të vërtetën e vrasjeve politike të 2 prillit. Mesazhi që morën me çmimin e humbjes së katër jetëve në lule të moshës ishte se kundërshtari ka ndërruar qimen por jo zakonin, se beteja për lirinë  vazhdon, se rruga është e gjatë.

Ky mesazh, në thelbin e vet pozitivist e frymëzues, mbetet aktual sot e kësaj ditë. Ne kujtojmë e do të kujtojmë me nderim e mirënjohje të veçantë katër dëshmorët e 2 prillit, katër demokratët tanë të rinj,  njezetvjeçarë të përhershëm, që do të rrojnë gjithmonë në zemrat tona.

Faleminderit