Deklaratë e deputetit Aldo Bumçi
Partia Demokratike i bën thirrje Ministres së Mbrojtjes të mos fshihet pas deklaratave mediatike por të bëjë transparencën mbi përgjegjësitë e institucionit që drejton në lidhje me trafikun ndërkombëtar të drogës, nëpërmjet vënies në dispozicion të infrastrukturës së forcave të armatosura.
Partia Demokratike është thellësisht e shqetësuar për këtë dhe për dëmtimin e rëndë që i bëhet reputacionit të vendit në sytë e aleatët tanë euroatlantikë.
Deri në këtë moment Ministrja e Mbrojtjes ka refuzuar të përgjigjet në lidhje me këtë çështje. Në këto kushte, ne i kërkojmë zonjës Ministre të Mbrojtjes, të shprehet qartë:
1- A është ajo në dijeni të shqetësimit për përdorim të mundshëm të infrastrukturës së forcave të armatosura në trafikun e drogës?
2- A ka informacion ajo se si ka ndodhur që kjo strukturë e rëndësishme e shtetit, pjesë e NATO-s, është përdorur në trafikun e drogës?
3- Çfarë masash ka marrë ajo përballë këtyre ngjarjeve të rënda?
Ne i kërkojmë zonjës ministre të bëjë publike sa më shpejt informacionin që ajo ka. Kjo do të ishte në shërbim të interesit publik, transparencës, në shërbim të forcave të armatosura dhe të shtetit shqiptar.