Fjala e deputetit te PD Oerd Bylykbashi ne Kuvend

 

I nderuar Zoti Kryetar

Të nderuar kolegë

E kam thënë më parë, Kryeministri, kur bën diçka, përpiqet të sajojë atë që ai e quan “teknologji të procesit”. Me fjalë të tjera, të gjejë një mënyrë për ta shitur apo justifikuar bëmën e tij. Nëse bëma i del zullum, ka një mënyrë që të mos e marrë përsipër fajin, por t’ia lerë në derë të tjerëve. Nëse i ecën, i krekoset vetes se sa i zgjuar është.

Kjo marrëveshja e sotme me FMN, është diçka që nuk i shpëton klishesë së mendimit të Kryeministrit. Nuk bën përjashtim.

Kur debatuam për programin në shtator, ia rreshtuam të gjitha gënjeshtrat që kishte premtuar në fushatë. Në mënyrë të veçantë, atë se do ulte taksat për 95% të shqiptarëve. Është i paarritshëm në gënjeshtër. Sikur kjo të mos i mjaftonte, në dhjetor tha se do ia ulte taksat 97% të shqiptarëve. Ky Kryeministër të sheh në sy kur të gënjen. Nuk i dridhet qerpiku.

Kur i gënjeu shqiptarët e u tha në fushatë se do ua ulte taksat, nuk përmendi asnjë çast FMN-në. Sepse ai e dinte që shqiptarët prisnin t’i qeveriste një shqiptar, jo një drejtor rajonal banke, sado prestigjoze të jetë ajo bankë apo institucion financiar ndërkombëtar. Pastaj, nuk ka shqiptar që nuk e di apo nuk ka dëgjuar se FMN të përcakton kushte të forta. Po i kërkove ndihmën e saj, kushtet do i marrësh në paketë.

Kryeministri, teknologjinë e shmangies nga premtimi e filloi ta zbatonte që në krye të herës, siç ka qejf të shprehet Kryeministri. Në gusht të vitit që shkoi, pa u bërë ende Kryeministër, na mblodhi një konferencë me ekspertë ndërkombëtarë të ekonomisë. Pastaj filloi seminare me FMN.

I vetmi qëllim ishte të injektonte në opinionin publik vaksinën që i duhej për t’iu shmangur premtimit për ulje taksash. Ma thanë ekspertët e FMN, e kanë ata fajin. Nuk kam ç”bëj, nuk e mbaj dot premtimin që ju bëra në fushatë, madje do më duhet të rris taksat se kështu thone ekspertët e FMN. Por rritja e taksave nuk do të thotë rritje taksash dhe se opozita e ka gabim – na thote Kryeministri.

Paketa fiskale rriti ndjeshëm taksat, dhe atyre shqiptarëve të cilëve gjoja ua uli, po ua merr përditë me rritjen e çmimeve kryesore. Shqiptarët po varfërohen përditë. Në fund të vitit llogaria shqiptarëve do u dalë me të kuqe.

Kryeministri na thotë se rritja e taksave nuk solli rritjen e çmimeve që parashikoi opozita. Tani zoti Kryeministër, karburanti dhe çmime të tjera janë rritur. Por nuk është këtu e keqja. Kur rriten taksat, si ajo mbi biznesin e madh, karburantin, akciza etj, edhe një jo ekonomist, qoftë jurist apo artist, e kupton se gjëja më e thjeshtë është që kjo rritje takse do shkarkohet te çmimi i shitjes me pakicë. Pra rritja shkarkohet tek konsumatori, ai pensionisti, apo ai puntëtori hallexhi me 300 mije lekë te vjetra rrogë të cilin ju zoti Kryeministër e gënjeni se ia keni hequr tatimin mbi pagën.

Por nëse çmimet nuk po rriten të gjithë menjëherë dhe infacioni qëndron nën vlerën e rekomanduar prej 2%, do të thotë që ka diçka që nuk shkon me ekonominë. Hipertermia apo temperatura e larte të bën dëm, por mjekët thonë se hipotermia, temperatura e ulët nën vlerat normale është më e keqe dhe e vështirë për tu stabilizuar.

Dhe ekonomia shqiptare po kalon në hipotermi zoti Kryeministër. Çmimet nuk po rriten pavarësisht presionit fiskal të rritur, sepse jemi para një fakti shqetësues. Nuk ka kërkesë. Nuk ka fuqi blerëse. Shqiptarët janë më të varfër tashmë dhe nuk shpenzojnë.

Dhe biznesi e kupton me mire se ju dhe ministrat e keshilltaret tuaj se nëse do që të shesë produktin apo shërbimin, nuk mund të rrisë çmimin, për aq kohë sa mundet, përndryshe humb klientelën plotësisht dhe falimenton. Në fakt shumë biznese kanë mbyllur tashmë, apo kanë shkurtuar vendet e punës.

Po ata 7 mije punonjësit e administratës që tashmë janë flakur pa ligj? Të gjithe këta janë pjesë e këtij spirali negativ ku po e fusni ekonomine zoti Kryeministër. Janë me qindra vendimet e gjykatave per kthim në punë dhe dëmshpërblim. Me qindra persona janë në lista pritje. Këto lista tashmë janë të paligjëshme dhe ju ata persona duhet ti ktheni menjëherë në punë. Përndryshe shqiptarët po paguajnë dy rroga për një post pune.

Dje një emision investigativ zbuloi me zë dhe figurë skemën politike dukë përfshirë një ministre në urdhërat e paligjshëm për largime nga puna. Vendimet e gjykatave për këtë shkelje masive do paguhen një më një. Po kjo do rëndojë buxhetin. Sa më shumë e trashni zullumin, aq më e rëndë gjoba.

Ka pak ditë që Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, në çështjen Memishaj vs Shqipërisë, dënoi Shqipërinë për mosekzekutim të vendimeve të nga ana e bashkisë së Edi Ramës kur ishte kryetar. Ai kishte larguar një punonjës pa të drejtë dhe refuzonte zbatimin e vendimeve të Gjykatave.

E dimë që është recidivist në shkeljen e ligjit, por si të mos i mjaftojë përveç vendimit të Gjykatës Kushtetuese, edhe gjykata më e lartë europiane e konsideron shkelës të Konventës Europiane të të drejtave të njeriut.

FMN jua tha me shqetësim se qeveria nuk po performon dhe nëse duhet, do të kalohet në planin B. Rritje taksash, plot 10 të tilla. Ekspertet e FMN janë të aftë në punën e tyre dhe e dinë se çfare kërkojnë apo rregullat që vendosin. Por inkompetenca juaj në negociimin e kësaj marrëveshje është lapidare.

Ja ku jemi sot. Ju nuk keni asnjë shans të mos e votoni këtë marrëveshje se ja keni lidhur duart vetes por edhe ja keni lidhur lakun në fyt shqiptarëve. Përpiqeni tu thoni se do mblidhni më shumë para prandaj nuk do te rriten taksat, por të dhënat tregojnë të kundërtën.

Juve prisni që në fund të vitit rritja e akcizës që bëtë t’ju japë 120 milione USD më shumë. Por vetem ne dy muajt e parë të vitit jeni 10 milionë USD nën plan. Rritja e të ardhurave është më pak se 1/5 e asaj që keni planifikuar. Sigurisht, të shpartallosh administratën tatimore dhe atë doganore siç keni bërë ju, duke futur militantë që nuk dinë të përdorin kompiuterin (ketë më ankohej pak ditë më parë një subjekt për doganierët e rinj).

Për këto dështime nuk jua ka fajin FMN. Ata po ju japin paratë. Por vetëm një nga nëntë këstet merret pa kushte. Tetë të tjerët kushtëzohen me performancën tuaj. Kështu siç po shkojnë gjërat, nuk keni rrugë tjetër veçse të rrisni tatimin mbi te ardhurat, të rrisni çmimin e energjisë, TVSH ne arsim e për ndërtimet e reja, etj. Ju do të vendosni taksë për të udhëtuar jashtë shtetit. Ne hoqëm vizat, ju po i vini taksë lirisë së njerëzve.

Kur debatonim për buxhetin në Dhjetor, thashë se ata që sot e dinë veten të varfër ose biznes i vogël e për rrjedhojë paguajnë më pak taksë, një di
të do zgjohen të pasur ose biznes i madh. Sepse ju do ndryshoni shkallën e tatimit progresiv ngaqë nuk ju del llogaria. Ata që paguajnë rregullisht, do paguajnë më shumë edhe për ata që nuk paguajnë.

E gjithë kjo për shkak të paaftësisë suaj për të mbledhur taksa si rrjedhoje e aftësisë suaj ekzemplare për të futur ekonominë në krizë. FMN nuk ka faj, ju kërkuat ndihmën e saj dhe ajo ka objektivat dhe rregullat e saj. Nuk ishte ajo që nxiu gjendjen edhe pse FMN pohon se Shqipëria nuk ra në krizë. Ju e nxitë situatën, investitorët u trembën dhe investimet ranë.

Konsumatori ruan lekun për ditë të zezë dhe ekonomia ngec sepse malli nuk qarkullon. Ndërsa ata që kan humbur vendin e punës, nuk llogarisin dot tre muaj sesi do t’i shtyjnë.

Al Gore, pasi humbi zgjedhjet bëri një dokumentar për ndryshimet klimaterike. Aty është një shembull shumë domethënës me bretkosën. Kur bretkosën e hedh në ujë të nxehtë, ajo kërcen menjëhere jashtë. Por kur e lë në ujë që nxehet ngadalë, ajo nuk e kupton dhe ngordh brenda në enë. Kështu edhe njerëzit nuk reagojnë kur ndryshimi klimaterik është i ngadaltë.

Edhe ju zoti Rama shpresoni se shqiptarët të reagojnë si bretkosa që i nxehet uji ngadalë. Në fillim i gënjeni se nuk do ketë rritje taksash, pastaj i thoni se nuk është ndonjë rritje kush e di çfarë, pastaj i thoni se duhet ngaqë e kërkon FMN se nuk na jep këstin, pastaj rrisni taksat. Dhe shpresoni se deri atëherë, shqiptarët ose do jenë hutuar, ose do jenë dorëzuar.

Zoti Kryeministër, ju e keni firmosur këtë marrëveshje dhe nuk keni nga shpëtoni. Gjithësesi keni opsionin që ta shkelni marrëveshjen duke i vënë fajin shqiptarëve që nuk ju kuptojnë. Ashtu siç mashtruat aleatin tonë më të madh për armët kimike dhe fajin ia vutë shqiptarëve që nuk jua kuptuan vizionin tuaj. Shkeljen e marrëveshjes e keni kthyer në art.

Por nëse e shkelni këtë kontratë me FMN, rekordit që na çuat nga B+ ne renkimin ndërkombëtar të ekonomisë në B brenda vetëm pak muajsh qeverisjeje, do i shtonit uljen e vlerësimit në C. E bashkë me këtë rekord negativ, do rritet kostoja e borxhit për Shqipërinë, do na shohin si Greqia, vend të pabesueshëm dhe investitorët as do na qasen.

Ata që ju votuan më 23 qershor, votuan premtimet tuaja, jo programin e FMN. Nuk votuan që shteti të administrohet nga të huaj siç ndodh sot me doganat. Ky është dështim në qeverisjeje. Na keni kthyer në në 1914 kur na duhej një qeveritar i huaj. Aq i paaftë jë zoti Kryeministër.

Por fajin nuk e ka FMN, as shqiptarët, por ju zoti Rama dhe diletantizmi i qeverisë suaj. Sigurisht, bashke me ju faji i takon edhe Kreut të Parlamentit, se këtë marrëzi e mban ai në këmbë me dëshirë.

Shqiptarët do paguajnë koston e këtij diletantizmi të marrë, por do jua japin kusurin e zemërimit. Se katër nga pesë gishtat e shuplakës do jenë mbledhur deri atëherë. Shumëzojeni per 1 milion.