Deputeti Kruja, dënon mosreagimin e Kryeministrit dhe kërkon nga Policia e Shtetit zbardhjen e menjëhershme të aktit terrorist.
Një akt i rëndë terrorist ka ndodhur sot në mes të ditës, në mes të Tiranës, teksa dy persona të maskuar kanë qëlluar me armë ndaj dy djemve të Fatbardh Plakut. Djali 19 vjeçar i kryetarit të Komunës së Farkës, po merrte nga shkolla vëllain e tij 11 vjeçar dhe të dy po kthehenin në shtëpi me makinë. Rrugës ata janë qëlluar nga dy persona me skafandra, me motocikletë, me armë zjarri.
Ky krim i rëndë ndaj familjes së kryetarit të zgjedhur të Komunës së Farkës, është i dyti brenda muajit, kur ende nuk është zbardhur nga policia atentati i parë me anti-tank. Partia Demokratike e cilëson këtë një akt terrorist të paprecedentë. Ngjarja e sotme, tregon se rendi është në ditën më të keqe. Partia Demokratike i kërkon Policisë së Shtetit të zbardhë ngjarjen dhe të marrë menjëherë në mbrojtje kryetarin e komunës së Farkës dhe familjen e tij. Partia Demokratike i kërkon Kryeministrit të mos bekojë me heshtjen e tij goditjen e përsëritur ndaj familjes së kryetarit demokrat të komunës së Farkës. Ne i kërkojmë Kryeministrit, të marrë masa të menjëhershme. Kur sulmohet me armë djali i mitur 11 vjeçar dhe djali 19 vjecar, teksa kthehen nga shkolla për në shtëpi, situata ka prekur fundin. Fëmijët në Shqipëri nuk janë prekur në asnjë kohë, nga asnjë kod. Cfarë tjetër duhet të ndodhë që Edi Rama të reagojë??? Tanimë heshtja e kryeministrit e bën atë vetë pjesë të zinxhirit kriminal që po trondit cdo ditë qytetarët e vendit.