Ish-kryeministri Berisha në një prononcim për TV Klan mbi zgjedhjet e zhvilluara për vendet në Parlamentin Europian

 

 

 

Pyetje: Harta e Europës ka ndryshuar krahasuar me 2009, janë shtuar euro-skeptikët dhe anti-europianët, sot ka vetëm një pyetje: a do të ketë më Europë?

 

Ish-kryeministri Berisha: Vërtet zhvillimet janë tronditëse dhe ky është një mëngjes jo i kthjellët për Europën, pasi në dy vende kryesore të Europës, në Francë dhe në Britaninë e  Madhe, në krye, fitues të zgjedhjeve janë forcat anti-BE, ose mund të themi anti-evropiane, por të tilla forca dominuan edhe në Danimarkë edhe në Greqi, morën një pozicion të fortë në Itali, dyfishuan edhe në vende të tjera pozicionet e tyre. Kjo, po të shprehemi psh me termat e vlerësuara nga vetë kryeministri i Francës, i cili e quajti “një termet për Francën”.

 

E vërteta është se ajo që ndodhi në Britaninë e Madhe pas 104 vjetësh një forcë tjetër politike nga ato dy tradicionalet del fituese në zgjedhje, pra ndonëse zgjedhjet i fitoi Qendra e Djathtë dhe fitoi kandidati i Qendrës së Djathtë një europeist i shquar Jean Claude Juncker, dhe unë shfrytëzoj rastin të përshëndes përzemërsisht këtë fitore, përsëri mbi-dyfishimi i rezultateve nga ekstremi i djathtë përbën një problem realisht serioz për Europën. Problem ky që u fuqizua nga kriza në të cilën kaloi Europa në këto vite, por fatmirësisht kjo krizë, po shkon drejt zgjidhjes, drejt largimit dhe një perspektivë tjetër ekonomike e pret Europën. Në këtë kontekst, terreni në të cilën u rritën këto forca politike të ekstremit të djathtë, në një farë mënyrë do t’u shkasë nën këmbë, sepse kriza po shkon drejt largimit.

 

Mundet të ketë patur një ndikim edhe kriza e Ukrainës. Nxjerrja e muskujve dhe kërcënimet e Putinit, akte të ngjashme me ato të Hitlerit të mesit të viteve 30, apo të Stalinit mund të kenë ndikuar gjithashtu në forcimin e fibrës së ekstremit djathtë në këto vende. Tani çështja shtrohet te ndikimi. Ndikimi i tyre është i padiskutueshëm, së pari në politikën e brendshme të këtyre vendeve, të Britanisë së Madhe, e cila gjithnjë ka mbajtur tezën e një referendumi, Partia Konservative ka mbajtur tezën e një referendumi për anëtarësinë e Britanisë në Bashkimin Europian. Ky referendum ka qenë i parashikuar për 2017, mund të avancohet, por unë nuk besoj se britanikët do të votojnë për daljen nga Bashkimi Europian.

 

Kam bindjen se edhe një Poll që u bë para disa kohësh tregoi se shumica e britanikëve ishin për qëndrimin në Bashkimin Europian me disa modifikime. Po kështu nuk kërcënohet aspak roli i Francës në Bashkimin Europian. Pra në tërësinë e vet Bashkimi Europian është i tronditur, por jo i kërcënuar. Natyrisht korrektimet, qëndrimet, të cilat ju heqin terrenin dhe argumentat forcave të ekstremit të djathtë edhe mund t’ju imponohen forcave të moderuara të këtyre vendeve.

 

Pyetje: Sa ndikim mund të ketë ky konfigurim i ri në aspiratën Europiane të Shqipërisë dhe a  duhet të ketë Shqipëria një plan B rezervë?

 

Ish-kryeministri Berisha: Unë mendoj se ky konfigurim i ri nuk mund të ketë ndikim dhe nuk duhet të ketë ndikim në statusin e Shqipërisë, pasi ky status për Shqipërinë është plotësisht i merituar. Shqipëria pati disa probleme, ti quajmë të krijuara nga Edi Rama me tre ligjet, më pas u ndërrua qeveria dhe kishte një moment mosbesimi, por këto tashmë janë të kapërcyera dhe Shqipëria e meriton plotësisht statusin dhe kam besimin më të madh se në qershor do të jepet statusi. Statusi nuk është një proces apo një akt i një momenti i disa muajve, por është një univers reformash të ndërmarra në vite të tëra. Në këtë kontekst nuk shoh se do të mund të vihet në diskutim statusi për Shqipërinë. Por, duke thënë këtë bindjen 99.9% le të mbajmë edhe 0.1%. Shqipëri nuk mund të ketë asnjë plan tjetër B , përveç  planit E, Europë, Shqipëri duhet të ecë drejt bashkimit Europian. Nuk besoj kurrsesi se kësaj herë nuk do ta kemi vendimin, por ta supozojmë se do të ndodhë një gjë e kësaj natyre, asgjë nuk duhet të lëkundë besimin e shqiptarëve tek ky projekt që është projekti më i mahnitshëm, për Shqipërinë dhe shqiptarët ne Europë, por edhe për vete Europën, projekti më i mrekullueshëm i të gjitha kohërave.

 

Këto janë momente dhe besoj se Bashkimi Europian arriti të kapërceje krizën më të thellë, krizë e cila po të mos qe BE-ja do të zhyste Europën në një luftë dhe në agresione të ndryshme dhe ju e patë sesi u kapërcyen, pati këto pasoja, u rritën këto forca, morën zemër nga vështirësitë e krijuara nga papunësia, nga problemet sociale, por përsëri Europa jashtë krize do të vazhdojë të promovojë prosperitetin, liritë, dhe sigurinë.