Kryetari i Partisë Demokratike takohet me bashkëreporterin për Shqipërinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës

 

 

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua me bashkëreporterin për Shqipërinë të Asamblesë Parlamentare te Këshillit të Evropës, Z. Jonathan Evans.

Z. Basha e njohu Z. Evans me zhvillimet politike në vend në kuadër të raportit të monitorimit nga Asambleja Parlamentare e KiE. Në mënyrë të veçantë z. Basha e informoi bashkëreporterin për zhvillimet shqetësuese në lidhje me demokracinë, shtetin e së drejtës, institucionet e pavarura, median si dhe për rritjen e kriminalitetit dhe narkotrafikut në vend. Z. Basha theksoi se trafiku i drogës me alibinë dhe mbrojtjen qeveritare, është  një burim financimi i korrupsionit politik dhe përbën një rrezik të jashtëzakonshëm për zgjedhjet dhe demokracinë.

Z. Basha vuri në dukje se punësimi në pozicione drejtuese në polici dhe administratë i personave të lidhur me trafikun e drogës, apo forma të tjera të krimit, po sjell një përkeqësim të thellë të luftës ndaj krimit dhe korrupsionit. Më tej z. Basha ndau me Z. Evans shqetësimin e thellë për gjendjen e shtetit të së drejtës duke u ndalur tek mozbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave të tjera në vend, dhunimi i ligjeve, shkarkimet  masive në administratë, dhunimi i paligjshëm i të drejtave të pronësisë të qytetarëve, etj.

Z. Basha e siguroi Z. Evans për angazhimin e opozitës në përpjekjen për garantimin e standarteve të këshillit të Europës dhe vendosmërinë për të mbështetur integrimin Europian pa asnjë rezervë duke u përkushtuar për ruajtjen çuarjen përpara të standarteve të arritura.