Kryetari i PD merr pjesë në Kuvendin Zgjedhor të degës së Lushnjës 

 

Në vijim të kuvendeve zgjedhore që PD-ja po mban në të gjithë vendin, Kryetari  Lulzim Basha ishte i pranishëm në Kuvendin Zgjedhor të degës së PD-së në Lushnjë . Sot, tha zoti Basha, gjithkush mund ta konfirmojë thënien e vjetër se pozita  më e keqe është ajo kur të drejton kërkushi, apo siç mund ta përkthejmë në gjuhën e sotme, i padituri, i paafti, i pavirtytshmi.

Ndërsa anëtarësia e PD-së ka barrën dhe përgjegjësinë që me votën e saj të zgjedhë drejtuesit e PD-së, zoti Basha ka qënë i prerë në kriteret që duhet të përmbushë çdo kandidat që do të drejtojë strukturat e PD sot, dhe çdo i zgjedhur  që do të jetë në drejtim të vendit nesër.

“Drejtuesit e mirë nuk e kanë të shkruar në ballë. Ata janë apo bëhën të  tillë në raport me alternativën tonë politike të lirisë dhe demokracisë, ata  janë dhe bëhen të tillë në raport me përkushtimin e tyre ndaj vlerave të zhvillimit, të nismës  së lirë dhe sundimit të ligjit, janë dhe bëhën të  tillë në raport me kontributin që kanë dhënë, japin dhe do të japin në PD. 

Janë dhe mbeten të tillë në raportin që kanë dhe ndërtojnë me projektin  tonë me projektin tonë të opozitës dhe të opozitarimit të mbështetur në fakte, argumente dhe arsye,projektin  politik të lirisë, ringritjes,  bashkimit, përtëritjes dhe  hapjes. Janë këto vlera që jam i bindur  se po reflektohen e do të reflektohen  në votën tuaj dhe në zgjedhjen tuaj”, tha Basha. 

Kryetari i PD Lulzim Basha ka përcjellë një mesazh për të gjithë të zgjedhurit e rinj dhe ata që pritet të zgjidhen në ditët në vijim, nga niveli më i ulët drejtues i strukturave të PD-së, deri në nivelin më të lartë. 

“Ky është  momenti i një përgjegjësie të madhe  për secilit prej jush  para anëtarëve te  Partisë  Demokratike që ju ka mandatuar dhe ju ka besuar,  që pret shumë prej jush dhe ka varur shume shpresa tek Partia Demokratike. Ne kemi detyrimin t’i përfaqësojmë me nder keta demokratë që na kanë besuar. Kemi detyrimin të mos i zhgënjejmë, por të jemi në nivelin  e pritshmërive të tyre. Kemi detyrimin të  jemi trasparentë dhe llogaridhënës në çdo moment para tyre për çdo gjë”, tha Basha.