Deklarata për mediat e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, pas daljes publike të kryeministrit Rama.
Të dashur qytetarë shqiptarë!
Pak më parë dëgjuam një apologji të Edi Ramës tre ditë pas skandalit të avionit të drogës, që ngeci në rërën e Divjakës si dëshmia më tronditëse e narkotrafikut nga Shqipëria dhe përgënjeshtrimi më flagrant i fshehjes, gënjeshtrave dhe talljeve cinike të zotit Rama me fluksin e informacioneve dhe denoncimeve për këtë lloj trafiku të panjohur deri më sot në historinë dhe ajrin e Shqipërisë.
Në vend të dorëheqjes, reflektimit apo ndjesës së kryeministrit përgjegjës, shqiptarët brenda dhe jashtë vendit dëgjuan shfrimin e urrejtjes së tij patologjike kundër opozitës, panë përgjërimin tij teatral pa lot në sy për vuajtjet dhe dhimbjet e këtij populli.
Nuk kam çfarë t’u them shqiptarëve. Nuk pretendoj të jem më i mençuri prej jush dhe nuk kam nevojë të jem më i mençur prej jush, për t’u bërë interpret i një qëndrimi që flet vetë, më një qartësi tronditëse se sa keq e kemi punën me narkotrafikun dhe sa shumë me keq do ta ketë vendin dhe qytetarët e këtij vendi nesër, nëse ky kryeministër do të vazhdojë të na qeverisë.
Me paranojë shembullore e tregoi historinë e rrëzimit të avionit të drogës si një inskenim të forcave të errëta kundër tij.
Piloti italian vendosi të rrezikonte jetën dhe të bënte burg për t’i bërë keq Edi Ramës dhe kupolës së tij!
Një nga narkotrafikantët vendosi të përfundonte në burg për t’i bërë keq Edi Ramës dhe kupolës së tij!
Këtë nuk e tha një i marrë nga ballkoni i ndonjë spitali.
E tha ai që vazhdon të jetë akoma kryeministër i Shqipërisë.
Fjala që përmbledh gjithë ndjeshmëritë e qytetarëve për këtë shpërthim të stilit të vjetër, është ajo që më dërgoi një zonjë që u prezantua si anëtare e PS-së me sms. Është fjala “fyerje”.
Zoti Rama nuk fyen vetëm opozitën, por i fyen gjithë shqiptarët duke kujtuar se mund t’u thotë shqiptarëve fluturon gomari duke pretenduar se ata do ti përgjigjen fluturon.
Zoti Rama fyen gjithë shqiptarët duke vazhduar edhe pas nëntë muajsh në krye të qeverisë me fushatën e tij elektorale të mashtrimeve, gënjeshtrave dhe shpifjeve.
Ka mbaruar fushata elektorale. Do apo s’do ky zotëri, Partia Demokratike ka bërë e do vazhdojë të bëjë gjithçka qe Shqipëria të marrë statusin. Nuk kemi qenë ne që bënim greve urie për të sabotuar heqjen e vizave. Nuk kemi qenë ne që dërgonim e-maile për eksode biblike që BE mos hiqte vizat. Nuk e kemi mbajtur ne 3 vjet peng statusin duke mos votuar ligjet për këshilltarin e Fierit.
Ne kemi votuar dhe do të votojmë çdo ligj që ka lidhje me integrimin por kryeministri nuk na kërkon të votojmë ligje apo reforma.
Na kërkon të mbyllim gojën ndërkohë që vendi po kthehet në një aerodrom droge.
Edhe sot kishte mundësinë të ngjitej në nivelin e detyrës së lartë që mban dhe të bënte gjënë e duhur për Shqipërinë dhe shqiptarët.
E pati të pamundur. Se pse, këtë ai e di më mirë se kushdo tjetër.
Por shqiptarët nuk ia kanë për borxh të shlyejnë borxhet e tij të vjetra dhe të reja, apo të dëgjojnë monologjet e anktheve dhe pishmaneve të tij personale.
A ishe ti zoti Rama që injorove informacionin e shërbimeve dhe qytetarëve për trafikun e lëndëve narkotike me avionë, me gomone e mjete të tjera?
A ishe ti që refuzove deri në fund transparencën e kërkuar nga opozita?
A ishte ti që u talle dhe përqeshe opozitën duke u shkelur syrin narkotrafikantëve sikur opozita sheh ëndrra, shesh mushkonja që i duken avionë?
A ishte ti që le pa asnjë mbrojtje për të mos thënë me shumë gazetarët e kërcënuar nga mafia me mesazhe makabre?
Duke dëgjuar këto pyetje, gjithë shqiptarët përgjigjen “ po”, “po”, ‘po”, sepse kanë qenë dhe janë këtu, sepse kanë parë me sy e dëgjuar me veshë, sepse nuk janë manipuluar nga propaganda, por janë sensibilizuar dhe tronditur nga përparimi dramatik i narkotrafikut deri në strukturat qeveritare dhe janë shumë të shqetësuar për vendin e tyre, për sigurinë e jetës së tyre dhe të fëmijëve të tyre.
Të gjithë shqiptarët kanë sot një hall: nxjerrjen e vendit nga kthetrat e narkotrafikut me mbështetje dhe symbyllje qeveritare.
Zoti Rama ka një hall tjetër: t’i ikë përgjegjësisë me çdo mënyrë dhe të vazhdojë avazin me kupolën e tij.
Shqiptarët nuk meritojnë një kryeministër që i gënjen dhe i mashtron për të ardhur në pushtet dhe pastaj i mashtron dhe i gënjen ditë për ditë për dështimet dhe zullumet që ju sjell.
Përpjekjet e tua të përditshme prej një muaji e gjysmë për fshehjen e të vërtetës së trafikut të drogës me mushkonja dhe spërkatje të implikojnë ty zoti Rama.
Heshtja jote për kërcënimet mafioze ndaj qytetarëve, punonjësve të shtetit, dhe gazetarëve që kanë denoncuar me kurajo trafikun e drogës të implikon ty zoti Rama.
Rikthimet dhe pranimet në radhët e policisë të personave të larguar nga ministra socialistë si të implikuar me trafikun e drogës të ngarkon me përgjegjësi ty zoti Rama.
Emërimet në poste kyçe të infrastrukturës shtetërore të personave të dënuar për trafik droge të implikojnë ty zoti Rama.
Përpjekja jote e fundit mashtruese me të cilën u tall dhe e revoltua i madh e i vogël, për ta deklaruar drogën që të mbeti në derë një super aksion policor të implikon rëndë ty zoti Rama.
Edhe kërcënimet e sotme, jo ato ndaj opozitës, se me to jemi mësuar dhe nuk presim tjetër nga ty, por me ato që lëshove kundër zërit të lirë të gazetarëve dhe mediave që nuk i ke futur dot në narko-çantën tënde dhe provën më të freskët se ty e vërteta të djeg e të përvëlon. Pse? Sepse e vërteta të implikon ty zoti Rama.
Dalja sot ishe një turp nga ato që vetëm ti di të bësh. Por përpjekja mjerane për t’i hedhur shqiptarëve trutë e gomarit të ka mbetur në rërë, bash si narko-avioni që për pak sa nuk the që ta ka çuar opozita.
Shqiptarët, dhe bashkë me ta edhe opozita kanë pritur, kanë kërkuar, të kanë bërë thirrje të sillesh si kryeministër i vendit. Por ti ke vazhduar siç bëre edhe sot, avazin tënd të vjetër dhe të vjetëruar të përbuzjes, arrogancës, mllefit dhe mashtrimit.
Kryeminist
ër nuk u bëre dot as për një ditë të plotë.
Bëhu burrë dhe mbaj përgjegjësi.
Dorëhiqu dhe hap rrugën për të reflektuar përgjegjësitë e papërmbushura nga shumica, për të ndaluar revanshin ogurzi të narkotrafikut dhe krimit, për të zhbllokuar jetën demokratike dhe integrimin e vendit në Europë.
Përndryshe do të përballesh me të gjithë qytetarët e këtij vendi, me ata të zhgënjyer dhe të tradhtuar nga mashtrimet dhe dështimet e tua, dhe me gjithë të tjerët që nuk të kanë besuar që nga fillimi por që kanë neveritur deri më sot rrenat dhe zullumet e tua. Por këtë fundit, të narkotrafikut me lejen dhe mbrojtjen tënde nuk e gëlltit askush. Këtë çorbë që vetë ke gatuar do ta hash vetë.