Zëdhënësja Vorpsi denoncon hapat mbrapa në arsimin publik.
Fjalë të bukura shumë ka Edi Rama dhe qeveria, për arsimin. Por cfarë ndodh me shkollat tona, është krejt e kundërta. Pasi emëroi në krye të drejtorive arsimore radhën e militantëve më të epur socialistë, pasi i detyron mësuesit të mbushin formularë me vlerësime e superlative për shefat e tyre, nën diktat e me dhunë, tani ka ardhur koha që mësimdhënësit e dënuar nga drejtësia për korrupsion, të arsimojnë fëmijët tanë. Në gjimnazin Naim Frashëri në Fier, rilindja e arsimit të Edi Ramës, ka emëruar mësues gjuhe Enertin Dheskalin, të dënuar nga gjykata e Vlorës me dy vite burg për korrupsion. Dheskali, kur ishte pedagog në Universitetin e Vlorës, merrte para në këmbim të notës në provime. 70 mijë lekë për notë kaluese, 100 mijë lekë për notë të mirë. Policia dhe prokuroria zbuluan mekanizmin dhe e arrestuan Dheskalin. Gjykata e rrethit e dënoi me dy vite burgim dhe 600 mijë lekë gjobë, ne vitin 2009. Një vit më pas, Gjykata e Apelit të Vlorës, e la në fuqi të njëjtin vendim, duke i dhënë dënimit formë të prerë. Kjo pra është e vërteta e arsimit të Edi Ramës. Fjalë të bukura nëpër sallone, ndërsa në terren kthim mbrapa në ditët më të vështira për shkollat tona.