Kryetari i Partisë Demokratike i kërkon rinisë shqiptare të protestojë së bashku me opozitën, nesër në orën 10.00 para Kuvendit.

 

 

 

 

Mirëmbrëma,

Ju përshëndes përzemërsisht, të dashur të rinj dhe të reja, studentë, gjimnazistë, mirësevini dhe mirëseriktheheni në shtëpinë tonë, shtëpinë tuaj, në shtëpinë e lirisë në Partinë Demokratike.

Dua të ndaj sot me ju, të dashur të rinj dhe të reja dhe përmes jush me gjithë rininë shqiptare dy shqetësime të mëdha që kanë kapur vendin.

Shqetësimi i parë ka të bëjë me gjëmën e narkotrafikut me symbyllje dhe syshkelje qeveritare. 

Çështja e dytë ka të bëjë me zgjidhjen, zgjidhjen e parë, zgjidhjen e menjëhershme që kërkon ky moment kaq i rrezikshëm për liritë tuaja, për lirinë tuaj, të prindërve dhe vëllezërve e motrave tuaja, për të drejtat tuaja për të zgjedhur, për demokracinë, për shpresat dhe të ardhmen tuaj, për gjithçka që ka të bëjë me ëndrrën tonë evropiane. 

Nuk e di nëse mund ta përfytyroni veten tuaj, rininë tuaj si një pjesë edhe të moshës sime, por më lejoni t’ju them nga ana ime që unë ju konsideroj, miq të një moshe sa i përket vetëdijes qytetare, ju konsideroj bashkëudhëtarë dhe bashkëluftëtarë për vlerat që mbrojmë dhe zhvillojmë, për idealet që na udhëheqin në jetë, për detyrat që kemi dhe ndjejmë ndaj shoqërisë dhe ndaj vendit. 

Në traditën e saj më të mirë rinia shqiptare është jo vetëm energjia, rinia, freskia, por edhe vetëdija dhe pjekuria e këtij vendi. E demonstruat ju këtë pjekuri në sa e sa momente të rëndësishme në lirinë e vendit, në këto 23 vite në çdo moment kyç vendit shkëlqen rinia e Shqipërisë. E demonstroi rinia shqiptare me rastin e qëndrimit të palëkundur, në protestat e paharrueshme të rinisë së Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, kundër papërgjegjshmërisë flagrante të Edi Ramës me rastin e armëve kimike të Sirisë. E demonstroi rinia shqiptare këtë vetëdije, këtë pjekuri edhe me fuqinë që i dha manifestimit madhështor të 20 shkurtit në protestë, kundër listës së gjatë të premtim-mashtrimeve të dyshes Rama-Meta.
E keni vërtetuar dhe po e vërtetoni këtë pjekuri dhe këtë vetëdije në mënyrën se si rinia po vërshon drejt Partisë Demokratike duke u bërë pjesë e aksionit opozitar, në një moment shumë të rëndësishëm, në një moment shumë të rrezikshëm për demokracinë, si rezultat i keqqeverisjes Rama-Meta
Jam i bindur se këtë pjekuri, këtë vetëdije, këtë energji, këtë forcë, këtë kurajo, këtë vizion, do ta demonstroni dhe do ta tregoni sot, nesër, pasnesër dhe në ditët në vijim në betejën më të madhe të popullit shqiptar kundër narkotrafikut me leje dhe symbyllje qeveritare. 
Të dashur të rinj dhe të reja, në këto 9 muaj të qeverisjes së Edi Ramës, droga në Shqipëri nuk po zvarritet, por po fluturon. Droga ka pushtuar ajrin, ka pushtuar pasurinë që i përket publikut shqiptar, qytetarëve shqiptarë dhe për të cilën përgjegjësia e kontrollit i takon shtetit shqiptar dhe qeverisë shqiptare. 
Historia nuk është avioni i drogës në Divjakë. Historia është droga me avionë. 
Historia janë bosët dhe baronët e drogës. Është karteli i drogës i cili ka marrë yrysh dhe ka vënë në zbatim planin e vetë ogurzi që para zgjedhjeve të kaluara dhe po e vijon atë me këmbëngulje, planin e vet për të blerë zgjedhjet, pushtetin, liritë, ajrin, ujin, dritën dhe gjithçka të mirë që kemi në këtë vend me paratë e pista të drogës duke vendosur dhe rrënjosur në këtë vend oligarkinë e drogës që është fundi i lirisë dhe i demokracisë. 
Ndaj pyetja që shtrohet sot është – A do ta lejojmë? A do ti lejojmë? A do të ngrihemi dhe do ti ndalim? A do të çohemi të gjithë të bashkuar dhe ti ndalim? 
Të dashur të rinje dhe të reja, si erdhëm deri këtu? Çfarë na solli deri këtu?
Shqiptarët tregojnë sot me gisht Edi Ramën si përgjegjësin numër një për situatën në vend në lidhje me trafikun e drogës, për kërcënimin që kjo paraqet për demokracinë dhe liritë në vend. 
Ai ishte dhe është personi përgjegjës që u tall dhe përqeshi me denoncimet e ardhura, për informacionet e depozituara nga punonjës të ndershëm dhe të ndërgjegjshëm të shtetit dhe strukturave përgjegjëse për sigurinë dhe për luftën kundër krimit. 
Është ai që i përqeshi këto informacione, duke i konsideruar avionët e drogës mushkonja e duke i konsideruar problemet e qytetarëve si diçka që mund të iknin me spërkatje. 
Është ai i cili duke injoruar, duke fshehur, duke maskuar të vërtetën për trafikun e drogës i garantoi dhe u shkeli syrin narko-trafikantëve të cilët intensifikuan veprimtarinë e tyre në këtë vend si asnjëherë më parë. 
Është ai që me sindromin e vitit zero shkatërroi sistematikisht policinë e shtetit duke larguar me dhjetëra dhe qindra oficerë patriotë dhe trima që ishin përleshur me krimin dhe duke rikthyer në radhët e policisë persona me precedentë dhe me implikime kriminale që ishin larguar nga policia, madje nga ministra socialistë. Pra, siç thotë populli, duke i varur ujkut mëlçitë në qafë. 
Çfarë është sindromi i vitit zero? Sindromi i vitit zero është sindrom i Edi Ramës për të mohuar gjithçka që ka ndodhur në këtë vend në këto 23 vite. Është sindromi i përqeshjes dhe talljes me çdo arritje, me çdo të mirë që shqiptarët kanë akumuluar në këto 23 vite. 
Kjo është Shqipëria jonë me problemet, hallet, shpresat e saj. Ka patur dhe do të ketë shumë sfida, ka patur po kështu edhe arritje.
A jemi ne sot vend anëtar i NATO-s?
A lëvizin sot shqiptarët pa viza në Europë?
A avancuam drejt marrjes të statusit kandidat?
Por si u arritën këto? Këto u arritën në një pjesë të madhe për shkak të përkushtimit të jashtëzakonshëm të qindra burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave të veshura me uniformën e policisë së shtetit dhe shërbimeve të tjera, të cilët bënë të mundur me shërbimin e tyre 24 orë në 24, me sakrificën e tyre që lufta ndaj krimit në këtë vend të vendosej në lartësi të panjohura më parë që mejdani i luftës të njihte të reja fitore kundër krimit, korrupsionit, paligjshmërisë.
Duke nderuar dhe respektuar kontributin, sistemin e karrierës, investimin e taksapaguesit shqiptar dhe ndërkombëtarë, policia e shtetit u konsolidua,  forcua dhe meritoi vendin e saj të nderit në këto arritje që i gëzojnë sot të gjithë shqiptarët.
Erdhi ky dhe i ra me sëpatë në mes të Europës sistemit të karrierës, transparencës, investimit të taksapaguesit shqiptar, investimit të organizatave dhe vendeve partnere, ligjit të policisë së shtetit.
E sakatosi policinë dhe pse? Për ta zëvendësuar me klientelën e vet dhe me ata që i diktojnë njerëzit ndaj të cilëve ndjehet në detyrim, në borxh.
Pastaj çfarë ndodh? Pastaj droga fluturon me avion. Droga fluturon me avion, jo avioni me drogë, por droga me avion është problemi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve.
Në këtë moment largësia midis shqiptarëve dhe Edi Ramës nuk ka qenë kurrë më e madhe me hallet që preokupojnë secilin prej tyre. Halli i Edi Ramës siç e tregoi mbrëmë, siç e tregoi edhe sot është ti ikë përgjegjësisë që ka, duke fshehur të vërtetën, duke përqeshur të vërtetën, duke e lënë të vërtetën të kërcënohet me stile mafioze, duke fshehur krimin, që në përgjegjësinë politike është më e rëndë se vetë krimi.
Ky

është halli që ka Edi Rama. Si t’i ikë përgjegjësisë, si ti mashtrojë edhe një herë shqiptarët, si tu hedhë edhe një herë hi syve dhe të vazhdojë të bëjë atë që po bën me kupolën e tij.
Shqiptarët kanë një tjetër hall. Halli i shqiptarëve është të ndalë kthetrat e narkotrafikut dhe baronëve të drogës që u janë vënë në fyt demokracisë shqiptare.
Dhe për këtë sot vlon një indinjatë e jashtëzakonshme në vend. Kjo është arsyeja. Kurrë nuk kanë qenë më larg populli dhe kryeministri i tij në shqetësimet që kanë secili. Ky është shqetësimi mbarëpopullor, kjo është indinjata, kjo është revolta që ka çuar në këmbë shqiptarët, sepse zgjidhja dhe zgjedhja është fare e qartë, popull sovran ose oligarki e drogës.
Ne opozita jemi të bindur se vetëm nëse flemë, fitorja mund ti përkasë oligarkisë së drogës. Ne nuk po flemë, ne nuk do të flemë, ne jemi në këmbë, ne do të çohemi në këmbë dhe do të përballemi për ta rrëzuar në tokë përpjekjen e saj për të marrë nën kontroll Shqipërinë tonë.
Sot koha kërkon që mos ti lëmë më kohë së keqes dhe zgjidhja e zgjidhjeve për momentin është largimi i personit përgjegjës për këtë situatë që është Edi Rama.
Nuk po kërkojmë zgjedhje, po kërkojmë largimin e tij dhe qeverisë së tij që ka përgjegjësinë, nuk po kërkojmë asgjë më shumë. Nuk po kërkojmë një shumicë të re politike, ndonëse mund dhe kemi gjithë të drejtën ta kërkojmë. Por kërkojmë që kjo shumicë sot në parlament të reflektojë atë që ndjen shumica e çdo shqiptari sot, i djathtë apo i majtë. Përgjegjësi Edi Rama të shkojë në shtëpi. 
Rinia shqiptare do ti japë përgjigje. A do ta çojmë në shtëpi Edi Ramën?
Nesër në orën 10.00 përpara Kuvendit të Shqipërisë, të bashkuar dhe të vendosur për tu dhënë përgjigje vendimtare narkotrafikut dhe për të vënë para përgjegjësisë, për të çuar në shtëpi Edi Ramën dhe qeverinë e tij.