Deklaratë e Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha
Edi Rama urdhëroi sot banditët dhe trafikantët e dënuar që ai ka futur në Parlament, për të sulmuar fizikisht sekretarin e Grupit Parlamentar Demokrat, Gent Strazimiri.
Prapa këtij akti banditesk, qëndron Edi Rama, njeriu që organizon dhe urdhëron sulmet fizike ndaj opozitës, në përpjekjen për të mbyllur gojën e deputetëve të Partisë Demokratike.
Në mënyrë të përsëritur, Edi Rama vetë ka kërcënuar përfaqësues të opozitës dhe ka ndërsyer kundër deputetëve të Partisë Demokratike, njerëzit e kartelit të drogës, të cilëve Edi Rama u ka siguruar karrige në Parlament.
Në emër të Partisë Demokratike dhe gjithë opozitës shqiptare, dënojmë këtë akt banditesk, dhe skenarin e Edi Ramës që kërcënon drejtpërdrejt deputetët e opozitës, kërcënon demokracinë në vend.
Kur sulmohet fizikisht opozita, vendi është në krizë.
Edi Rama ka dështuar në çdo drejtim dhe situata e rendit, gjendja ekonomike dhe sociale, tashmë i kanë dalë jashtë kontrollit. Sot vetëm karteli i drogës ndihet i fuqishëm në Shqipëri me Edi Ramën dhe së bashku guxojnë të sulmojnë fizikisht opozitën.
Ky është një skenar i rrezikshëm që Edi Rama po mundohet të zbatojë në vend, për ta mbajtur pushtetin me instalimin e dhunës dhe frikës me ndihmën e ushtarëve të kartelit të drogës në Parlament.
Partia Demokratike ka kaluar gjithnjë në sprova të vështira, dhe ka arritur gjithnjë të fitojë mbi regjimet që dhunojnë dhe kërkojnë të mbyllin gojën e opozitës.
Partia Demokratike do të triumfojë serish edhe mbi regjimin aktual të narko-trafikut. Edi Rama do të përgjigjet personalisht për këtë skenar dhune.