Deputetja Vokshi denoncon modifikimin e kritereve të tenderit në kundërshtim me ligjin, çka i hap rrugën abuzimeve dhe kërcënon shëndetin publik.

 

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka ndërhyrë në tenderin e ilaçeve, në kundërshtim flagrant me ligjin duke i hapur rrugën një abuzimi skandaloz me financat dhe me sigurinë e pacientëve shqiptarë, duke lejuar hyrjen në treg të ilaçeve të paautorizuara.

Me anë të shkresës me datë 21.03.2014, me anë të së cilës Ministri Beqaj, i ka hapur rrugën falsifikimit të ilaçeve dhe futjes së medikamenteve të rrezikshme për shëndetin, për të kënaqur interesat financiare të grupimeve të farmaceutikës që ndodhen pranë qeverisë dhe atyre që financuan fushatën rilindase.

Modifikimi i kritereve të tenderit, me urdhër të Ministrit, në kundërshtim të hapur me dy nene të ligjit, është më e pakta vepër penale me pasoja të rënda në komunitet pasi shkatërron sigurinë e mjekimit.

Legjislacioni shqiptar e ka të parashikuar qartë rastin kur Ministri ndërhyn në këtë procedurë, dhe sipas ligjit kjo bëhet vetëm në raste katastrofash. E vetmja katastrofë aktualisht, është mënyra se si po qeveriset shëndetësia dhe spitalet në vend.

Në mundësinë më të parë që u jepet, ndërhyjnë në tender, shkelin ligjin, favorizojnë klientelën e tyre dhe vënë në rrezik shëndetin publik duke i hapur rrugën një abuzimi të paprecedent me ilaçet.

Ky është modeli i Edi Ramës për shëndetësinë, ky është ministri rilindas.