Deputeti Kruja denoncon rastin flagrant të zaptimit të parcelës së qytetarit, nga përfaqësuesi i shtetit.
Kemi paralajmëruar publikun për instalimin e oligarkisë në vend. Po denoncojmë sot një rast tipik, se cfarë bëjnë në terren ushtarët e dyhes Rama-Meta, kur kjo dyshe shkel Kushtetutën, shkel ligjin, merr kompetencat e Presidentit, dhe kap çdo institucion të pavarur të vendit. Një shef i task-forcës së INUK, Alket Hyseni, ka zaptuar pronën private të një qytetari në Golem, në mes të ditës dhe nën hundën e të gjithë institucioneve.
Historia është kjo. Fatmir Musaj ka ndërtuar një fshat turistik. Shefi i INUK-ut të Edi Ramës ka blerë mëparë aty një vilë. Jo vetëm që nuk ia ka shlyer të gjithë pagesën investitorit të fshatit tursitik, por tani që ka marrë detyrën e rëndësishme, i thotë pronarit se ka ndërmend ti marrë edhe parcelën ngjitur me vilën e tij, ende të papaguar. Dhe ashtu bën, e rrethon, e betonon, dhe e bën të tijën.
Investitori ankohet në polici. Ankohet tek INUK. Ankohet kudo, po nuk gjen zgjidhje. Punimet vazhdojnë. Pronari i tokës ka bërë kallzim në Prokurori. Partia Demokratike e denoncon këtë akt banditesk e të frikshëm të marrjes së pronës me dhunë, nga një përfaqësues i shtetit, duke abuzuar me postin dhe lidhjet qeveritare që gëzon. Partia Demokratike i kërkon prokurorisë që të hetojë menjëherë dhe të vërë para përgjegjësisë këtë shef të INUK-ut të Edi Ramës.
Ky është një precedent i rrezikshëm për Shqipërinë dhe një këmbanë alarmi për mungesën e sigurisë juridike, që tregon se qytetarët janë krejt të pambrojtur nga ligji, nga shteti, dhe se në Shqipëri nën dyshen Rama-Meta, është instaluar rregulli i xhunglës, ku fiton më i forti.