Kryetari i Partisë Demokratike takohet me Presidentin e Senatit Italian, Pietro Grasso.
Kryetari i Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha, u takua sot paradite me Presidentin e Senatit Italian z. Pietro Grasso, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Tiranë. Kryetari Basha ndau me z.Grasso pikëpamjet se vetëm konsolidimi i shtetit ligjor dhe institucioneve të pavaruara është rruga për ti bërë ballë sfidave të luftës kundër krimit dhe trafiqeve, korrupsionit dhe kapjes së segmenteve shtetërore përgjegjëse për zbatimin e ligjit. Në këtë kuadër riaktivizimi i trafiqeve të drogës nga Shqipëria drejt vendeve fqinje, dukuri që prek pothuajse çdo ditë edhe Italinë, është e papranueshme pasi cënon rëndë sigurinë në vend dhe imazhin e Shqipërisë përballë partnerëve më të rëndësishëm europianë. Duke u ndalur tek zhvillimet në vend, z.Basha tha se pasiguria juridike si rezultat i vendimeve arbitrare dhe shpesh të jashtligjshme të qeverisë, si dhe moszbatimi i vendimeve të gjykatave nga ana e qeverisë, ka dëmtuar shumë interesat e qytetarëve shqiptarë dhe të investitorëve të huaj. Duke marrë si shembull anulimin arbitrar nga qeveria të dhjetra koncesioneve të ligjshme, transparente dhe konkuruese të sipërmarrësve italianë në vendin tonë, Basha tha se kjo dëmton klimën e biznesit, interesat e investitorëve italianë, dhe qytetarët shqiptarë pasi shkurton në mënyrë dramatike vendet e punës. Kryetari i Partisë Demokratike i shprehu Presidentit të Senatit mbështetjen e pakushtëzuar të opozitës për integrimin europian të Shqipërisë dhe marrjen e statusit të vendit kandidat. Sa i përket marrëdhënieve dypalëshe, Basha shprehu vlerësimin më të lartë dhe mirënjohjen më të thellë për të gjithë mbështetjen politike, ekonomike e të gjithanshme që Italia mike i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe, në të gjitha fushat, dhe në veçanti, në projektin madhor të anëtarësimit në BE. Z.Basha vleresoi rolin prej partneri strategjik që Italia ka ruajtur në vazhdimësi në marrëdhëniet me Shqipërinë duke u renditur për mëse dy dekanda në partnerin kryesor përsa i përket shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare.