Partia Demokratike është dhe mbetet, mbështet dhe do të mbështesë çdo vendim dhe aksion kundër narko-trafikut. Ne mbështesim forcat e policisë në aksionet e tyre, sikundër u bëjmë thirrje qytetarëve të distancohen nga elementët me precedentë kriminalë.
Çdo sulm ndaj policisë është goditje ndaj shtetit.
Partia Demokratike mbështet pa asnjë rezervë luftën kundër trafikut por ne i bëjmë thirrje profesionistëve të mbetur në polici të ruajnë jetët e qytetarëve dhe punonjësve të rendit dhe të ndalin çdo veprim që ushtron terror psikologjik ndaj popullatës civile.
Ne nuk presim që këtë kujdes ta bëjë Rama dhe Tahiri, pasi atyre nuk u intereson jeta e banorëve dhe e policëve.
Pseudofushata e Ramës dhe Tahirit, është një pozicionim taktik – t’ia hedhim botës – me karakter propagandistik dhe selektiv.
Narkotrafikantët e punësuar në zyrat e shtetit nuk mund ta luftojnë drogën. Ata mund të lajnë hesapet me njëri-tjetrin, por kjo nuk është luftë ndaj drogës, por luftë për kapjen e tregut.
Droga nuk luftohet nga përdoruesit dhe trafikantët por nga aleanca e njerëzve të ndershëm.