Fjala e deputetit të Partisë Demokratike Ridvan Bode në Parlament: Po zhvillojmë një debat të gjerë në Kuvend dhe jashtë kësaj aule shumë qytetarë mund të mendojnë se po bëhet debat për kontrollorët e pasurive të tyre, por në të vërtetë thelbi i debatit ka të bëjë me nevojën për të bërë përmirësime thelbësore në atë që përjeton çdo ditë çdo qytetar i këtij vendi.
Këtu çështja nuk ka të bëjë me kreun e ILDKP-së, pasi kjo do të ishte një gjë shumë e vogël dhe shumë larg asaj që aspirojmë dhe dëshirojmë që të gjithë. Thelbi i debatit qëndron në faktin se këtu po gjendet një tutor për t’i vënë kapak asaj që ndodh aktualisht në jetën e përditshme të çdo qytetari. Mazhoranca mund të gjejë një tutor për fshehjen e pasurive të paligjshme, por nuk mund të fshehë faktin dhe përballjen e përditshme të çdo shqiptari më rrënimin çdo ditë dhe çdo orë të ekonomisë dhe të mirëqenies së tyre. Këtu një tutor mund të emëroni, por nuk mund të fshihni në publik atë që ndodh çdo ditë, çdo orë me sigurinë e qytetarëve shqiptarë, me përhapjen e paparë të kriminalitetit dhe të mungesës së sigurisë. Ju mund të emëroni qoftë dhe në mënyrë antiligjore, me artifica që sado që në mënyrë të stërholluara mund t’i prodhoni, ju nuk mund të fshihni faktin se Shqipëria është bërë kanali kryesor i drogës për në perëndim. Dhe rrjetet kryesore të cilat u bllokuan gradualisht, sot janë në një aktivitet të plotë dhe përfitimet prej tyre sigurisht që preken prej kësaj mazhorance. Mund të emëroni një tutor për fshehjen e pasurive tuaja, por nuk mund të mohoni dot faktin se një pjesë e mirë e kësaj mazhorance është turrur anë e mbanë vendit për të marrë pasuri, për të gllabëruar toka dhe për të rrënuar ndërtesa që të mund të ngrejnë pasuritë e tyre.
Prandaj çështja që po diskutohet sado që të mundohet që në thelb të fshihet pas artificave ligjore ajo demonstron frikën dhe panikun që kjo mazhorancë ka ndaj ligjit dhe deklarimit të pasurive. Dhe kjo është një frikë e vjetër e kreut të mazhorancës së sotme. Ne ishim në opozitë dhe kërkuam heqjen e imuniteteteve të deputetëve, zyrtarëve dhe të gjykatësve. Ju kurrë nuk votuat dhe nuk e pranuat heqjen e imunitetit. Ishim në pushtet dhe ju kërkuam të njëjtën gjë për heqjen e imunitetit dhe asnjëherë nuk pranuat. Ju nxorët shumë marifete dhe vetëm në fund ratë dakord për të bërë ndryshimet dhe për të hequr imunitetet. Pas 10 vjetësh kërkesa nga ana e PD-së, të njëjtin tmerr ju përjetoni edhe sot.
Sot ju vini këtu dhe thoni se ky ligj është shumë i rëndësishëm, pasi do të përmirësojë funksionimin e ILDKP-së. Janë 3-4 përmirësime ligjore që vijnë në përputhje me standardet dhe rekomandimet që kanë bërë organizmat analoge evropiane, apo edhe në kuadrin e marrëveshjes së stabilizim asociimit. Për këtë ne kemi qenë plotësisht dakord që të reflektoheshin në mënyrë që ILDKP ta kishte më të lehtë dhe më të mundshëm kontrollin, duke mbyllur kështu shtigjet për abuzime në kuadrin e këtij verifikimi. Por në të vërtetë, nuk është ky thelbi që synon ligji, pasi ndryshime të tilla janë bërë në vitin 2012. Thelbi ka të bëjë me kontrollin politik të këtij institucioni.
Ju thoni se heqja e kompetencës së Presindetit të Republikës është fare e panatyrshme, në një kohë kur neni 94 i Kushtetuës thotë qartë se: “Çdo kompetencë tjetër e marrë dhe e vendosur në mënyrë kushtetuese bëhet me ligje të veçanta”. Ka edhe një debat nëse ju kujtohet se një vendim nr.6 i 2002 i Gjykatës Kushtetuese që I njeh si të drejta legjitime ato kompetenca presidentit të Republikës ato që ligjet ja ngarkojnë atij. Ka më shumë se 10 vjet që funksionon ky institucion dhe tani del se ky ka vepruar në mënyrë antikushtetuese?
Kjo nuk është e vërtetë! Në të vërtetë historia e transformimit të këtij institucioni kohët e fundit shpjegon panikun dhe frikën tuaj.
Historia nis diku në vitin 2013, ku kreut të mazhorancës ju kërkua deklarimi i pasurisë së gruas së tij. Dhe që në atë kohë përgjigja ka qenë ndaj kryeinspektorit të vendit se është emëruar në mënyrë të jashtëligjshme, si dhe pa plotësuar edhe kriteret. Ju nxituat që ta bëni këtë menjëherë sapo erdhët në pushtet që në mesin e shtatorit të 2013.
Që në fillim të tetorit ju filluat procedurën përmes një revolucioni banal në administratë dhe të padëgjuar ndonjëherë e çuat në prokurori.
Dhe morët edhe përgjigje nga prokuroria se nuk ka as shkelje dhe procedura e nisur nga ana juaj ishte e padrejtë.
Vijuat me një grup kontrolli ilegjitim të panjohur as në rregullore dhe as në ligjet e vendit dhe kur e patë se çdo gjë ishit duke e bërë në mënyrë të trashë dhe tërësisht abusive, u tërhoqët. Ju u futët edhe në procedurat e emërimit në administratë me pretendimin se ato kanë qenë të paligjshme. Edhe kjo ka qenë e padëgjuar dhe unikale.
Tani vini me një propozim për t’iI hequr të drejtën presindetit për të propozuar kanditura si pjesë e instrumentit thelbësor të kontrollit dhe balancës së pushteteve në një vend demokratik.
Ju i doni të gjitha vetë.
Ju doni t’i vendosni vetë dhe t’i kontrolloni po vetë.
Kjo e bën këtë institucion tërësisht të pabesueshëm.
Disa nga krahu i majtë mendojnë se ky institucion po bëhet gogoli për të trembur mazhorancën e djeshme.
Ju gaboheni edhe për këtë.
Qeveria i ka të gjitha instrumentet për të bërë gjithçka, kjo është çekani mbi të gjithë ju zonja dhe zotërinj që i duhet kreut të mazhorancës për t’ju mbyllur gojën dhe për t’ju gjunjëzuar për gjithçka. Veprimi i qeverisë është tërësisht ilegjitim dhe nëse doni të bëni kalë beteje luftën kundër korrupsionit e para duhet ta filloni nga vetja. E dyta duhet të mbështeteni mbi instrumenta të ligjshme dhe të mos zgjidhni si kalë beteje Rosinantin ku ka hipur Donkishoti me Sanço Pançon për të luftuar me mullinjtë e erës. Kjo është gjethja e fikut për të fshehur atë që po ndodh me shpejtësi: rrënimin dhe degradimin për një kohë të shkurtër të një pushteti të sapo ardhur pas zgjedhjeve.