Deputeti demokrat, Bedri Hoxha, njofton thirrjen e gazetarit Telnis Skuqi për të dëshmuar nesër në komisionin e medias

 

 

 

Mazhoranca socialiste në Komisionin e Edukimit dhe Medias refuzoi dje me votë dëgjesën e gazetarit Telnis Skuqi,  të kërkuar me shkrim nga Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë. 

Kur nëntë deputetë të opozitës, një e treta  e Komisionit, paraqitën kërkesë me shkrim për këtë dëgjesë, çka e bën atë të detyrueshme sipas Rregullores së Kuvendit, kolegët e mazhorancës braktisën mbledhjen me qëllim të pengonin vazhdimin normal të saj përmes kuorumit të munguar.

Kujtojmë se gazetari Telnis Skuqi nga Gjirokastra ishte i pari, i cili në prill të këtij viti, investigoi dhe publikoi të dhëna mbi trafikun e drogës dhe raportoi për përdorimin e avionëve te vegjël nga narkotrafikantët. Pas kësaj ai u kërcënua me jetë, vetë e familjarisht; ne pragun e  banesës së tij herët në mëngjes i hodhën një kokë dhie:  mesazh i qartë se duhet të mbyllte gojën e të rrinte urtë. Nga informacionet që kemi policia nuk ka vepruar për ta marrë në mbrojtje. 

Deputetët e opozitës besojnë se lufta kundër drogës është detyrë e shtetit dhe e gjithë shoqërisë. Gjithashtu themelore në një demokraci plurale është liria e medias. Gazetari Telnis Skuqi e ka bërë punën e tij. Eshtë rradha jonë tani; prandaj ftoj deputetët socialistë të mos bojkotojnë mbledhjen e Komisionit nesër në orën 10.00  për dëgjesën e e zotit Skuqi.