Bruksel / Deputetja e PD në takimin vjetor të Bordit të Përgjithshëm të Forumit të Grave Popullore Europiane.

 

“Të drejtat e grave në Shqipëri janë të rrezikuara. Qeveria në Tiranë në shkelje flagrante me ligjin e nëpunësit civil, ka përzënë nga puna për shkaqe politike mbi 7000 profesionistë, gjysma e tyre janë  gra dhe vajza, mes tyre nëna kryefamiljare , gra rome dhe familjarë  të  ish të përndjekurve politikë  gjatë regjimit Hoxha. Gjykata Kushtetuese rrëzoi skenarin e Kryeministrit Rama për spastrimin e administratës nga profesionistët dhe zëvendësimin me militantë dhe familjarë të  oborrit kryeministror, por revanshi i qeverisë nuk ka të ndalur”

Kështu deklaroi në Bruksel , Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, deputetja Albana Vokshi gjatë  takimit vjetor të Bordit të Përgjithshëm të Forumit të Grave Popullore Europiane.

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi informoi edhe për presionet e qeverisë ndaj 6 kandidateve gra, të cilat nën frikën e kërcënimeve hoqën dorë nga mandati i deputetit.

Ndërkohë që gjatë fjalës së saj u ndal edhe në sulmet që Qeveria Rama ka nisur ndaj institucioneve kushtetuese, Institucionit të Presidentit,ILDKP,AMA .

Europarlamentaret shprehën shqetësim për situatën në Shqipëri në prag të diskutimit të statusit për vendin kandidat. Presidentja e Forumit të Grave Popullore Europiane Doris Pack, duke mbështetur politikën konstruktive të ndjekur nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kritikoi ashpër zhvillimet në regres të plotë në Shqipëri dhe theksoi se vendi ka nevojë urgjentë të ecë para në rrugën e integrimit.