Të nderuar kolegë,
E marr fjalën për procedurë për të ngritur një shqetësim.
Në zonën time elektorale prej disa ditësh, në një fshat që quhet Kalimash, ushtrohet dhunë e pa precedent policore. Prej disa ditësh ky fshat, banorët e këtij fshati, burra, gra, fëmijë, të rinj dhe të reja, gdhihen të rrethuar nga forca speciale, a thua se këta qytetar, a thua se këta banorë janë kriminel, a thua se këta kanë bërë krime!
Në fakt, e vërteta qëndron se mbrapa kësaj historie, mbrapa kësaj dhune policore, fshihen interesa mafioze të mafies në pushtet ndaj dhe kanë gjetur formën më të errët dhe më mizore…formën e dhunës policore.
Atje, procedura është se Policia ka shkuar dhe i ka rrethuar dhe nuk i lejojnë as të zbresin në qytet, nuk i lejojnë as të dalin nga shtëpitë e tyre dhe kur kanë dashur familjar të ndryshëm për të bërë pazare për të blerë ushqim për familjarët e tyre, në fshatin Kalimash Policia ka gjuajtur me armë, ka gjuajtur me armë ndaj banorëve të pafajshëm, të cilët askush nuk e di çfarë krimi paskanë bërë që të rrethohen. Cila është arsyeja, cili është motivi që ky shtet dhunon banorët e pafajshëm të një fshtati?! Cila është arsyeja që i mbanë të rrethuar dhe gjuan me armë ndaj tyre, çfarë kanë bërë?!
Prandaj kërkoj që të na thuhen, e para: cila është arsyja dhe ç’faj kanë bërë këta banorë që dhunohen e terrorizohen dhe gjuhet me armë ndaj tyre?! E dyta: Cilat janë interest që fshihen , interest mafioze që fshihen pas këtij dhunimi dhe e treta: të gjendet një rrugë sepse ata banorë si do që të ishte puna duhet të uleshin me ta për të biseduar për çështjet dhe problematikat dhe jo të dhunohen e të shkrepen breshëri automatiku ndaj fëmijëve e grave të pafajshme në këtë fshat.
Faleminderit!