Kryetari i Grupit Parlamentar Demokrat, Paloka, denoncon ndërprerjen e paligjshme të mandatit të kreut të AMA-s, për interesa klienteliste
Dyshja Rama-Meta shpalli dje në Komisionin e Edukimit dhe Medias, pa praninë e opozitës, hapjen e garës për postin e kryetarit te Autoritetit të Medias Audiovizive, megjithëse mandati ligjor i tij mbaron në vitin 2016. Ky vendim u paralajmërua që në programin e qeverisë që Edi Rama lexoi në Kuvend në shtator të vitit të shkuar. Ky vendim u materializua edhe me dy amendamentet Peza, të depozituar në nëntor e dhjetor 2013 dhe që synonin ta bënin AMA-n një institucion të njëanshëm të kontrolluar nga mazhoranca krejt ndryshe nga institucioni i balancuar që ishte krijuar me konsensusin PD – PS përmes ligjit të miratuar në legjislaturën e mëparshme. Reagimi publik e opozitar por edhe komentet e Komisionit Europian dhe të OSBE-së se nuk mund të ndërpritet mandati i titullarit të autoritetit të pavarur, si dhe që çdo ndryshim duhet bërë ne konsensus me opozitën, e detyruan dyshen Rama-Meta të tërheqë amendamentet. Por jo të tërhiqet nga makutëria. Atë që nuk qenë në gjendje ta bëjnë ballazi me ndryshim ligjor e bënë nga deriçka, duke detyruar nëpunësit e Kuvendit të mohojnë dokumentet e firmosura më parë prej tyre, e te pohojnë nën presion se samari fluturon, e se mandati i kryetarit të AMA-s ka vite qe ka mbaruar. Babëzia e Rama-Metës në fakt është babëzia e klientëve të tyre mediatike të cilët po imponojnë monopole televizive dhe dopjoçmime për kartat dixhitale që u shiten shqiptarëve. Akti i dyshes Rama-Meta, do t’i kushtojë qytetarëve shqiptarë dhe xhepave të tyre, pasi ata apo favorizojnë krijimin e një monopoli të rrezikshëm mediatik. Opozita nuk e njeh për të ligjshëm këtë veprim të Ramametës dhe do ta kundërshtojë atë me çdo mënyrë.