Kryetari i Partisë Demokratike pret delegacionin e qeverisë austriake kryesuar nga Ministri i Jashtëm, Sebastian Kurz.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti sot në takim Ministrin e Jashtëm austriak, Sebastian Kurz dhe Ministrin e Drejtësisë, Wolfgang Brandstetter.
Z.Basha, duke e falenderuar palën austriake për gjithë kontributin e dhënë në këto vite ndaj Shqipërisë në procesin e integrimit europian, i kërkoi z.Kurz intensifikimin e angazhimit austriak për vendimin e javës së ardhshme.
Kryetari i Partisë Demokratike tha se Shqipëria i ka plotësuar të gjithë kushtet për marrjen e statusit.
Basha e njohu z. Kurz, me zhvillimet negative në vend që shkojnë në kundërshtim me kriteret e Kopenhagenit, që kanë të bëjnë me zëvendësimin e sundimit të ligjit nga arbitrariteti qeveritar, me moszbatimin e vendimit të gjykatave nga qeveria, me shkarkimet masive në administratë pa motiv ligjor, dhe me emërimet problematike të personave me precedent penalë në poste kyce cka ka ndikuar në përkeqësimin e ndjeshëm të gjëndjes së rendit në vend.
Kryetari i Partisë Demokratike i përsëriti ministrit të jashtëm austriak, qëndrimin e opozitës për mbështetje pa kushte për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria në mbledhjen e qershorit.