Partia Demokratike dënon kërcënimin e bërë sot ndaj gazetarit të Rilindjes Demokratike, Telnis Skuqi, menjëherë pas botimit të shkrimit investigativ në lidhje me magazinat e drogës dhe rrugët e transportit të saj në Kardhiq të Sarandës.

Gazetari Skuqi ka zbuluar gjithë mekanizmin e grumbullimit të drogës dhe shpërndarjes me mjete të ndryshme transporti duke përfshirë dhe avionët e vegjël.
Gazetari ka lënë një shënim ku thotë se në numrin e nesërm ai do të vijojë me botimin e të tjera fakteve tronditëse.

Publikimi i këtyre të dhënave mesa duket ka prishur qetësinë e personave të përfshirë në këtë trafik të çmendur droge dhe ka prishur rehatinë e shefave politikë të narkotrafikantëve.
“Si shumë të lirë e ke dorën, por ta skuqim mir ne, legen” , këtë mesazh i kanë dërguar gazetarit sot në orën 9 e 8 minuta të mëngjesit. Kërcënuesi ka bërë kujdes të mos lërë gjurmë, duke përdorur metodat e dërgimit të mesazhit përmes internetit.

Partia Demokratike dënon shantazhin ndaj shtypit opozitar dhe i kërkon qeverisë dhe Kryeministrit të marrë masa.

Partia Demokratike inkurajon gazetarët dhe median në rolin e tyre informues dhe qëndron pranë tyre në këto ditë të vështira ku dalin të dhëna se struktura kyçe të shtetit janë përfshirë në trafikun e drogës.

Vetë trafiku i drogës në këto përmasa, por dhe kërcënimi i gazetarëve që shkruajnë për të, nuk mund të bëhen pa dijeni dhe pa bekimin e Kryeministrit dhe ministrave të tij.


 

Deklaratë e koordinatores për media Silvi Bardhi, 19 Prill 2014