Pse duhet një komision hetimor për atë që ndodhi në Divjakë?

I nderuar kryetar

Të nderuar kolegë

Pasi, përqeshëm dhe ironizuam me shaka atë që opozita na tha në parlament javë më parë. Pasi, iu përgjigjëm me cinizëm akuzave që opozita ngriti. Pasi, e siguruam vendin përmes humorit se ne jemi të dehur dhe nuk dimë më se çfarë flasim. Erdhi ajo që askush nuk e priti, por që gjithsecili prej jush kish frikë të mos ndodhte. Ajo që ndodhi e ktheu këtë gjithçka të thënë më lartë në një heshtje që e pasoi vetëm humori i zi kryeministror, që u përmblodh më së miri në dy fjalime gjithnjë e më të stërzgjatura që në thelb kishin vetëm një fjali “Ju betohem unë nuk kam asnjë gisht!”

 

 

Ajo që ndodhet përballë jush z. Kryeministër është një akuzë e dyfishtë: Akuza e parë ka të bëjë drejtë për drejtë me implikimin tuaj në këtë trafik për të cilin opozita foli gjerë e gjatë në parlament këtu e dy muaj të shkuar, ndërsa ju tregonit barsaleta. Akuza e dytë lidhet me implikimin tuaj politik; jeni kryetari i qeverisë dhe më së paku duhet të kishit kërkuar ndjesë për paaftësinë tuaj, sikundër edhe ministrat të cilët me sigurinë më të madhe pohonin nga ky podium se nuk ka trafik droge përmes ajrit ndërkohë që të nesërmen rrethoheshin aeroportet e vendit; ndjesë minimale këtij vendi duhet t’i kërkonte dhe ministri tjetër i cili ironizonte lartë e poshtë thëniet qeveritare por që nga kjo ironi i mbeti buzëqeshja e ngrirë dy javë më parë e sot e kësaj dite.

U fol këtu, siç pritej në fund të fundit, se fajin për këtë trafik e ka opozita. Natyrisht, ne kemi gabimet tona në trajtimin e problemeve të drogës por për asnjë moment nuk e kemi fshehur kokën si struci. Ndërkohë që juve jo vetëm që e bëtë, por edhe patët guximin të përbuznit dhe të përqeshnit atë shqetësim që ne ngritëm këtu e dy muaj të shkuar. Gjë të cilën vazhdoni ta kryeni tani megjithëse me një ritëm më të ulët pas mushkonjës që ju ra në prehër.

Përndryshe nga sa ju mendoni, nuk na duhen më faqet e programit tuaj për të kuptuar se ku jemi, as premtimet tuaja të cilat sot kanë rezultuar të gjitha fjalë boshe. Por e shohim faqen e vendit tonë të nxirë përditë e më shumë në lajme, ku nuk ka ditë që nuk shihet se si vendet fqinje kapin tonelata me drogë. Ku nuk ka ditë ku media ndërkombëtare të flasë për këtë gjë me normalitetin më të madh. Kapje dhe arrestime në vendet fqinje për të cilat i merr meritat ministri jonë, a thua se nuk mundet dot t’i kapte në vendin tonë dhe priti sa të kalonin kufirin për t’i kapur atje.

Deri kur, z. Kryeministër, do të abuzoni me durimin e shqiptarëve? Edhe sa do të vazhdojnë planet konspirative që nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se tregojnë se sa të ngeshëm jeni për t’u tallur me ne? Kur do t’i jepni fund kapardisjes suaj të shfrenuar rreth kësaj historie duke u hequr se asgjë nuk ka ndodhur?

A nuk mjaftojnë akuzat tona që dita ditës tregojnë se persona të dënuar nga gjykata për drogë apo krime të tjera po emërohen në poste publike — a nuk ju mjafton ankthi që keni vendosur në zemrat e qytetarëve përmes paaftësisë për të kontrolluar krimin— a nuk ju mjafton protesta e qytetarëve që javën e shkuar tregoi se do të qëndrojnë fort në parimet e tyre edhe kur ju nuk dëshironi të nisni seancën sepse i tuteni atyre— a nuk mjafton mushkonja e madhe që ra në Divjakë një javë më parë për t’ju bërë të mendoni dhe reflektoni?

A nuk po e kuptoni se as arma juaj më e fortë, retorika, nuk ju hyri në punë kësaj radhe? A nuk e kuptoni që as përbetimet për ndershmëri politike e njerëzore nuk ju hynë në punë sepse gjithkush e kuptoi se ato qenë një dredhi amatore për t’i ikur përgjegjësisë?

Ku është z. Kryeministër që përbetohej në seancën e parë të kësaj legjislature për besnikëri ndaj parimeve dhe idealeve të atyre që kanë dhënë jetën për këtë vend? Ai i cili qe i gatshëm të dëgjonte opozitën vetëm për hir të vendit dhe dashurisë për të, ku ishte kur ne i shtrimë dorën dhe i kërkuam të shqyrtojmë së bashku ato që ne dinim?

Këtë kryeministër mund ta gjejmë vetëm në fletët e fjalimeve të tij, si gjithnjë, por nuk e gjetëm këtu kur vendi ia kish nevojën. Nuk e gjetëm atëherë kur ne i shtrimë dorën për të bashkëpunuar që vendit të mos i nxihej më faqja prej krimit, drogës së kapur, tritolit, pasigurisë. Ai heshti për ç’do akuzë që ne i bëmë emërimeve të tij. Heshti për ç’do akuzë që i bëmë për rritjen e kriminalitetit. Heshti për çdo akuzë që i bëmë për avionët e drogës dhe rritjen e kultivimin e saj.

Tani, pasi të gjitha këto ndodhën dhe janë realitet, në vend që ju të ndërhyni atje ku duhet për të shpëtuar dhe atë pak nder politik që ju ka mbetur vazhdoni ende të merreni me ato që ju informuan publikisht dhe politikisht. Në vend që të bashkohemi për të luftuar të keqen e përbashkët ju ende ngujoheni në kullën tuaj duke u kapur akoma më fort pas karriges së pushtetit dhe nga ana tjetër duke premtuar se e bëni për popullin.

 

Të nderuar deputetë.

Ju, jeni dëshmitarë të projekt rezolutës që opozita solli në parlament në mbështetje të plotë për marrjen e statusit të vendit kandidat. Si një shenjë politike që jemi të gatshëm për të bashkëpunuar, jo vetëm me fjalë por edhe me vepra për integrimin e vendit tonë. Të gjithë ju jeni dëshmitarë se si ne asnjëherë nuk jemi përpjekur në këto muaj opozitë për të vendosur bastunët në rrota në këtë proces. E pikërisht ne, sot akuzohemi nga kryeministri se po përpiqemi të poshtërojmë emrin e vendit tonë përpara Evropës. A nuk është cinike e gjitha kjo, sidomos e thënë nga ata që kanë lobuar kundër cdo procesi integrues të vendit tonë? Të fshihesh pas gishtit akuzues?

Do të dëshiroja, të isha më neglizhente ndaj këtyre akuzave; do të dëshiroja të isha neglizhente ndaj asaj që po ndodh sot në vendin tonë por e kuptoj që e gjitha kjo është në të keqe të shoqërisë sonë; ndaj më duhet të ripranoj që edhe ne si mazhorancë kemi patur mangësitë tona në luftën kundër të keqes me emrin drogë. Por, assesi kjo e keqe nuk ka qenë e lidhur kështu politikisht dhe fizikisht me shtetin.

Ndaj, përse gjithë këto gishta tregues ndaj nesh kur ju jeni atje lart? Si ka mundësi që jemi sërishmi ne që nuk e duam vendin tonë kur ju që jeni në pushtet po lejoni t’iu kalojnë nën hundë e hera herës duke bërë të verbërin e pastaj të shurdhërin. Shumica e deputetëve të kësaj legjislature kanë qenë prezentë, kur juve si opozitë e dikurshme nuk latë gur pa lëvizur në mënyrë që të mos merrej statusi i vendit kandidat. Ne të gjithë si Shqiptarë ishim dëshmitarë të asaj piruete që erdhi pas Prillit të Ngjalave, kur ju urdhëruat deputetët tuaj që të votonit 3 ligjet. Askujt nuk i dhatë llogari për këtë veprim, megjithëse asokohe nuk binin mushkonjat në prehrin tonë siç ndodhi sot.

Tani, pasi ndjehesh i zhveshur nga gjithë ai fodullëk që ju rrethonte, pasi e kuptoni që as konspiracioni për një film me metrazh të shkurtër të stisur nga ne nuk eci. Hidhni shashkën e zhurmshme se ne po lobojmë kundër vendit tonë në Bashkimin Evropian. E kush është kaq i verbër dhe i shurdhët sa të besojë këtë gënjeshtër?

Tani që ndjeni se toka po ju dridhet nën këmbë, nuk po arrini të kuptoni që problemi në këtë vend nuk janë vetëm mushkonjat që kinse po mundoheni t’i largoni përmes pesticideve aty këtu. Ajo që nuk po kupton

i është se ky vend ka nevojë urgjente jo për bllokimin e aeroporteve të braktisura por ka nevojë të menjëhershme për shkatërrimin e fushave të mbjellura me drogë ka nevojë për luftë të vertetë kundër drogës e për vullnet politik, vullnet që juve ju mungon. Prandaj filloni me largimin e menjëhershëm nga administrata për ato persona që janë dënuar për narkotrafik e krime të tjera dhe jo me akuzat e përhershme ndaj opozitës.

E si mund të vendosim ne shpresën për të ardhmen tonë tek duart e një personi i cili mohoi, anatemoi, u tall dhe në fund akuzoi të tjerë pos vetes për një përgjegjësi të tijën? Prandaj, ne ju akuzojmë për  nxitje dhe inkurajim  të trafikut të lëndëve narkotike përmes fshehjes së të vërtetës, talljes me denoncimet e opozitës  dhe dëshmitë e shtypit e qytetarëve.

Megjithëse mund të ketë prej atyre që sot mendojnë se ai nuk duhet të largohet pas gjithë këtyre veprimeve; ato e ushqejnë me shpresë mbase ende kryeministrin se mund t’ia hedhë paq edhe pas gjithë këtyre që kanë ndodhur.  Duke i rritur besimin se konspiracioni që ai tregon rrjedhshëm në fjalimet e tij mund t’ia mbulojë parcelat dhe drogën që ka zënë vend edhe në administratë – duke i dhënë të kuptojë në këtë mënyrë se një dorëheqje e tij jo vetëm që nuk do t’i shërbente kauzës, vendit dhe shoqërisë por do t’i shërbente ama armikut, pra opozitës.

Ka ardhur momenti që dikush të mbajë përgjegjësi qoftë dhe për mos angazhimin e tij në zgjidhjen e kësaj situate.

Prandaj ju ftoj të mendoni nëse, gjithaq sa përmenda më sipër janë apo jo argumente të mjaftueshëm që ne të kërkojmë dorëheqjen tuaj? Jo vetëm si një dështim i suksesshëm i politikës “sociale” për tashmë jo një Lazarat pa drogë, por për një Shqipëri pa drogë, jo vetëm si një dështim i suksesshëm i manaxhimit të ushtrisë, policisë dhe informatorëve. Por si një dështim i plotë i një kryeministri që harroi të bënte detyrën sepse ëndërroi të ishte në librat e historisë si një gjetje e këtij vendi por që përfundoi si krye-pinoku i qeverisë!