Rama-Tahiri, përpjekje maksimale për pastrimin e skenës së krimit
Megjithë përpjekjet e mëdha të kartelit të drogës, Ministrit të Brendshëm, dhe shefit të tij, Edi Rama për pastrimin maksimal të skenës së krimit në Divjakë, duke penguar me dhunë, për më shumë se dy orë praninë e mediave në vendngjarje, duke larguar e fshehur me sa mundën ngarkesat dhe paratë e drogës nga vendi i ngjarjes, duke qepur shkel e shko deklarata plot kundërthënie dhe vetdiskretituese sikur avioni që ra nuk kishte të bënte me drogën e tyre dhe paratë e tyre. Së fundi, duke terrorizuar për të mbyllur sytë dhe gojën me dhjetëra dëshmitarë okularë, prapëseprapë, e vërteta e trafikut të lëndëve narkotike me avionë në territorin dhe hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë sot u plasi mbi kokë qeveritarëve, zyrtarëve dhe narkotrafikantëve të bashkuar në bandën më të rrezikshme të krimit të organizuar që Shqipëria ka njohur gjatë 23 vjetëve demokraci. Ngjarja e sotme në Divjakë nuk është skandali i radhës, por e jashtëzakonshme për nga përmasat dhe pasojat. Ajo na tregon se sa larg ka shkuar dhe sa shumë fuqi ka marrë karteli i drogës me suport dhe mbështetje politike qeveritare në vend. Por ngjarja e sotme shërben pa më të voglin dyshim për transparencën e trafikut të drogës, problemi më madhor që Partia Demokratike, opozita dhe opinioni publik kanë identifikuar e kanë vënë në qendër të vëmëndjes gjatë javëve të kaluara. Zullumi këputet kur trashet. Zullumi me trafikun e drogës, sipas gjithë informacioneve tona dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, ishte trashur e po trashej kaq shumë, sa që sot u këput. Nuk është thjesht rasti që bëri transparencën e parë të madhe, që i dha publikut shqiptar provën e parë të madhe të pushtimit me leje qeveritare edhe të hapësirës ajrore, pas pushtimit të hapësirës tokësore e detare, nga narkotrafikantët.
Sot konfirmohen informacionet dhe indiciet që kanë dhënë punonjësit e ndërgjegjshëm e patriotë të shërbimeve shqiptare, shërbimet partnere dhe qytetarët e thjeshtë sa në Gjadër, Divjakë, Kardhiq e gjetkë për trafikun e drogës edhe me avionë të vegjël me dijen, lejen, pjesëmarrjen dhe symbylljen kundrejt shpërblimit të qeverisë dhe autoriteteve qeveritare.
Sot konfirmohen shqetësimet dhe akuzat që ka ngritur PD dhe opozita në një betejë të vështirë por të pakthyeshme me papërgjegjshmërinë, shurdhërinë dhe përpjekjet e qeverisë për të shmangur me çdo çmim transparencën. Sot, ata që më demek janë tallur e kanë qeshur me akuzat e opozitës, janë vetëpaditur para opinionit publik si bashkëpunëtorë të hapur me narkotrafikantët. Sot bashkë me avionin e drogës ka rënë edhe çdo kufi mes narkotrafikantëve dhe qeverisë dhe ata kanë dalë para qytetarëve të këtij vendi por edhe para mbarë botës , si një. Partia Demokratike dhe opozita po e ndjekin nga afër me përgjegjësi të madhe ngjarjen e jashtëzakonshme të sotme dhe mbështesin pa asnjë rezervë, inkurajojnë fuqishëm punonjësit e ndërgjegjshëm të gjithë shërbimeve ligj-zbatuese në vend në misionin e tyre fisnik në shërbim të ligjit, sovranitetit dhe imazhit të vendit.
Partia Demokratike ashtu sikundër çdo shqiptare dhe shqiptar kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes nga organet kompetente dhe nxjerrjen e fajtorëve para drejtësisë. Publiku shqiptar, i majtë, i djathtë, i qendrës apo pa parti, burra, gra, të rinj, të reja e të moshuar, nuk mund të pajtohen e nuk mund të pranojnë në asnjë mënyrë të qeverisen nga një grup njerëzish që ka dhënë e po jep prova të pakundërshtueshme se nuk e lufton por e punëson krimin, nuk e lufton por e mbështet trafikun e drogës, nuk është përballë, por është bërë pjesë e kartelit të drogës. Sot bashkë me avionin e drogës ka rënë edhe qeveria e mashtrimeve dhe dështimeve. Nuk ka rrotë apo mushkonjë ta shpëtojë nga gjykimi i drejtë i popullit.