Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, priti sot Presidentin e Austrisë, Heinz Fischer, në një takim të përzemërt ku u diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyera e historike mes dy vendeve dhe për të ardhmen europiane të Shqipërisë.

 

Z.Basha e njohu presidentin austriak me mbështetjen e pakushtëzuar dhe me lobimin që Partia Demokratike, si e vetmja opozitë në Ballkan, po i bën integrimit europian të vendit dhe marrjes së statusit të vendit kandidat.

Ne realizuam shumë reforma dhe jemi krenarë për punën e bërë gjatë qeverisjes, tha Basha, dhe shtoi se edhe sot në opozitë, Partia Demokratike popunon me mundësitë e saj, me partitë aleate europiane që Shqipëria ta marrë në qershor statusin e vendit kandidat.

Duke përcaktuar se rruga e integrimit, është po aq e rëndësishme sa rezultatet, Basha tha se për fat të keq qeveria po krijon shqetësime serioze duke e vënë demokracinë dhe institucionet në sfida ekzistenciale.

Si opozitë e kemi për detyrë të mos heshtim, dhe të qëndrojmë, tha Basha, në rastet kur qeveria cënon institucionet e pavarura, kur merr kompetencat e Presidentit, kur nuk zbaton vendimin e gjykatave, kur shkarkon mijëra profesionistë të administratës duke shkelur në mënyrë të njëanshme një ligj të miratuar me konsensus, kur rendi është në pikë kritike dhe kur trafiku i drogës po cënon sigurinë tonë dhe të vendeve të BE-së.

Z.Basha i kërkoi edhe njëherë z.Fischer, mbështetjen e Austrisë në mbledhjen e qershorit kur do tëvendoset për statusin, dhe gjithashtu i kërkoi që Vjena zyrtare të nxisë dhe vende të tjera të BE-së, ku ajo ka ndikim, që Shqipëria ta marrë një përgjigje pozitive për statusin e vendit kandidat.