Deputeti Bumçi denoncon projektin e Kryeministrit që penalizon ata që kanë investuar kursimet e jetës, dhe favorizon klientelën e tij të ndërtimit.
E kemi paralajmëruar Edi Ramën që në krye të herës se dita e përballjes me popullin për megamashtrimet elektorale nuk do të ishte e largët. Sot kjo ditë ka ardhur dhe Edi Ramës i duhet të japë llogari për çdo mashtrim, duke nisur nga ai për legalizimet falas. Çdo shqiptar e ka kuptuar sot se legalizimet falas ishin kryemashtrimi i Ramës, legalizimi falas është tullumbacja e tij e cila ka plasur, dhe si e tille çfarëdo që të bëjë Edi Rama, nuk e fryn dot me. Në asnjë prej 26 neneve të projektligjit me firme e vulë të kryeministrit, nuk flitet për legalizim falas. Sipas nenit 9 të projektligjit, vetëm tarifa do paguhet nga shteti. Kjo tarifë për ata që nuk e kanë paguar, është maksimumi 20 mijë lekë. Qeveria ka planifikuar të arkëtojë nga pagesat e legalizimeve të ndërtimeve pa leje, afërsisht 52 milionë dollarë, deri në vitin 2017. Legalizim “falas“ për Edi Ramën do të thotë që qytetarët të paguajnë mbi 1.3 miliardë lekë cdo vit, për vitet 2014, 2015, 2016 dhe 2017. Nuk ka sot shqiptar që beson se një qeveri mund të arkëtojë një shumë të tillë, nga një proces falas. Te gjithë ata që kanë ndërtuar banesa, lokale apo garazhe pas 15 janarit 2009, apo nuk kanë aplikuar deri tani për legalizim, sipas nenit 1, pika 1 dhe pika 5 e projektligjit, nuk do të legalizohen, dhe investimet e tyre do të prishen. Të gjithë ata që në zonat me studim urbanistik, kanë banesa më pak se 5 kate, nuk do të legalizohen. Këtë thotë pika 4 e nenit 1 te projektligjit te firmosur nga Edi Rama, Kryeministër. Ata që kanë ndërtuar pallate mbi 5 kate do legalizohen, ndërsa ata fukarenjtë, emigrantet, që mezi kane ndërtuar 1 kat për të futur kokën, apo dhe banesa më pak se 5 kate, nuk do të legalizohen. Kjo sipas zëdhënësit të tij Lame, është presion ndaj qytetarëve, që të lidhin kontrata me ndërtuesit e pallateve. Tashmë qe Edi Rama nuk mund tu fshihet me qytetareve e as ti mashtroje ata, ka nisur ti kërcënojë dhe të sajojë mashtrime të reja për t’ua lënë fajin të tjerëve. Pas protestës së banoreve të Kamzës për mashtrimet me legalizimin falas, aty ku ende nuk është tharë firma e Ramës mbi mashtrimin elektoral, Kryeministri nga zyra e tij i kërcënoi se do të përdorë të gjithë fuqinë tij për tu hakmarrë, te vetmen gjë që po dëshmon çdo ditë, se di ta bëjë mirë. Edi Rama bën mirë që është i frikësuar nga populli i tij por kërcënimi veçse e bën dhe më të vështirë mbijetesën e tij politike. Qytetarët shqiptarë, nuk harrojnë dhe nuk kanë për ta harruar mashtrimin e kryeministrit për legalizim falas.