Duke marrë shkas nga deklaratat e njëpasnjëshme të Ministrit Veliaj, lidhur me rastin tragjik të ndarjes nga jeta të znj. Brunilda Meka, Dega e Partisë Demokratike Korçë i bën thirrje Ministrit të ndalë rrevanshin e shpifjeve para fakteve të pamohueshme.
Ish-drejtori i ISSH Korçë i ka dhënë të ndjerës një masë administrative, përkrah disa punonjësve të tjerë, bazuar në rekomandimet e auditit të Drejtorisë së Përgjithshme të ISSH. Kjo masë administrative nuk ishte më në fuqi, që prej datës 20 Shkurt 2014. Për rrjedhojë drejtoresha aktuale nuk mund të bazonte asnjë vendim të sajin, për shkarkim apo transferim, në një shkresë që nuk kishte më fuqi ekzekutive. Theksojmë se, e njëjta masë i është dhënë përgjegjëses të të njëjtit sektor ku punonte Znj. Meka, ndaj së cilës e njëjta Drejtoreshë ende nuk e ka parë të arsyeshme që të bëjë ndonjë transferim. Z. Ministër, ish Drejtori, ka pajisur znj. Brunilda Meka, në muajin Nëntor 2013, me një dokument reference për aftësi në punë. Sigurisht ky dokument ndodhet në atë pirgun imagjinar të letrave. Pyes znj. Verushi, cili ka qenë motivi i transferimit të Znj. Meka!? Si e justifikon Ministri largimin nga puna të rreth 40% të punonjësve të ISSH Korçë deri në momentin që flasim, teksa vetë Drejtoresha është duke ezauruar periudhën e provës në punë!? Me ç’motiv Drejtoresha thyen çdo ligj për administratën publike dhe Kodin e Punës. Fatkeqësisht ky është 1 Maji që po i ofron Rilindja shqiptarëve dhe administratës publike!