Nënkryetari i komisionit të Sigurisë, Flamur Noka, denoncon nismat antikushtetuese të Kryeministrit, që politizojnë ushtrinë dhe zhveshin Presidentin nga kompetencat e tij ligjore.
Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sërish Presidentin e Republikës duke i hequr atij një kompetencë kushtetuese. Me projektligjin që ka paraqitur në kuvend, Edi Rama merr në dorë emërimin e kreut të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes. Kjo emërtesë lidhet me pozicionin Kushtetues që ka Presidenti si Komandant i Përgjithshëm i FA. Duke i marrë Presidentit këtë kompetencë, Edi Rama ia bën të pamundur kreut të shtetit ushtrimin e funksionit si Komandant i Përgjithshëm i FA. Me këtë skemë të rrezikshme, Edi Rama po tenton të kontrollojë personalisht shërbimin inteligjent të ushtrisë, por dhe të rrisë kompetencat e tij duke shkuar drejt një dublimit të Shërbimin Informativ të Shtetit. Edi Rama kërkon një shërbim informativ të ushtrisë, që të mos i bindet ligjit dhe Kushtetutës, por t’i bindet atij. Edi Rama kërkon një shërbim informativ të ushtrisë që të mos denoncojë aferat e rënda kriminale të trafikut të drogës, por kërkon ta ketë si armë politike në duart e tij. Në revanshin për të marrë sa më shumë kompetenca dhe për ta zhveshur Presidentin nga roli i tij kushtetues, Edi Rama ka miratuar dy ditë më parë dhe projektligjin që i mundëson kryeministrit dhënien e gradave. Kryeministri po e fut ushtrinë në kursin e politizimit të plotë, duke marrë në dorë edhe shpërndarjen e gradave, që tashmë do të jenë partiake. Partia Demokratike i dënon këto iniciativa të rrezikshme dhe antikushtetuese, dhe i kërkon Kryeministrit të tërhiqet sa më parë, të mos cenojë integritetin e ushtrisë shqiptare, tashmë ushtri e NATO-s.