Kryetari i PD, Lulzim Basha merr pjesë në Kuvendin Zgjedhor të degës së Shijakut. “Në bursën e besimit popullor, plot një vit nga zgjedhjet e 23 qershorit, ne kuotohemi si një parti në moral dhe në vlera fituese përballë kundërshtarit tonë”
Një vit pas zgjedhjeve të 23 qershorit, zoti Basha ka sjellë në vëmendje bilancin e qeverisë e cila sot numëron vetëm dështime dhe zhgënjime. Premtimet elektorale, theksoi zoti Basha, janë harruar ndërsa vendi është zhytur në varfëri dhe papunësi. Narkotrafikantët dhe personat me precedent penal janë veshur me pushtet ndërsa qindra të arsimuar dhe të trajnuar në shkollat dhe institucionet më të mira europiane dhe amerikane janë hedhur në rrugë.
“Sot fiks një vit pas zgjedhjeve të 23 qershorit, shqiptarët po e shohin që asgjë nuk ka lindur, dhe nuk ka rilindur në këtë vend. Përkeqësim në ekonomi, mijëra vende punë të mbyllura, sipërmarrja në kufijtë e mbijetesës dhe të falimentimit, investimet e brendshme në nivelet më të ulta ndonjëherë në Shqipëri, investime me fondet e huaja afër zeros. Statistikat e INSTAT-it flasin për një rritje dëshpëruese të papunësisë gjatë muajve të fundit. Bota e krimit, e spekulimit, e mashtrimit ka gjetur një strehë të ngrohtë, një strofkull të rehatshme brenda kësaj qeverisje”, tha Basha.
Përballë këtij realiteti dëshpërues dhe zhgënjyes nga kjo mazhorance, tha zoti Basha, qytetarët kanë kthyer sytë nga PD. Numri i lartë i anëtarësimeve të reja, veçanërisht të të rinjve e dëshmon me mirë se çdo gjë besimin që qytetarët kanë te PD.
“Vijnë dhe bashkohen me ne sepse kanë besim tek Partia Demokratike, vijnë dhe bashkohen me ne sepse nuk shohin alternativë tjetër vlerash përveç Partisë Demokratike, dhe këtë besim, nuk e ka vetëm rinia që ka vërshuar drejt PD-së. Kjo është shenjë e jashtëzakonshme e kuotimit të PD-së në bursën e besimit popullor, dhe sot ju them se në bursën e besimit popullor, plot një vit nga zgjedhjet e 23 qershorit, ne kuotohemi si një parti në moral dhe në vlera fituese përballë kundërshtarit tonë”, tha Basha.