Deklaratë e deputetes së PD-së, Voltana Ademi për sulmet e qeverisë ndaj opozitës

 

 

691 kilogramë drogë u kap sot në Selanik, që shkonte nga Shqipëria.

Media italiane shkruan për 575 kilogramë drogë shqiptare të kapur në Bolzano.

Media gjermane  flet për 5.6 tonë drogë shqiptare të kapur në rajonin e Bavarisë.

Lajme çdo ditë tronditëse, dhe teksa qeveria organizon konkurse për brandin e ri për Shqipërinë, në fakt qeveria po e damkos vendin tonë me një brandim tejet të rëndë, me vulën e drogës.

Qeveria, duke u vetëdenoncuar çdo ditë si pjesë e kartelit të drogës, nuk merr asnjë masë, nuk jep asnjë shpjegim, nuk mban asnjë përgjegjësi.

E vetmja gjë që bën qeveria në këto ditë të vështira për Shqipërinë e damkosur nga droga, është sulmi ndaj opozitës.

Çdo ditë kapen qindra e mijëra kilogramë drogë shqiptare në vendet e Bashkimit Europian, dhe çdo ditë qeveria shqiptare sulmon opozitën.

Kjo vetëm sa e rëndon më shumë pozitën e Kryeministrit.

Sulmet ndaj opozitës janë përpëlitje instiktive të një kryeministri në krizë.

Zgjidhja e vetme e krizës së madhe të drogës, është largimi i Kryeministrit një orë e më parë.