Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti sot në takim Drejtorin për Europën Jugore dhe Qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit, zotin Jonathan Moore, me të cilin ndau pikëpamjet për zhvillimet më të fundit në Shqipëri dhe më gjërë.
Kryetari i Partisë Demokratike e njohu zyrtarin e lartë amerikan me gjendjen shqetësuese të demokracisë në vend, duke u ndalur kryesisht në dy çështjet themelore që kanë të bëjnë me zbatimin e vendimit të gjykatave dhe respektimin e mandatit të institucioneve të pavarura.
“Mazhoranca nuk respekton vendimet e gjykatave dhe po cënon mandatin e institucioneve të pavarura duke tentuar kapjen e tyre”, u shpreh Basha duke theksuar se ky është një zhvillim negativ për vendin që vë në rrezik themelet e shtetit ligjor dhe demokracisë në Shqipëri.
Z.Basha ripohoi mbështetjen pa kushte që opozita po i jep integrimit europian të vendit dhe e njohu me hapat e hedhura nga PD në mbështetje të marrjes së statusit të vendit kandidat. Por nga ana tjetër, Partia Demokratike nuk mund të pajtohet për asnjë çast dhe të mbyllë sytë para shkeljes së normave demokratike dhe zhbërjes së standardeve nga mazhoranca Rama-Meta.
Kryetari i Partisë Demokratike e njohu z.Moore me aktet e qeverisë për kapjen e institucioneve të pavarura, si ILDKP dhe AMA, për uzurpimin e kompetencave të Presidentit, për rritjen e arbitraritetit dhe dhunimin e të drejtave të qytetarëve, si të drejtën e pronës, duke përfshirë shumë raste dhune e keqtrajtimesh fizike të qytetarëve edhe para mediave.
Basha e informoi gjithashtu z.Moore për vazhdimin e spastrimeve në administratë, çka ka çuar deri më tani në largimin e paligjshëm të më shumë se 7 mijë nëpunësve nga puna.
Por më e rënda, theksoi kryetari i opozitës, mbetet mosrespektimi i vendimeve të gjykatave, duke sjellë si shembull injorimin nga qeveria të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin e Nëpunësit Civil, apo për tejkalimin e kompetencave të INUK si dhe mosrespektimin nga qeveria tw qindra vendimeve të tjera të formës së prerë.
Z.Moore tha se respektimi i vendimit të gjykatave është një standard ndërkombëtar dhe Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara kur standartet ndërkombëtare nuk respektohen. Zyrtari i lartë amerikan shprehu edhe një herë vlerësimin për qëndrimet e opozitës në favor të procesit të integrimit europian të vendit dhe cmoi hapat institucionalë që ka ndërmarrë Partia Demokratike me dërgimin e cështjeve në Gjykatë.
Me rastin e 5 vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Nato, zoti Basha shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë në këtë proces.