Mbledhja e Grupit Parlamentar/ Thirrja e Kryetarit të Partisë Demokratike drejtuar qytetarëve për të dhënë të premten në orën 11 para Kryeministrisë, mesazhin kundër kapjes së vendit nga karteli i drogës
Të nderuar deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike
Të nderuar deputetë aleatë
Qëkurse nisëm betejën kundër narkotrafikut me symbyllje, syshkelje dhe ortakëri qeveritare kemi qenë të vetëdijshëm e jemi të vetëdijshëm se kjo është një betejë më e vështirë se shumë të tjera që kemi zhvilluar e do të vazhdojnë të zhvillojmë në kursin tonë si opozitë. Kemi qenë të vendosur e jemi me të vendosur se kurrë për ta zhvilluar e fituar me çdo kusht, bashkë me aleatët tanë opozitare, me shoqërinë civile, qytetarët shqiptarë që po bashkohen me ne, jo se të gjithë janë me Partinë Demokratike sa i takon përkatësisë apo simpatisë partiake, por ngaqë e kanë kuptuar dhe po e kuptojnë çdo ditë se kjo betejë nuk është politike por kombëtare, nuk është për të fituar pikë njëra apo tjetra forcë politike, por për të shpëtuar vendin tonë të përbashkët nga më i madhi i rreziqeve, që është ai i krimit të organizuar me suport politik dhe me shtrirje në vetë strukturat e qeverisë dhe institucioneve shtetërore.
Ky rrezik nuk është më teorik, por real, me real se kurrë.
Nuk është më në horizont, por i shtuar këmbëkryq.
Nuk zvarritet në terr, por fluturon, ka kapur qiellin, ka alamuar të madh e të vogël, u ka ulur kokën gjithë shqiptarëve që nxjerrin jetën me punë të ndershme, ka ndezur indinjatën dhe ndjenjën e tyre të revoltës.
Detyra jonë si opozita e vendit është të ndërgjegjësojmë shqiptarët çdo ditë me fakte dhe argumente për të vërtetën e plotë të këtij rreziku, t’i ngremë në këmbë, tu prijmë, të jemi në ballë të protestave të tyre, të ndajmë me ta në fushën e betejës zgjidhjen tonë, opisonin tonë të menduar thellë, me përgjegjësisë e largpamësi, largimin e Edi Ramës dhe kupolës së tij nga drejtimi i qeverisë.
E kemi filluar të enjten e kaluar në Kuvend dhe në protestën e parë të hapjes që do të pasohet me protestën e madhe mbarëpopullore të ditës së premte para kryeministrisë nën moton “Një popull në këmbë kundër drogës- Edi Rama, në shtëpi”.
Protesta popullore e ditës së premte do të jetë një ngjarje me peshë dhe rendësi të veçantë për ecurinë e betejës që kemi nisur.
Duke ju falënderuar të gjithëve për kontributin e dorës së parë që keni dhënë që prej fillimit, kërkoj sot nga secili prej jush, sikurse kërkoj nga gjithë strukturat dhe koordinatorët e PD, nga të zgjedhurit në detyrë dhe zgjedhurit e rinj, maksimumin e përpjekjeve për të zhvilluar të premten në Tiranë një nga protestat më madhështoret që ka njohur demokracia.
Qytet me qytet, lagje me lagje, fshat me fshat, derë me derë, kokë me kokë me njerëzit, për t’u thënë tonat pse jemi kaq të shqetësuar dhe pse kemi dalë me këtë zgjidhje, për të dëgjuar të tyret dhe për tu përbashkuar në veprimin, për aksionin, për protestën sot, për zgjidhjen e këtij halli të madh që po pllakos vendin.
Shqetësimi ynë, që është edhe shqetësimi i mbarë qytetarëve pa dyshim, është narkotrafiku i ngritur në sistem, është ligji i drogës në vend të ligjeve të popullit, pushteti i drogës në vend të pushtetit të ligjit, sistemi i drogës në vend të skrupujve, moralit dhe mënyrës të jetës së qytetarëve.
E keqja e drogës i bashkon në një të dyja anët e medaljes: aspektin shoqëror dhe aspektin politik. Ku ka një parcelë me drogë ka armë që e ruajnë, ku ka trafik droge ka njerëz të armatosur që e shoqërojnë, ku ka shkëmbim droge ka shkëmbim krimi, ka shkëmbim zjarri, ka drama, ka gjak, ka zi, ka shkatërrim për familjet, për mbarë shoqërinë.
Trafiku si kurrë ndonjëherë i lëndëve narkotike nga toka, nga deti dhe nga ajri, përbën sot agresionin me të madh ndaj normave dhe parimeve mbi të cila mbështetet edukimi dhe formimi i fëmijëve, i të rinjve, i brezave të ardhshëm; ndaj normave dhe parimeve të punës së ndershme, ndaj imazhit tonë si popull dhe si vend, ndaj lirive që kemi fituar dhe mund t’i humbasin një nga një në qofte se do të lejojmë që pushteti i drogës të marrë frenat, të marrë timonin, domethënë të marrë kamxhikun sepse pushteti i drogës njeh vetëm një mjet: dhunën.
Për shkak të krizës ekonomike që ka kapluar vendin, për shkak të mungesës së shpresës dhe besimit tek e nesërmja, ka njerëz që mendojnë se droga sjell para, se droga sjell të ardhura. Dua tu parashtroj këtë pyetje bashkëqytetarëve tanë që kanë dilemën më të vogël nëse droga sjell mirëqenie.
Të përmendin një vend, një shoqëri e cila ka bërë përpara përmes narkotrafikut dhe drogës, në Europë apo jashtë Europës? Nuk ka të tillë. Droga vetëm ka shkatërruar, droga vetëm ka hapur varre, droga vetëm ka hapur plagë, droga ka hedhur njerëzit kundër njëri-tjetrit, ka hedhur familje kundër njëri-tjetrit dhe ka kthyer prindërit kundër fëmijëve, fëmijët kundër prindërve. Ka ndjellë konflikt social, ka tundur nga themelet shoqëritë. Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë përparim për asnjë shoqëri që mendon apo tundohet nga paratë e drogës si rrugëdalje nga kriza.
Këto nuk janë më disa vërteta teorike që ia themi njëri tjetrit në seminaret kundër drogës. Janë të vërteta dramatike që po mbështjellin çdo ditë jetën e shqiptarëve me narkotrafikun e ngritur në sistem nën qeverisjen e sotme të Edi Ramës.
Sa më shumë drogë, aq më shumë mjerim dhe varfëri. Ketë aksiomë e vërteton më së miri edhe qeverisja e Ramës ne Shqipërinë e vitit 2014, siç është vërtetuar edhe në vende të tjera, edhe në Kolumbi dhe vende të tjera që kanë patur fatkeqësinë të jetojnë në periudha të caktuara nën zgjedhën e narkotrafikut.
Sondazhi më i fundit i Bankës së Shqipërisë konfirmon situatën gjithnjë në përkeqësim për ekonominë në krizë, konsumin në rënie, punësimin në rënie, varfërinë në rritje të shqiptarëve. Vetëm narkotrafiku ka lulëzuar e lulëzon në qeverinë Rama-Meta. Ata që përfitojnë nga kjo veprimtari kriminale janë gjithmonë një grusht njerëzish të cilët kanë synime që përmes parave të pista të drogës të kapin infrastrukturën politike të vendit, të kapin shtetin dhe qeverisjen. Dhe ky është aspekti tjetër i realitetit të hidhur të vendeve që bien në kllapat e kartelit të drogës.
Këtu vijmë tek përgjegjësia direkte e Edi Ramës dhe kupolës së tij.
I kishin informacionet si ne, madje para nesh për avionët e drogës dhe i fshehën.
Folën qytetarët kurajozë nga Divjaka, Bedati, Kardhiqi, Gjadri, Vranishti, Novosela, Akërnia e gjetkë për avionët e drogës e drogën me avionë.
Edi Rama zgjodhi përsëri mohimin, shpërfilljen, fshehjen.
U tallen me denoncimet e opozitës për një problem kaq serioz dhe të rëndë. Bashkë me ministrat e tij u sollën siç nuk i falet asnjë nëpunësi të thjeshtë, as zyrtarit më të ulët të administratës shtetërore. I lanë dëshmitarët nën kërcënimin e mafias, siç nuk bën kurrë asnjë shtet dhe asnjë shtetar normal apo siç bën vetëm një qeveri e kriminalizuar që hedh vallen e mafias dhe punon në ortakëri me të.
Kur u kërcënua bashkë me familjen e tij Telnis Skuqi në Gjirokastër, gazetari kurajoz që denoncoi uljen e avionëve në Kardhiq dhe në Vranisht, kur i hodhën kokën e dhisë para shtëpisë dhe i çuan mesazhe për të mbyllur gojën, çfarë ndodhi?! A u mor në mbrojtje?! A u morën masa?! A u hap një çështje?! Asgjë! Edi Rama nuk luajti gishtin. Dhe të njëjtin qëndrim mbajti dhe kur u kërcënua Gentiani në Bedat. E sa të tjerë.
Të njëjtën linjë të vendosur të mohimit, fshehjes dhe driblimit me çdo mjet të së vërtetës, ndoqën Rama me kupolën e tij edhe kur avioni i drogës u plasi mbi kokë.
Kundërthëniet e tyre për ngjarjen e Divjakës janë prova më e qartë e një përpëlitjeje fajtorësh që kanë vetëm një hall, si ti ikin përgjegjësisë. Njëherë thanë se kishin zhvilluan një superaksion policor. Pastaj kur e morën vesh i madh e i vogël, më zë, më figurë dhe me dëshmi të panumërta se avionit të drogës i ishte prishur rrota dhe makinës së drogës i ishte prishur friksioni, pra krimi bashkë me drogën u kishte mbetur në derë, nxorën variantin se kishin ndërmarrë një operacion shpëtimi.
Superaksioni policor për kapje droge dhe operacioni i shpëtimit për shpëtimin e avioni, nuk mund të rrinë bashkë, o njëra, o tjetra (në fakt nuk qëndrojnë asnjëra), por Ramës dhe kupolës së tij aq u bën, mjaft të hedhin sa më shumë tymnajë.
Këtyre gënjeshtrave flagrante u shtuan paranojën e inskenuar që kishte për qëllim të mallëngjente stalinistët e pakët në këtë vend sikur skandalin me avionin e drogës ua kishte kurdisur një forcë e errët. Të gjithë këto absurditete nuk do të meritonin të komentoheshin po të mos ishin dhe të mos jenë sot e gjithë ditën shprehje e qëndrimit konstant të Edi Ramës dhe kupolës së tij ndaj narkotrafikut përmes mohimi, fshehjes, ortakërisë.
Nuk është rastësi që në ditët e debatit më të madh në vend kundër drogës me avionë, avioni ulet në Divjakë të marrë drogë dhe narkotrafiku sulmon me vrull dhe sasi të shtuara Italinë, Gjermaninë, Greqinë. Lajmi i fundit nga Selaniku i Greqisë është kapja e 691 kg drogë nga Shqipëria me destinancion Gjermaninë, me vlerë të përllogaritur në treg mbi 1 milionë euro.
Nuk është e rastësishme që hodhën poshtë të shtunën në konferencën e kryetarëve kërkesën e opozitës për një hetim të plotë parlamentar mbi përmasat e patolerueshme të narkotrafikut dhe përgjegjësitë qeveritare. Kjo është një kuotë e re e ankthit qeveritar për të mohuar transparencën me çdo kusht. Është edhe një kuotë e re arbitrariteti dhe paligjshmërie pikërisht në këtë moment kur Gjykata Kushtetuese e vendit duke ju referuar homologeve të saj gjermane dhe italiane hodhi poshtë vendimin e marrë me dhunën e kartonave kundër Kushtetutës, për të refuzuar kërkesën e opozitës për një hetim parlamentar mbi aferën e pazbardhur kriminale me mbështetje kryeministrore të ndërhyrjes dhe marrjes së të dhënave konfidenciale nga server i tatimeve.
Në dritën e këtyre zhvillimeve, ne e akuzojmë kryeministrin për nxitje dhe inkurajim të trafikut të lëndëve narkotike përmes fshehjes së të vërtetës, talljes me denoncimet e opozitës dhe dëshmitë e shtypit e qytetarëve, indiferencës ndaj kërcënimeve mafioze që kanë marrë gazetarët dhe dëshmitarët.
Sot është akoma më e qartë për opozitën dhe mbarë qytetarët shqiptarë pse janë punësuar aq shumë trafikantë në poste të rëndësishme nga qeveria e Edi Ramës. Pse të jesh narkotrafikant është një avantazh në sistemin, apo më mirë të themi në pseudosistemin e tij të meritës.
Deri sot opozita ka evidentuar me dhjetëra persona me precedentë të pastër penalë në narkotrafikim, apo të dënuar për narkotrafikim që janë emëruar nga e ashtuquajtura Rilindje. Karteli i drogës na shfaqet si bashkëfirmëtar në kontratën e pushtetit me Edi Ramën dhe Ilir Metën.
Do të kishte mjaftuar thjesht intensifikimi pa precedent i narkotrafikut në Shqipërinë e qeverisur prej tij që ky kryeministër të jepte dorëheqjen për paaftësi, për dështim të bujshëm në luftën kundër narkotrafikut dhe për gjithë dështimet e tjera që i kemi bërë disa herë objekt të opozitarizmit tonë.
Ai nuk është përgjegjës vetëm për këtë. Ai është përgjegjësi numër një për gjithë qëndrimin që ka mbajtur e vazhdon të mbajë ndaj shpërthimit të skandalit të drogës.
Njeriu që mohon, njeriu që i ofron koperturë kartelit të drogës përmes qëndrimeve të tij, njeriu që lejon pra inkurajon përmes heshtjes dhe mosveprimit kërcënimin e qytetarëve dhe gazetarëve të këtij vendi për hesap të kartelit të drogës, njeriu që shkallmoi policinë dhe futi në të elementë të inkriminuar që mbështetën trafikun e drogës, nuk kishte si të pranonte përgjegjësinë e tij vetëm se ia kërkoi opozita.
Sot, Partia Demokratike dhe opozita ia ka shtruar për mbështetje dhe miratim këtë zgjidhje të propozuar prej saj qytetarëve shqiptarë.
Largimi i Edi Ramës dhe kupolës së tij nga qeveria është prerja e nyjës gordiane ku lidhen interesat e kartelit të drogës, është imperativ për të çliruar të sotmen dhe të nesërmen e shqiptarëve dhe fëmijëve të tyre nga kthetrat e pushtetit të drogës.
Populli shqiptar, qytetarët e këtij vendi nuk mund të pranojnë të bien nën sundimin e oligarkisë së drogës. Qytetarët e bashkuar janë më të fortë se gjithë narkotrafikantët. Thirrja jonë: tani është ora për të vepruar. Të dalim të premten në protestën e thirrur nga opozita në Tiranë. Të bëhemi me praninë tonë pjesë e një bashkimi të madh dhe të fuqishëm që do ta detyrojë kartelin e drogës të marrë arratinë, dhe Edi Ramën të shkojë në shtëpi. Kjo lëvizje demokratike mbarëpopullore ka për çdo shqiptar një kuptim: mbledhjen në shesh, praninë në shesh. Prania është bashkim, është kundërshtim, është forcë, është fitore.
Faleminderit!