“Ne urojmë që konsensusi i cili u premtua dhe pastaj u kthye në një të paqenë, të kthehet dhe të jetë vlerë me të cilën i përvishemi një reforme, siç është reforma territoriale-administrative. Nuk është asnjëherë vonë për të reflektuar. Nuk kemi kërkuar asnjëherë asgjë më shumë seç ka qenë tradita 23-vjeçare e bashkëpunimit politik për reforma të tilla në Shqipëri, nuk kërkojmë asgjë më shumë seç kërkon Kushtetuta për respektimin e opinionit të qytetarëve në vendimmarrje të tilla.
Nuk e kuptojmë nxitimin e mazhorancës drejt veprimeve të njëanshme për rivizatimin e kufijve, kur reforma duhet shumë më e thellë dhe përfundimi i reformës duhet t’i shërbejë qytetarëve, jo partive politike dhe as hartave elektorale. Ndaj edhe një herë i bëj thirrje kryeministrit Rama, kryetarit të Kuvendit Meta, si dy bashkëkryetar të mazhorancës të bëjnë të mundur konsensusin. Asnjë paragjykim nuk ka vend, opozita do ta përdorë konsensusin në mirëbesim për të arritur një produkt në shërbim të qytetarëve. Nga ana tjetër refuzimi i konsensusit do të ketë pasoja dramatike, do të zhvlerësojë çdo hap të njëanshëm dhe do të fusë vendin në një spirale destabiliteti politik sepse refuzimi i konsensusit për këtë reformë është në fakt refuzim i bashkëjetesës demokratike”.