Kryetari i Partisë Demokratike pret në takim drejtorin për zgjerimin në Komisionin Europian
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti sot drejtorin për Zgjerimin në Komisionin Europian, Jean-Eric Paquet, në një takim që u përqëndrua në zhvillimet më të fundit në vend. Z. Basha e njohu z. Paquet me shqetësimet e opozitës për kapjen e institucioneve të pavarura dhe goditjen e sistemit kushtetues të kontrollit dhe balancimit të pushteteve, si në rastin e ndryshimeve të paligjshme të ligjit për ILDKP-në, edhe në rastin më të fundit të ndërprerjes së paligjshme të mandatit të kryetarit të AMA-s. Kryetari i Partisë Demokratike i tha z. Paquet se nuk ka asnjë reflektim pozitiv nga mazhoranca për kërkesat e opozitës për transparencë dhe kontroll parlamentar të ekzekutivit, dhe se qeveria vazhdon të veprojë në shkelje të ligjit dhe të vendimeve të gjykatave si në rastin e largimeve të paligjshme nga puna ashtu edhe në shkatërrimin e pronave të qytetarëve shqiptarë dhe shkelje të tjera të të drejtave ligjore e kushtetuese të tyre. Situata e rendit dhe shumëfishimi i sasisë së drogës tranzit apo të prodhuar në Shqipëri, drejt Italisë dhe Greqisë, është shumë shqetësuese për opozitën, tha Basha. Ai u shpreh se ky lloj përkeqësimi i treguesve të rendit, vjen si pasojë e paligjshmërisë në shkarkimin e profesionistëve dhe në emërimin e personave me histori të dyshimtë për lidhjet e tyre me grupet kriminale apo me një të kaluar kriminale si në polici ashtu edhe në poste të tjera drejtuese të administratës publike. Z. Basha e njohu gjithashtu zyrtarin e lartë të Komisionit Europian me shqetësimin e opozitës për rënien e mbledhjes së të ardhurave në krahasim me parashikimet e vetë qeverisë, dhe rritjen e indikatorëve për korrupsion, duke sjellë si shembull tenderimin me prokurorim të drejtpërdrejtë në 90% të rasteve të evidentuara nga opozita. Kryetari i Partisë Demokratike shprehu dhe një herë mbështetjen e pakushtëzuar të opozitës për marrjen e statusit të vendit kandidat bazuar në rekomandimet pozitive të Komisionit Europian dhe plotësimin e kritereve të vendosura, dhe shprehu vendosmërinë e opozitës për angazhimin e saj së bashku me të gjithë faktorët e tjerë të shoqërisë në mbrojtje të standardeve europiane të demokracisë dhe shtetit ligjor.