Të  nderuar deputetë,

Qytetarët po ngrihen në protesta kundër pseudoreformes administrative territoriale të Qeverisë. Komunitetet vendore po protestojnë. Kryetarët dhe këshillat komunale e bashkiake, në shumicën e tyre, nuk po pranojnë hartën e imponuar qeveritare. Në Memaliaj, në Prrenjas, në Rrogozhinë, në Leskovik etj, qytetarët dhe personalitetet e komuniteteve vendore, kanë zbritur  në sheshet e qyteteve.

Janë pararoja e një vale të fuqishme protestash që po ngrihen në mbarë vendin për t’i bërë të ditur qeverisë kundërshtimin e vendosur qytetar ndaj projektit të saj arbitrar, që minon dhe hedh në erë në themel ngrehinën 23 vjeçare të  pushtetit vendor në Shqipëri, dhe për të paralajmëruar përshkallëzimin e qëndrimeve, nëse qeveria nuk heq dorë,  nëse qeveria  vazhdon  të anashkalojë qytetarët, duke shkelur me këmbë e me duar kushtetutën e vendit.

Në përpjekjet  tona të njohura për ta futur procesin në hullinë e kushtetueshmërisë, konsensusit, gjithpërfshirjes  dhe praktikave  të mira, të zbatuara edhe në Shqipëri për reforma të mëdha të kësaj natyre, ne si opozitë e kemi paralajmëruar disa herë qeverinë Rama-Meta se do ta presim në sheshet e protestave mbarëqytetare nëse do të vazhdojë të bëjë shurdhin, nëse do të vazhdojë me ekperimentin e saj të  pseudoreformës.

Qyetarët po ngrihen  të parët në frymën e Kushtetutës, që njeh  të drejtën e tyre sovrane për t’u pyetur. Ky është një lajm shumë i mirë për demokracinë, për kushtetutën, për ligjin, për ndergjegjen demokratike të shqiptarëve, për dinjitetin e tyre. Gjatë turit tim për zgjedhjet në parti, kudo takoj qytetarë, intelektualë, profesionistë, punonjës, fermerë, të djathtë, të majte, pa përkatesi politike, të cilët më shprehin mospranimin dhe shqetësimin e tyre për hartën qeveritare e kërkojnë të dinë se çdo të bëjë opozita.

Gjithë kjo ndjeshmëri e lartë dhe protestat që po zhvillohen na impenjojnë  si opozitë për të ndërmarrë  veprime të reja, për të qenë me qytetarët, mes qytetarëve dhe për qytetarët në ketë betëjë të madhe.

Si është e mundur, pyesin njerëzit, që  Rama me të tijtë  bëjnë me demek sikur  morën asistencë, këshillim, ekpertizë, propozime dhe financim nga Europa dhe nga një mori organizatash të shoqërisë civile të specializuara për reforma  moderne bashëkohore dhe si përfundim, në produktin e tyre të  hedhur në treg, u kthyen te ish-komitetet ekzekutive të ish Partisë së Punës?

Janë kaq pa fantazi, janë kaq  të vjetër, janë kaq të huaj për rrjedhat e demokracisë bashkëkohore dhe kaq të mbyllur e të kapur mendërisht nga  konceptet arkaike centralizuese, sa të guxojnë të provokojnë në këtë shkallë qytetarët shqiptarë, miqtë dhe partnerët tanë europiane që janë investuar edhe për këtë reformë?

Si është e mundur!

Rasti i reformës administrative-territoriale nuk është i shkëputur nga gjithë qasja e tyre e vjetër, arbitratre dhe antidemokratike për liritë, për ligjin, për  pjesmarrjen qytetare.

Nostalgjia i çon te skema e ish komiteteve ekzektive me emërtime të reja.

Viti zero i çon atje ku nuk ka pasur asnjë element të autonomisë vendore në Shqipëri, pra para vitit 1990.

Projekti i tyre i mirënjohur i pushtetit të një grushti oligarkësh  në piramidën e tyre të oligarkisë i çon  te modeli  ish komiteteve ekzekutive me emërtime të reja.

Me këtë qytetarët nuk mund të pajtohen. Për këtë qytetarët po ngrihen.

Qytetarët në këmbë, është e do të jetë  thirrja jonë për të shpëtuar autonominë vendore, për ta garantuar, fuqizuar e ngritur në një stad më të lartë nëpërmjet një reforme bashkëkohore gjithpërfshirëse.

Ne u shprehëm  që në tetor se nisma qeveritare ishte vetem për interesat e ngushta të klanit politik, oligark në pushtet, se kjo nismë nuk kishte as në qendër dhe as në periferi të qellimit të saj qytetarin,fuqizimin e komuniteteve vendore, decentralizimin dhe autonominë vendore.

Çdo ditë, javë e muaj deri më sot, çdo ngjarje dhe akt i qeverise nga i pari e deri tek më i fundit, veçse përforcoi përcaktimet tona fillestare për këtë pseudoreformë.

Ne kërkuam që një reformë e vërtetë e dobiprurëse duhet të paraprihet nga thellimi i decentralizimit dhe zgjerimi i autonomisë vendore, ndërsa rishikimi i kufinjve duhej të vinte si plotësim, mbështetje dhe pasojë. Ne kërkuan që komponenti administrativ të printe dhe ai territorial ta ndiqte. Qeveria e nisi me territorin dhe e bitisi me territorin.

Ne kërkuam që të nxiten, të degjohen e të konsiderohen alternativat e organizatave te të zgjedhurve vendore, shoqërise civile, botës universitare. Në fakt, disa organizata u angazhuan dhe me metodën e duhur arritën në propozime të vlefshme për decentralizimin, autonominë vendore dhe modifikimin e kufijve. Qeveria bëri sikur i degjoi, por hodhi në kosh çdo propozim të tyre. Qeveria nuk  denjoi të japë shpjegime pse nuk u mor parasysh prej saj qoftë edhe një rekomandim apo variant.

Ne kërkuam që të dëgjohet zëri i qytetareve në çdo fshat e qytet të Shqipërisë. Qeveria vendosi me dyer të mbyllura variantin e saj të paracaktuar mes pesë pseudovarianteve dhe po synon që t’ua imponoje të zgjedhurve vendorë variantin e saj ndërsa bën sikur konsultohet me komunitetet vendore dhe publikun.

Edhe nëse ka qenë ndokush që fillimisht ka menduar se Qeveria e kishte seriozisht e me qëllim të mbarë këtë reformë e më këtë besim, u përfshi në aktivitete apo u përpoq të japë një alternative, sot është i zhgënyer.

Sjellja e qeverise ndaj propozimeve alternative të shoqërise civile është prova me e qartë.  I mirëkuptojmë të gjithë këta të zhgënjyer e të ofenduar dhe u themi bashkohuni me  njëri-tjetrin dhe me mbarë qytetarët shqiptarë për t’i bërë pritë të keqes dhe për të mundësuar një reformë të mirë për të cilën ka nevojë vendi.

Gjatë gjithë periudhes që nga tetori e deri në mars, kërkesat dhe qëndrimet tona, të shprehura disa herë në mbedhjet e këtij formati, në takimet tona me të zgjeedhurit vendore, në qëndrimet e grupit tonë në Kuvend dhe në përgjigjen time ndaj, gjoja fteses së Edi Ramës, kanë konsistuar në dy propozime themelore:

Konsensus politik në Kuvend si minimum i domosdoshem dhe me qytetaret si optimum i duhur.

Një reforme e plotë decentralizuese krahas rishikimit të kufinjve.

Konsensusi na u refuzua botërisht në sallën e Kuvendit nga vetë zoti Rama me argumentin se opozita e do konsensusin për të bllokuar reformën,  argument absurd që zhduk vetë arsyen pse ka lindur dhe ekziston konsensusi si vlerë dhe mjet punë në jetën politike. Në lidhje me vizionin e plotë të reformës, qeveria bëri sikur nuk dëgjoi në vend që t’i shtonte komisionit parlamentar detyrën për reformën decentralizuese krahas ndryshimeve hartografike, shtoi një anëtar mazhoritar në komision.

Komisioni parlamentar, si një noter i rëndomtë,  i vuri vulën hartës së përgatitur në sallën e hartave të Kryeministrit. Varianti qeveritar, i paravendosur, bazohet tek 36 rrethet. Nisi me rrethet, si pikenisje e ushtrimit hartografik dhe perfundoi tek rrethet. Ku nisi bitisi. Vendnumero.

Variantit bazë, atij me 36 rrethe, qeveria i vë ca bishta, një numer prej 3 deri 11 njësish të krijuara artificialisht si shkëputje nga rrethet përkatëse për të dalë zyrtarisht gjoja me 2 variante, atë me 39 bashki dhe atë me 47 bashki.

Mes këtyre 3-11 bishtave gjen edhe hilerat elektorale, gjen edhe spekulime të shumëfishta siç është shkëputja e Himarës nga pjesa tjetër e rrethit Vlorë dhe bashkimi i saj me Vranishtin, gjen edhe bashkimet artificiale të disa komunave minoritare si për të thënë se qeveria respekton të drejtat e minoritetit, e në ndonjë rast, gjen edhe ndonjë tentative per të zbatuar konceptin e zonës funksionale sa per t’i thënë partnereve nderkombetare se diçka morem edhe nga sugjerimet tuaja.

Gjithsesi, duket se qeveria, ashtu si hardhuca, është e gatshme që, nëse ndeshet me kundërshti te forta, t’i kepuese keto bishta vetem dhe vetem që të mbahet në këmbë varianti me 36 rrethe-bashki.

Nga tre variantet e tjera, i pari me 30 njësi ishte sa për të krijuar idene se varianti me 36 rrethe-bashki nuk është me ekstremisti, ndërsa dy variantet e tjera, ai me 57 dhe ai me 63 bashki u rrëzuan pa meshire në mbledhjen me dyer të mbyllura te qeverise me mazhorancen parlamentare.

Këto dy variantet e fundit ishin një hile taktike, sa për të krijuar idenë se qeveria po konsideronte kritere e koncepte moderne të funksionalitetit dhe të identiteteve tradicionale lokale por, kur qeveria e kuptoi se këto variante mund t’i ktheheshin ne bumerang i eliminoi nga diskutimi i metejshem.

Nëse do të mbaheshin në këmbe e do të hidheshin në konsultim, varianti me 57 dhe ai me 63 bashki, këto do të shërbenin si ura për të ecur detyrimisht drejt varianteve më të arsyeshme me 80, 90, 100 apo me shume bashki/komuna, e qe ishin propozuar nga organizatat e tjera. Kjo pasi kriteret për njesitë shtesë tek të dy variantet qeveritare me 57 dhe 63 bashki, nëse zbatohen me koherencë, te çojnë logjikshëm në variantet me shume më tepër bashki.

Me rënien e ketyre dy varianteve me 57 dhe 63 bashki, qeveria hodhi në erë urën e komunikimit dhe arsyen e shëndoshe të mishëruar në variantet e tjera te propozuara nga aktoret joqeveritare, dhe kete e beri me qellimin qe te dekurajonte çdo alternative tjetër e për të mbrojtur me çdo kusht e çdo mjet variantin e saj bazë me 36 rrethe-bashki.

Gjithçka në shërbim të konceptit punist mbi qeverisjen vendore dhe të instrumentalizimit të saj në shërbim të kartelit politik, oliogark, e deri mafioz. Çfarë ka midis bashkisë-rreth dhe qytetarit që jeton e punon në periferi të saj. Asgjë. Asgjë që ka lidhje me afrimin e pushtetit me qytetarin. Asgjë që ka lidhje me zbatimin e instrumentave efiakse të llogardhënies se të zgjedhurve para qytetarëve. Ketë nuk mund të pranojme në asnjë mënyrë.

Per ne demokratet ka qënë dhe është e papranueshme mohimi i arritjeve të medha të deritanishme në reformen e decentralizimit, ne zgjerimin e autonomisë vendore dhe shndërrimit të saj në mundësi për ushtrimin e demokracisë së drejtpërdrejtë dhe përfaqësuese të qytetarëve dhe komunitetetve vendore, shndërrimit të saj në qeverisje me efektive dhe llogaridhënëse. Liria funksion, ndaj, funksion edhe autonomia vendore si një liri në llojin e saj.

Për ne demokratët është e papranueshme që i gjithë ky akumulim përvoje në demokracinë dhe qeverisjen vendore këto 23 vite, të humbasë për hir të koncepteve puniste dhe interesave te kartelit politik, oligark dhe mafioz ne pushtet.

Për ne demokratet është i papranueshem mohimi i të drejtës natyrore të komuniteteve vendore për t’u vetëqeverisur e po ashtu është e papranueshme që kufinjtë të ndryshohen njëanshmërisht pa konsensusin e shumicës dërrmuese të pjestarëve të komuniteteve përkatese vendore e rast-për-rast, siç është e papranueshme për ne që komunitetet vendore të formuara përgjatë shekujve të bashkohen e shkrihen si pa të keq në njesi te amalgamuara artificialisht.

Për ne demokratët është e papranueshme që reforma të filloje e të mbarojë me hartën por është po aq e papranueshme qe harta, e bërë njëanshmërisht dhe arbitrarisht të sherbejë si detyrim për të bërë reformën decentralizuese, qofte edhe nëse kjo, korigjon në ndonjë mase te caktuar, problemet qe krijon harta qeveritare.

Opozita  përsërit sot kërkesën e saj drejtuar qeverisë dhe shumicës  të heqë dorë, të tërhiqet nga projekti i saj i shkatërimit të pushtetit vendor, të kthehet në pikënisje, të rifillojë me këmbën e mbarë të konsensusitt, gjithëpërfshirjes, konsultimeve reale në funksion të një reforme moderne që do t’i vlejë Shqipërisë dhe qyetarëve të saj për dekadat e ardhshme. Eshtë momenti për të reflekruar  sot, tani. Në të kundërtën, për ne mbetet zgjidhja  që kemi paralajmëruar: t’i presim me kushtetutë në dorë në sheshet e protestave që qytetarët kanë nisur ti mbushin.

Faleminderit!


Fjala e kryetarit të PD, Lulzim Basha, në mbledhjen e Grupit Parlamentar, 6 Qershor 2014