Zëdhënësja Vorpsi denoncon planin e mazhorancës për të mos dhënë llogari mbi informacionin për përdorimin e infrastrukturës së mbrojtjes nga narkotrafiku

 

Mazhoranca Rama-Meta u investua në një tjetër përpjekje për të çorientuar opinionin publik, dhe për të mbyllur çdo mundësi hetimi dhe zbardhje të së vërtetës lidhur me dyshimet për përdorimin e infrastrukturës së mbrojtjes nga trafiku i drogës.

Vetëm 24 orë më parë, vetë dyshja Rama-Meta hodhi idenë e ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar. Ndërkohë sot duke zbatuar planin e tyre për të mos bërë transparencë, kryetari i Kuvendit citoi pretekste ligjore për të mos lejuar komisionin që vetë e propozuan.

Të gjendur nën akuzën e rëndë se kanë qenë të mirinformuar mbi përdorimin e infrastrukturës së mbrojtjes nga trafikantët e drogës, por e kanë mbajtur të fshehtë, tashmë Rama dhe Meta janë gati të bëjnë gjithçka për t’i ikur çdo lloj llogaridhënie, çdo lloj transparence.

Partia Demokratike e dënon qëndrimin e përsëritur të papërgjegjshëm të dyshes Rama-Meta, dhe lojën e tyre tinëzare për të shmangur llogaridhënien para opozitës dhe opinionit publik.

Ne i sigurojmë qytetarët se nuk do të reshtim përpjekjen tonë, derisa kjo ngjarje të zbardhet. Deri sa Rama dhe Meta të japin llogari se përse e kanë mbajtur të fshehtë informacionin për përdorimin e infrastrukturës së mbrojtjes nga narkotrafiku.