Deklaratë e nënkryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Eduard Halimi, pas dorëzimit në Kuvend të kërkesës për ngritjen e një komisioni hetimor për hetimin e emërimeve në administratë dhe dyshimeve për veprime kriminale apo trafikim të lëndëve narkotike
“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në Kuvend një kërkesë për kryerjen e një hetimi, për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, i cili do të hetojë ligjshmërinë e emërimeve në administratën shtetërore prej datës 15 shtator 2013 e deri në datën e sotme. Ju e keni parë që Grupi Parlamentar i PD ka denoncuar gjatë këtyre muajve rastet flagrante të emërimit në administratë, në poste të larta të administratës të njerëzve të cilët dyshohen si të përfshirë në veprimtari kriminale apo kanë edhe rekorde në vendime gjykatash që janë dënuar.
Sigurisht që ky është një shqetësim i mbarë qytetarëve shqiptarë dhe atyre prindërve të cilët presin me deftësën në dorë të fëmijëve të tyre për të marrë një vend pune, ndërkohë që në administratë dyshohen se janë emëruar njerëz të cilët kanë lidhje me politikën dhe aq më keq dhe aq më rëndë kur kanë lidhje me veprimtari kriminale sidomos me trafikun e drogës. Tonelatat që kapen me drogë anëmbanë tek fqinjët tanë sigurisht që tregon se dikush shkel syrin në doganë, dikush shkel syrin në porte dhe aeroporte në mënyrë që ajo drogë që kapet me tonelata dhe ajo që nuk kapet me tonelata, kalon nëpërmjet këtyre njerëzve.
Ndaj një hetim parlamentar për t’i bërë transparent qytetarëve shqiptarë, procedurën e emërimit dhe lidhjet e këtyre personave që ndodhen në këto poste, ne gjykojmë se është i nevojshme e madje i domosdoshëm. Me këtë hetim parlamentar ne synojmë t’i bëjmë transparencë të gjithë qytetarëve shqiptarë cilat janë procedurat e emërimit, nëse këto emërime që janë bërë gjatë këtyre muajve janë ligjore ose jo dhe besoj se e përcjellim shqetësimin edhe të atyre qytetarëve shqiptarë që nuk janë anëtarësuar në ndonjë parti politike dhe nuk e lidhin shkollimin e fëmijëve të tyre dhe futjen në një vend pune me angazhimin në një forcë politike apo në ndonjë tjetër, por e bazojnë atë në CV-në, biografinë dhe në shkollimin e fëmijëve të tyre. Ndaj ky hetim është shumë i nevojshëm dhe i domosdoshëm qoftë për hetimin e të gjithë emërimeve, qoftë edhe për lidhjet e njerëzve që janë emëruar në poste të larta dhe kanë rekorde kriminale”.