Fjala e saj përpara protestuesve dhe kryeministrisë

 

 

Përshëndetje, 

Unë jam Ina, jam pedagoge

Kur bisedoj me studentët për cështjet e integrimit europian, shpesh kam dëshirë të ndalem tek imazhi dhe vlerat e një vendi që aspiron të afrohet me familjen e demokracisë më të përparuar në botë.

Eshtë për të ardhur keq, se cfarë na bashkon në këtë shesh, është gjendja aspak europiane e Shqipërisë sot.

Kemi imazhin të dëmtuar shumë rëndë nga trafiku i pandërprerë i drogës. Unë ende nuk di ta shpjegoj, se si cdo ditë, dhe ka raste edhe dy herë në ditë, përmes kufinjve tanë kalojnë qindra kilogramë drogë drejt Bashkimit Europian. Kjo që po eksportojmë miqtë e mi, nuk është vlerë.

Po eksportojmë krim, pasiguri, substancë të rrezikshme për rininë dhe shoqërinë e cdo vendi.

Kjo drogë është e kundërta e integrimit.

Po kësaj ngjarje të keqe, i shtohet qëndrimi i qeverisë. Një qeveri normale, një qeveri që kërkon ta afrojë vendin me Europën, mban përgjegjësi. Reagimi i qeverisë sot nuk është i kthjellët, është larg llogaridhënies, është arrogant. Për fat të keq, sjellja e qeverisë ngjan me një delirium nga ato që shkakton droga.

Nuk është ky imazhi që na duhet

Nuk është kjo qeveria që na duhet

Kur jemi në momente të tilla të vështira për një vend, atëherë lypset një vullnet i fortë për të dalë nga kriza.

Unë i jam bashkuar me dëshirë thirrjes tuaj për ta cliruar Shqipërinë nga droga.

Me protestën tonë, ne tregojmë forcë përballë krimit.

Me protestën tonë ne e bëjmë qeverinë, sado arrogante dhe të pandjeshme, të reagojë, të dëgjojë zërin e qytetarëve.

Ne nuk ndalemi. 

Nuk ka dy rrugë për të Shkuar në Europë. 

Ka vetëm një. 

Pa drogë, dhe me qeveri të përgjegjshme.