Të nderuar deputetë,

Me  lejoni të shpreh në emër të Partisë Demokratike, besoj në emër të opozitës dhe grupit të saj parlamentar,  kënaqësinë  tonë të veçantë për zhvillimin me sukses gjatë 4 ditëve fundit të javës që lamë pas, të zgjedhjeve për Parlamentin Europian.

Forcat politike europianiste, të djathta, të qendrës dhe të majta, e ruajtën avantazhin e  thellë ndaj euroskeptikëve, pavarësisht prej avancimit të tyre në ndonjë vend të  veçantë.

Spektri politik i Parlamentit  Europian  tregoi përsëri se Bashkimi dhe Zgjerimi mbeten  ëndrra, qëllimi dhe vullneti i shumicës dërmuese të zgjedhësve dhe qeverive europiane.

Ky  është një lajm shumë i mirë  edhe për vendin tonë.

Vota e ditës së djeshme mban hapur perspektivën europiane të Shqipërisë dhe është një sinjal i fuqishëm për  të shpresuar në marrjen  e statusit të vendit kandidat në muajin e ardhshëm.

Si forcë politike, natyrisht, kemi edhe një gëzim tjetër të madh, që lidhet me rikonfirmimin e Partisë Popullore Europiane si forca e shumicës në Parlamentin Europian.

Partia Demokratike e Shqipërisë i uron nxehtësisht fitoren partive  simotra të PPE dhe ndan bashkë me ta gëzimin e ligjshëm edhe përgjegjesinë për të  mbrojtur e zhvilluar në  vazhdimësi vlerat e lirisë dhe Europës së popujve mbi të cilat mbështetet vizioni ynë i përbashkët.

Votimet e djeshme  janë për ne një nxitje  e re për të çuar përpara  ëndrrën europiane të shqiptarëve dhe për  të afruar ditën e  bekuar kur edhe shqiptarët  do të votojnë për Parlamentin dhe qeverinë e familjes së madhe europiane. Parandjenja më thotë se në vazhdën e arritjeve më të shënuara në fushën e integrimit europian e euroatlantik të Shqipërisë,  kjo ditë do të vijë me demokratët  në qeverisje.

Ne do të punojmë, siç po punojmë për të, edhe tani në opozitë.

Zonja dhe zotërinj.

Beteja jonë  kryesore e kësaj periudhe, të cilën po e zhvillojmë me vendosmëri të madhe  prej disa javësh, brenda  dhe jashtë Kuvendit të Shqipërisë,  shënoi një stad të ri  me protestën popullore të së  premtes para kryeministrisë.

Mijëra e dhjetëra mijëra qytetarë nga Tirana dhe rrethe të ndryshme vendit  iu përgjigjen  thirrjes sonë, iu përgjigjen thirrjes së aleancës kombëtare kundër drogës, duke vërshuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”  për t’i dhënë zërin e tyre qëndrimit tonë “Një popull në këmbë kundër drogës” dhe për  të kërkuar  largimin e  kryeministrit Edi Rama dhe kupolës së tij nga drejtimi i qeverisë.

Mijëra  e mijëra  të tjerë ishin me  mendje   dhe me zemër  në bulevardin e protestës, ku shqiptarët e lirë  ngritën  të  premten barrikadën  më të madhe  popullore deri më sot kundër narkotrafikut  dhe krimit të organizuar, dhanë mesazhet më të  fuqishme deri më sot  kundër   drogës,  kundër tragjedive që ajo ka sjellë e sjell për  individët, familjet dhe shoqëritë që bien nën zgjedhën e saj, kundër paligjshmërisë, kundër  shfrytëzimit  dhe skllavërimit të njerëzve në xhunglën e  veprimtarive kriminale, kundër  iluzioneve të  fitimit dhe pasurimit përmes drogës, kundër  rreziqeve  të mëdha,  deri vdekjeprurëse për lirinë, zgjedhjet  e lira dhe demokracinë, që përmban narkotrafiku i ngritur  në sistem, si ky që  po merr vrull e bum të paparë në qeverisjen e sotme të  Edi Ramës dhe aleatit të tij Ilir Meta.

Protesta e të premtes   është një ngjarje e madhe për demokracinë dhe për qytetërimin shqiptar. Përvoja europiane dhe botërore ka treguar se përballjet qytetare dhe popullore me këtë fenomen më të agravuarin e krimit të organizuar, siç është narkotrafiku,  kanë marrë kohë dhe janë  tregues i një pjekurie e vetëdije të lartë për pasojat e shkatërrimit të narkotrafikut  në rrafshin shoqëror, njerëzor dhe politik.

Ndaj jemi shumë  të entuziazmuar e të  inkurajuar  nga protesta, që  na impenjon për të vazhduar përpara, për  të forcuar e zgjeruar aleancën  kombëtare kundër  narkotrafikut, për të  organizuar  e drejtuar protesta të reja,  akoma më të mëdha e më gjithpërfshirese derisa  karteli i drogës të marrë arratinë, derisa  përgjegjesit politikë me Edi Ramën në krye  të  largohen nga qeveria.

E kemi theksuar vazhdimisht  se kjo nuk është një betejë si çdo betejë. Asnjë vend që ka rënë apo është  gjendur në periudha  të caktuara nën agresionin e mafias, krimit të organizuar  dhe narkotrafikut nuk ka fituar përballë tyre pa qytetarët, pa popullin në këmbë. Kjo betejë mund të fitohet e do të fitohet  vetëm si e tillë.  Ja përse, duke  mbështetur  fuqishëm  organet e drejtësisë të bëjnë me  përkushtim dhe profesionalizëm punën e tyre  të pazëvendësueshme për  hetimin dhe ndëshkimin ligjor të narkotrafikut e narkotarfikantëve,  ne si opozitë, në detyrën dhe misionin që kemi, kemi ndërmarrë lëvizjen për   bashkimin e madh kundër drogës.

Aleanca  kombëtare e krijuar për këtë qëllim do të  mblidhet  kësaj jave për të  përcaktuar  një program të detajuar të veprimeve dhe propozimeve  të saj në funksion  të qëllimit për të  cilin është krijuar, duke  filluar  me sensibilizmin e   mëtejshëm të publikut,   rinisë  studentore  dhe rinisë në përgjithësi, duke vazhduar me përgatitjen  e një pakete propozimesh në rrafshin ligjor dhe për përcaktimin e kalendarit të ri të aksionit opozitar. Ne duam, synojmë e do të punojmë për zgjerimin  maksimal të kësaj aleance jetike, duke ftuar të marrin pjesë të gjitha partitë dhe organizata e shoqërisë civile që ndajnë me ne dhe këtë aleancë qëndrimet e saj të shpallura.

Në këtë kuadër, vektori parlamentar i betejës  sonë kundër narkotrafikut  ka qenë dhe mbetet  vektori i pararojës dhe energjisë  me një ndikim të  jashtëzakonshëm për rritjen e ndjeshmërisë së qytetarëve shqiptarë  dhe ndërgjegjësimin e tyre për të  vertetën përmes ballafaqimit sy për sy me palën qeveritare dhe mashtrime e saj tashmë evidente për të madh e të vogël. Aula e parlamentit do të  vazhdojë të mbetet aula e vijës së parë për deputetët tanë, për Grupin tonë Parlamentar, për aleatët tanë por kontributet tuaja janë të një rëndësie të  veçantë edhe në takimet me zgjedhësit dhe me qytetarët për të përcjellë e popullarizuar sa më shumë mesazhet e protestës  së të premtes, për të konsultuar veprimet  e reja dhe aksionin e ri, për të ngritur më tej frymën  qytetare të kundërshtimit dhe përballjes me gjëmën e narkotrafikut.

Kjo betejë duhet të fitohet me çdo kusht. Është detyrë dhe mission jo vetëm opozitar por kombëtar dhe historik.

Nuk ka e nuk do të ketë Shqipëri europiane me narkotrafikun e shtuar këmbëkryq në vend.

Nuk ka e nuk do të ketë zgjedhje të lira në Shqipëri me lumin e parave të pista të narkotrafikut e krimit të organizuar, që pasi ka bërë  provat  e para për blerjen e pjesshme të zgjedhjeve të kaluara, përgatitet, nëse do ta lejojmë, të japë  goditjen e madhe të nokautit për demokracinë dhe shtetin ligjor në vend.

Para të pista, zgjedhje të pista, pushtet i pisët!

Ky është triniteti i rrënimit  dhe shkatërrimit të vetë bazave të jetës së ngritur mbi nderin, virtytet dhe moralin e shëndoshë shoqëror e njerëzor.

Ne i kemi rënë kësaj kambane alarmi dhe do të vazhdojmë t’i biem fort, me faktet tronditese që kemi ekspozuar dhe me faktet e reja që dalin në dritë  ditë pas dite, oër pas ore.

E dëgjuat besoj Kryeprokurorin Antimafia të Italisë vetëm pak orë më parë tek konstatoi që jo vetëm sasitë e kapura nga organet italiane të ligjzbatimit janë rritur e shumëfishuar por po kështu sipas analizës së tyre, edhe sasitë që kalojnë, sasitë që konsumohen në vendin e tij, dhe sasitë që tranzitojnë përmes vendit të tij për në Europë.

Prandaj, bazuar mbi këto shqetësime, kemi zbritur në sheshe dhe rrugë me mijëra e mijëra shqiptarë që  të cilët i ndajnë me ne këto shqetesime të mëdha.

Problemi madhor që kemi jo vëtëm si opozitë, por mbarë shoqëria  shqiptare është se në këtë betejë,  me qëndrimet  që kanë mbajtur e mbajnë kryeministri  dhe kupola e tij, qëndrojnë jo në krahun e shqiptarëve, por në krahun e narkotrafikut dhe narkotrafikantëve.

Ne e kemi akuzuar Edi Ramën  si përgjegjësin  numër  një për  përmasat të papara e  frikshme të trafikut të drogës gjatë tetë muajve  të qeverisë së tij, përgjegjesi numër një për shndrrimin  e Shqipërisë në një  bazë kontinentale të narkotrafikut me symbyllje, syshkelje dhe përfshirje qeveritare, duke mos marrë asnjë masë serioze, duke mos shpallur asnjë emergjence kombëtare për ta  ndaluar e luftuar,  por, mjerisht, duke bërë   atë që s’duhet të bëjë e s’bën asnjë qeveri apo kryeministër i përgjegjshëm në botë  në një situatë të tillë: duke luftuar me çdo mjet e në çdo mënyrë opozitën që ngriti zërin, opozitën që denoncoi  avionët  e drogës dhe drogën me avionë, opozitën që  u ngrit në këmbë e para kundër rrezikut kombëtar të narkotrafikut të ngritur në sistem.

Ky është rekordi i qeverisë Rama-Meta: në  periudhën e shpërthimit të paprecedent  të narkotrafikut, periudhë   e zezë  me pasoja shumë të rënda  shoqërore dhe politike për vendin, kjo qeveri  ka zgjedhur të luftojë opozitën dhe jo narkotrafikun, të hetojë opozitën dhe jo narkotrafikun.

E kemi përballë Edi Ramën,  nuk e kemi në krah. E kemi përballë jo thjesht si një kundërshtar politik, se kjo është e do të ishte fare normale. E kemi përballë jo si  kryeministrin socialist, por si kryeministrin e një  kupole   që lundron  prej muajsh  në mënxyrën e narkotrafikut dhe nuk bën asgjë, vetëm tallet e zgërdhihet me batutat e tij të dala boje, kur  opozita dhe qytetarët  i kërkojnë trasparencë dhe llogaridhënie.

Në këtë   vazhdë, edhe reagimi i tij ndaj protestës sonë të së premtes ishte  reagimi tipik i një fajtori të kapur nga rrota e avionit të Divjakës.

Ishte inkurajimi i radhës për narkotrafikun dhe narkotrafikantët. Ishte shprehje  më e qartë e të qënit de fakto  i dorëhequr dhe  i rrëzuar moralisht si kryeministër.

Nuk foli si kryeministër. Foli si një komik i konsumuar. Nuk kishte dëgjuar asnjë mesazh nga moria e mesazheve me rezonim të gjerë shoqëror e politik që dha protesta popullore. Paska qenë në ankth se mos protestuesit e opozitës së sotme  kishin në mendje nga ato gjëra  me të cilët frymëzonte dhe ndërsente  ai protestuesit e tij të dhunshëm kur ishte në opozitë.

Qytetarët   e kanë  rrëzuar Edi Ramën që në momentin kur doli zbuluar si gënjeshtari më  i madh për drogën me avionë.

E vërteta e ka rrëzuar Edi Ramën.

Ia thamë në protestë dhe dua t’ia përsëris: Nuk i ka mbetur veçse të zgjedhë orën e largimit. Sa më shpejt aq më mirë.

Nuk pret njeri të kapet  me thesin e kanabisit, të heroinës apo kokainës në kurriz. Nuk pret njeri të zbulohet ndonjë qarkore ku ai instrukton dhe inkurajon kartelin e drogës.

Por largim i tij është zgjidhja,  largimi i tij është  imperativi, largimi i tij është fitorja e parë e madhe  mbi narkotrafikun, largimi i tij është  i paevitueshëm.

Faleminderit!


Fjala e kryetarit të PD, Lulzim Basha, në mbledhjen e Grupit Parlamentar, 26 Maj 2014