Deklarata për mediat e deputetit të PD Ristani pas daljes publike të kryeministrit Rama
Fort dhe gjatë u përpoq sot Rama te shitej si mbrojtës dhe promotor i policisë. Nuk i eci.
Shqiptarët nuk harrojnë se ishin Rama dhe Tahiri ata që ndërsyen turma të paguara nga krimi dhe narkotrafikantët kundër policisë së shtetit me gurë dhe hunj. Se ishin ata që bënin sehir kur përgjakja e uniformave blu vazhdonte edhe kur ishin rrëzuar.
Janë po ata, Edi Rama dhe vegla e tij Sajmir Tahiri që shkallmuan policinë e shtetit sapo erdhën në pushtet. Me mendësinë e vitit zero goditën, larguan dhe denigruan mijëra oficerë trima dhe patriotë. Burra dhe gra, të rinj dhe të reja që u përplasën me kurajo dhe fituan mbi krimin dhe që me përkushtimin e tyre ndaj ligjit dhe rendit ja dolën ta fusin Shqipërinë në NATO dhe të heqin vizat për qytetarët shqiptarë.
Janë po ata, Rama dhe Tahiri, që denigruan moralin dhe potencialet e policisë duke rifutur në radhët e saj individë të përjashtuar nga vetë ish ministrat socialistë, për lidhje me krimin dhe me narkotrafikun.
Çfarë do mbjellësh do korrësh.
Partia Demokratike dhe opozita e paralajmëruan Ramën se fushata e egër e zhbërjes së Policisë së Shtetit do të vijë me një me një faturë të rëndë për rendin dhe sigurinë e vendit.
Sot ai konfirmoi të gjithë shqetësimet e Partisë Demokratike se shteti është dorëzuar para krimit, se policia jo vetëm që nuk ka rilindur, por i janë këputur krahët për të luftuar krimin, ka humbur lidhjet me informacionin dhe kontrollin e terrenit.
Tritoli, vrasjet, vjedhjet, grabitjet, janë tregues i dëmit të pallogaritshëm që Rama-Tahiri I kanë shkaktuar policisë.
Ndërsa kjo e drogës tregon se rikthimi në polici dhe në poste të tjera të larta i personave të inkriminuar me narkotrafikun, nuk ka qenë rastësi.
Z Rama, ti je përgjegjës për shkallmimin e policisë së shtetit. Ti je përgjegjës për këtë situatë të rëndë të sigurisë në vend. Ti je fshehësi i zellshëm i të vërtetës për narkotrafikun që ka përmbytur Shqipërinë në drogë dhe po sulmon kufijtë e Europës me lumenj droge, ndaj dhe duhet të mbash përgjegjësi.
Të gjithë shqiptarët kanë sot një hall: nxjerrjen e vendit nga kthetrat e narkotrafikut me mbështetje dhe symbyllje qeveritare.
Zoti Rama ka një hall tjetër: ti ikë përgjegjësisë me çdo mënyrë.
Boll me këto shfaqje bajate plot shpifje dhe mllef. Z Rama, ti duhet të ikësh.
Opozita dhe Partia Demokratike fton nesër qytetarët shqiptarë të protestojnë para Kuvendit në orën 10, për të mos lejuar që Shqipëria të kthehet në një Kolumbi të Europës.