Deklarata për mediat e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha pas mbledhjes së Grupit Parlamentar

 

 

Avioni i radhës i drogës nuk u ngrit dot e nuk u nis dot drejt destinacionit, siç ishin nisur të tjerë para tij në Divjakë, Gjadër, Kardhiq, Bedat e gjetkë. Po të ishte nisur, po të mos kishte pësuar avarinë që pësoi, sot do të ishim sërish në betejën tonë më të madhe përballë një  kryeministri dhe një qeverie bojëdalë që do të mohonte përsëri dhe do të tallej përsëri, siç bëri gjatë gjithë këtyre javëve, me  informacionet  e shërbimeve, me denoncimet e opozitës dhe qytetarëve të thjeshtë për avionët e drogës. Po të mos ish prishur një prej fuoristradave të drogës, do të kishte ikur edhe ajo në drejtim të paditur, siç ikën makinat e tjera bashkë me ngarkesën e avionit e drogës. Por faktet u kombinuan  në atë mënyrë sa të mos i linin asnjë  shteg për të vazhduar lojën e mohimit dhe talljes narkotrafikantëve politikë. Avioni i drogës ju ra në prehër. Droga ju mbeti në derë. Edi Rama duhej të kishte folur me dorëheqjen e tij. Dorëheqja do të ishte i vetmi akt që do ta nxirrte qeverinë jashtë skandalit, që do të tregonte se narkotrafiku nga toka, deti dhe ajri ka marrë këto përmasa të  jashtëzakonshme ngaqë qeveria është e paaftë, por jo se ka dorë vetë në të. Dorëheqja e qeverisë do të ishte ngushëllimi dhe mesazhi i domosdoshëm i shpresës në këtë ditë të zezë për publikun shqiptar, i cili është përligjshëm i skandalizuar dhe I alarmuar me këtë ngjarje të jashtëzakonshme. Për fat të keq kryeministri nuk foli me dorëheqje. Madje nuk arriti të fliste as me heshtje apo me ndjesë  për  gjithë ato turpe që ka nxjerrë nga goja për avionët- fantazma, për avionët -mushkonja e plot të tjera që publiku shqiptar i di mirë.
Tani që ju plasi mbi  kokë, Edi  Rama dhe ministri i tij folën e po flasin sikur e  ndaluan ata avionin e drogës. Folën e po flasin me përpjekjet e tyre të mjera për të shpëtuar çfarë mund të shpëtohet nga shpërthimi i skandalit. Folën me bllokimin e dhunshëm të mediave për të shkuar në vendin e  ngjarjes para pastrimit të skenës së krimit. Folën e po flasin me presionet dhe kërcënimet e tipit  mafioz që po u bëhen mediave të pavarura  apo qytetarëve të thjeshtë për të mbyllur gojën  e për t’i mbajtur iso mashtrimit qeveritar për superaksionin policor, me të cilin po tallet e po revoltohet gjithë Shqipëria. Kështu kanë bërë që prej fillimit. Heshtën, refuzuan, u tallën me pyetjet tona, me kërkesat tona, me denoncimet tona. U përpoqën, siç e kanë zakon ata që janë dorëbrënda në skandale, të na atribuonin  akuza  të  paqena, që nuk i kemi bërë kurrë, me qëllim që të zhurmonin shqetësimin dhe denoncimin tonë  për trafikun e drogës përmes ajrit, si në narkokartelet më famëkeqe të botës. Nuk lëvizën gishtin për të mbrojtur dëshmitarët, përkundrazi i lanë të terrorizoheshin  nga mesazhet deri makabre të  narkomafias, siç ishte  rasti  i gazetarit Telnis Skuqi të cilit i hodhën një kokë të prerë dhie në derën e shtëpisë apo rasti i Gentianit nga Bedati. Për ne dhe çdo shqiptar me sy në ballë sot është akoma më e qartë se dje: Kanë heshtur sepse e kanë ditur.
Kanë refuzuar, janë tallur dhe kanë kërcënuar sepse e kanë ditur, sepse janë brenda, sepse përfitojnë, sepse po bëjnë lekë droge, që përmes fuqisë të parave të drogës dhe dhunës të rrënjosin pushtetin e parave të pista dhe dhunës, që si i tillë, vetëm i popullit dhe për popullin nuk mund të jetë. Rënia – pas gjithë zhurmës  dhe debateve të javëve të fundit – e avionit të drogës ne prehrin e Edi Ramës tregon qartë se qëndrimet e tij:- refuzimi i transparencës, përqeshja e shqetësimeve dhe akuzave të opozitës,  kërcënimi i dëshmitarëve, hetimi nga  komisioni  parlamentar  jo i narkotrafikut por i denoncuesve  të narkotrafikut – pra të gjitha këto, kanë qenë në funksion të mbështetjes së fuqishme  për narkokartelin që të shtojë intensitetin e veprimtarisë mafioze me bazë nga Shqipëria. Partia Demokratike, opozita dhe, jam i bindur, mbarë opinioni i shëndoshë publik, akuzon sot me zë të  lartë  kryeministrin Edi Rama dhe kupolën e tij për implikim të drejtpërdrejtë  në fshehjen e skandalit të narkotrafikut nga Shqipëria. Për mbështetjen politike që i ka dhënë kësaj veprimtarie mafioze të përmasave të mëdha që rrezikon bazat e rendit juridik e shtetëror dhe njollos rëndë imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare. Si opozita e vendit, ne jemi përballur në  beteja të  vazhdueshme politike me këtë qeveri. Jemi përballur me mashtrimet e saj të mëdha, me arrogancën dhe arbitraritetin e saj karakteristik, me shkeljen prej saj të konsensusit dhe kushtetutës, me raprezaljen e saj në administratë, me moszbatimin prej saj të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave të tjera të vendit, me orekset e saj për pushtete që nuk i takojnë, me politikat e saj të gabuara ekonomike që vetëm e kanë thelluar varfërinë dhe papunësinë në vend. Por kjo e drogës dhe narkotrafikut me mbështetje dhe leje qeveritare nuk është një betejë midis opozitës dhe qeverisë, si ato që renditëm me lart. Ky është  fundi. Drejtësia po heton. Ne i kemi ofruar dhe i ofrojmë gjithë mbështetjen tonë.  Ajo  e do të thotë fjalën e vet në lidhje me përgjegjësitë  penale të gjithsecilit. Por përgjegjësia politike e Edi Ramës dhe qeverisë së tij për këtë që ka ndodhur  është sot evidente, në dritë të diellit, për çdo shqiptar. Partia Demokratike dhe mbarë opozita kërkojnë sot dorëheqjen e menjëhershme të qeverisë Rama. As më shumë, as më pak. Dorëheqja e kësaj qeverie është imperativi i ditës për të reflektuar përgjegjësitë e papërmbushura nga shumica, për të ndaluar revanshin ogurzi të narkotrafikut dhe  krimit, për të zhbllokuar jetën demokratike dhe procesin e integrimit të vendit në Europë. Populli shqiptar nuk pranon të qeveriset as nga një qeveri kukull e krimit të organizuar, as nga një qeveri  e bërë njësh  me narkotrafikun. Populli shqiptar nuk pranon  t’ja dorëzojë sovranitetin dhe qeverisjen  e tij botës së errët të trafikut kombëtar e ndërkombëtar të drogës. Populli shqiptar nuk mund të  pranojë në asnjë mënyrë shndërrimin e vendit në një kartel të drogës; nuk mund të pajtohet me asnjë çmim  me  kapitullimin e  qeverisjes  dhe sundimin e narkotrafikantëve si në  xhungël. Qytetarët shqiptarë janë gati të ngrihen dhe të luftojnë pa kursyer asgjë për lirinë dhe sovranitetin. Partia Demokratike dhe opozita do të udhëheqë protestën e pandalshme popullore, deri në largimin e Edi Ramës nga kreu i qeverisë. Për këtë arsye, këtë të enjte në ora 10 ftojmë qytetarët shqiptarë, burra dhe gra, të rinj dhe të reja, fëmijë dhe të moshuar, të majtë, të djathtë e pa parti, në një protestë popullore kundër oligarkisë së drogës dhe për të kërkuar më zërin e fuqishëm të bashkimit largimin e qeverisë Rama.
Të ngrihemi në protestë, më të vendosur se kurrë, për luftuar e ndaluar kursin kriminal, antipopullor dhe antieuropian të oligarkisë së drogës. Të ngrihemi në këmbë, më të bashkuar se kurrë, për ta çuar në shtëpi qeverinë e narkotrafikut dhe mashtrimit në kurriz të shqiptarëve dhe të ardhmes së tyre.